Qeveria “Rama”. Japin dorëheqjen ministrat teknikë të Partisë Demokratike

Ministrat teknikë në qeverinë “Rama” të propozuar nga PD kanë dhënë sot dorëheqjen nga detyra. Pas hartimit të raportit për zgjedhjet e 25 qershorit, ministrat kanë dorëzuar letrën e dorëheqjes, duke lënë në detyrë zëvendësministrat përkatës.

Janë 6 ministra dhe një zëvendëskryeministre që u zgjodhën nga Partia Demokratike, pas marrëveshjes Rama-Basha më 18 maj. Qëllimi i ministrave ishte garantimi i standardeve të zgjedhjeve. Por edhe pse zgjedhjet përfunduan më 25 qershor, ministrat e PD qëndruan në detyrë edhe për gati dy muaj të tjerë.

Nuk dihet se cili është përfundimi i raportit të ministrave për zgjedhjet, por vetë deputetë të PD-së kanë shprehur rezerva për mënyrën sesi u menaxhua procesi zgjedhor. Gjatë fushatës elektorale dhe sidomos ditën e zgjedhjeve nuk pati asnjë rast publik të denoncuar nga ministrat e PD për manipulime apo vjedhje të votave.

Vetëm pasi PD-ja humbi zgjedhjet, ministrat nisën të mbledhin fakte dhe dokumente për të faktuar manipulime. Për këtë arsye kërkuan më shumë kohë për të hartuar raporte të detajuara për procesin zgjedhor.

Me largimin e ministrave merr fund një nga qeveritë më të çuditshme që ka prodhuar tranzicionit shqiptar. Kjo pasi për herë të parë në qeveri ishin mazhoranca (PS-LSI) dhe opozita (PD). Qeveria e gjithë spektrit politik vijoj edhe pas zgjedhjeve duke krijuar një situatë të paprecedentë.

Ministrat që largohen :

Zv/kryeministër Ledina Mandia

Ministër i Brendshëm, Dritan Demiraj

Ministër e Financave, Helga Vukaj

Ministër Drejtësie, Gazmend Bardhi

Ministere e Arsimit dhe Sportit, Mirela Karabino

Ministër i Shëndetësisë, Arben Beqiri

Ministere i Mirëqenies Sociale, Xhuljeta Kërtusha.

Ndryshe nga sa ndodh me procedurën e dorëheqjes në raste të zakonshme, këtë herë dokumenti nuk i është dorëzuar Kryeministrit, i cili ndodhet me pushime, por Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë.

SHKARKO APP