Qytetarët: Duam protesta! PD: Është mot i ftohtë!
Rrallë herë ka ndodhur që në pak javë në Shqipëri të ndodhin kaq shumë skandale. Një ish-ministër akuzohet për trafik droge. 4 ish-drejtorë të policisë janë shpallur në kërkim dhe sipas policinë “kanë ikur në drejtim të paditur”. Rreth 30 efektivë të tjerë të lartë të Policisë së Shtetit janë nën hetim nga Prokuroria për Krimet e Rënda. Të gjitha këto çështje i bashkon kanabizimi dhe trafiku i drogës, një nga akuzat më të hershme të PD dhe LSI-së për qeverinë dhe Kryeministrin Edi Rama. Në pak ditë po verifikohen të gjitha akuzat, që dikur edhe mund të dukeshin jo reale, për implikimin e strukturave të shtetit në trafikun e lëndëve narkotike dhe blerjen e votave me këto banda.
Mazhoranca e trembur nga reagimi që mund të vij më vonë, pak nga pak qeveria e PS po grumbullon gjithë pushtetet. Pas ‘tepsisë’ me 78 mandate deputetësh, PS-ja mori me urgjencë SHISH, si vendin nga ku dalin sekretet e frikshme. Ka nisur procedurat për të marrë drejtimin e KQZ dhe ka gati emrin e kryeprokurorit të ri, që në këto ditë i duhet më shumë se çdo gjë tjetër.
Megjithëse panorama e zhvillimeve sa vjen dhe bëhet më e zymtë, klima politike në Tiranë është njëlloj sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Gjithë komanda e policisë në Vlorë, sipas prokurorisë, ka qenë aneksi i një bande kriminale dhe opozita e trajton këtë si të ishte fjala për ngjarje pa rëndësi. Edhe pse pranojnë se situata është emergjente, partitë opozitare mjaftohen me deklarata për mediat dhe replika nga Facebook. Të gjithë drejtuesit e opozitës thonë se “qeveria ka rënë moralisht”, ndërkohë deputetët i çojnë çdo ditë në komisione dhe presin seancat parlamentare që të flasin në podiume. Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi dje foli më ashpër se herët e tjera dhe kërkoi nga Fronti i Opozitës së Bashkuar të “shporrim qeverinë e krimit”. Ndërkohë kreu i PD-së, Lulzim Basha në deklaratën e djeshme për mediat dukej më i shqetësuar për emrin e kryeprokurorit sesa për çështjet e tjera.
Publikimet e skandaleve, përgjimeve, fakteve dhe detajeve që tregojnë për kriminalizmin e një pjese të shtetit kanë rritur pakënaqësitë e qytetarëve. Papunësia, varfëria dhe mungesa e gjetjes së një jete më të mirë po bën që populli të dalë në rrugë. Është nga ato raste kur thirrjet për protesta nuk mungojnë. Ajo që mungon në gjithë këto zhvillime politike është opozita. PD dhe Basha nuk po kupton momentin politik, ose e kompleksuar nga hijet e marrëveshjes së 18 majit ende nuk e ka ndarë mendjen. Në PD thonë se nuk është koha ende për protesta. Në mes të dimrit, para festave dhe pushimeve të gjata që vendosi qeveria “Rama”, demokratët mendojnë se nuk do ishte ide e mirë dalja në rrugë. Një tjetër variant i përmendur nga Basha për protestat është se këtë herë do të presin që qytetarët të dalin vetë në rrugë dhe më pas opozita do t’u bashkohet. Basha dhe PD i kanë bërë llogaritë gabim. Nëse qytetarët vendosin të dalin vetë në rrugë, atëherë nuk kanë më nevojë as për liderë politikë dhe parti. Kur populli del vetë në rrugë e gjen edhe liderin e ri. Opozita ka fjalën dhe protestën.
Kjo paqartësi e PD-së ka ngritur shumë pikëpyetje edhe brenda vetë opozitës. Kreu i PR-së, Fatmir Mediu i pyetur dje për protestat tha se këtë pyetje kishte dhe ai personalisht për Lulzim Bashën dhe ende nuk kishte marrë përgjigje. Në kohën kur opozita duhet të ishte te njerëzit, Basha dhe PD kanë zgjedhur të rrinë në zyrat e partive, me argumentin qesharak se “është ftohtë”. Mbase kur të ngrohet moti askush nuk do të ketë më nevojë për PD dhe opozitën.
Popullit opozitar dhe atyre që nuk pranojnë këto skandale, nuk ka kush u prin. Opozita kërkon ta rrëzojë kryeministrin me facebook dhe fjalime në sallën e ngrohtë të parlamentit.
Ndaj Edi Rama qesh dhe tallet. Facebook-un e përdor më mirë Rama, fjalën e lakon më bukur në parlament se sa opozita. A është rrëzohet qeveria me facebook?!
Qamil Xhani