Qytetarët pyesin: Kur do e rrëzoni Ramën? Basha: Të dielën në protestë
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka ftuar gjithë qytetarët në protestën e datës 2 qershor. Në takimin e zhvilluar sot në zonën e Kinostudios në Tiranë, Basha ka deklaruar se tashmë është koha për të rrëzuar qeverinë “Rama”.
Kreu i PD-së deklaroi se largimi i Edi Ramës tashmë është një kërkesë që i bëhet çdo ditë nga qytetarët. Basha u shpreh largimi i kryeministrit Rama nuk është më vetëm një detyrë e opozitës dhe PD, por një mision kombëtar i çdo qytetari.
“Ndërkohë që mirëpresin platformën tonë ekonomike, 98 % e sipërmarrësve kanë vetëm një pyetje: Kur do ta hidhni, kur do ta rrëzoni? Sot është rasti këtu në Tiranë, të flas fare hapur e sinqerisht me këdo që e bën këtë pyetje, sepse i ka ardhur aty ku s’mban më. Pyetja nuk i drejtohet vetëm Partisë Demokratike dhe vetëm Lulzim Bashës as edhe vetëm opozitës. Rrëzimi i të keqes është detyrë kombëtare, ndaj përgjigjen po e jap unë, në emër të gjithë atyre që keni pyetur të dashur bashkëqytetarë se kur do ta rrëzojmë: Ejani të dielën në orën 19 në protestën tonë, bashkohuni me lëvizjen tonë, bëhuni pjesë e çlirimit të Tiranës, e çlirimit të Shqipërisë, nga kjo bandë hajdutësh dhe kriminelësh”,- deklaroi Lulzim Basha.
Kreu i PD-së shtoi se e vetmja rrugë për qytetarët tashmë është protesta dhe rezistenca popullore. “Protestat dhe bashkimi popullor janë rruga e vetme e rezistencës, e përballjes, e largimit të të keqes, e rrëzimit të bandës kriminale në pushtet”,- deklaroi Basha.
Kreu i PD-së komentoi dhe kërkesën e Holandës për rivendosjen e vizave. Ai e cilësoi këtë kërkesë si një turp dhe dështim të qeverisë “Rama”.
“Në momentin kur Shqipëria, pas 3 rekomandimeve pozitive priste dritën jeshile të hapjes së negociatave, jo vetëm që vjen dritë e kuqe, por sot kemi një tjetër lajm të hidhur. Komisionit Evropian zyrtarisht i është dorëzuar kërkesa e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, e Holandës, për të rivendosur vizat për qytetarët shqiptarë. Ky është turpi, ky është krimi I Edi Ramës dhe I bandës së tij të babëzitur. Ne jemi sot këtu të vendosur për ta çuar betejën tonë deri në fund. Dhe kjo është një betejë shprese për çdo shqiptar, kjo është një betejë ndryshimi për të gjithë njerëzit dhe jo vetëm për një grusht njerëzish”,- deklaroi Basha.