Radio gjermane DW: Rebusi që pret Gjykatën Kushtetuese ta zgjidhë
Nga DW/
Kriza politike dhe institucionale, ku Shqipëria ndodhet që prej gjashtë muajsh, duket si rebus, që sa shkon dhe bëhet më i vështirë për t’u zgjidhur.
Kaos, asnjë shenjë vullneti nga palët për kompromis
Dështimi i zbatimit të dekretit të Metës nga opozita jashtë parlamentit është i paralajmëruar. PD nuk pranon të marrë pjesë në zgjedhje me kryeministër Ramën, që e akuzon së fundi për manipulim edhe të zgjedhjeve të 30 qershorit. Dekreti i Metës pranohet prej saj „de jure” por refuzohet „de facto”. Ndërsa nga maxhoranca socialiste mosnjohja e dekretit është fakt që me zhvilimin e Lokaleve 2019, në 30 qershor. Ajo e quajti të martën “qesharake” thirrjen e Metës, në një kohë kur po zhvillohet procesi i konstituimit të kryetarëve të rinj socialistë në 60 bashki nga 61 që ka gjithsej Shqipëria
Thirrjes së presidentit drejtuar forcave politike për t’u regjistruar në KQZ iu përgjigjën vetëm dy parti të opozitës jashtë parlamentare: Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Republikane. Ashtu si pritej, KQZ nuk iu përgjigj kërkesës së tyre përderisa më herët i ka quajtur „ nul” dekretet e presidentit Meta.
PD ka paralajmëruar rifillimin e protestave në shtator për të rrëzuar qeverinë Rama, pavarësisht se nuk ia doli mbanë ta realizontë këtë me protestat kombëtare nga shkurti në qershor. Ulja në tryezën e bisedimeve dhe dialogu duket larg. Nuk ka asnjë shenjë vullnet të mirë nga qeveria, që tani zotëron edhe gjithë pushtetin lokal, as nga PD që të ecin drejt kompromisit. Rifillimi i protestave të opozitës parathotë rikthim potencial në kaos.
Si të vetmen zgjidhje që kjo të mos ndodhë dhe të rriten shanset për një vendim pozitiv në tetor lidhur me negociatat e integrimit në BE, Meta sheh përsëritjen e Lokaleve 2019, në 13 ose 18 tetor. Për Metën Zgjedhjet Lokale të 30 qershorit mbeten “të paligjshme, votime dhe jo zgjedhje” përderisa zgjedhësit nuk patën alternativa konkurruese kandidatësh prej mospjesëmarrjes së opozitës. Mazhoranca socialiste e quajti të martën “qesharake” thirrjen e Metës, në një kohë kur po zhvillohet procesi i konstituimit të kryetarëve të rinj socialistë në 60 bashki nga 61 që ka gjithsej Shqipëria. Jo vetëm kaq por Meta, përsëritjen e zgjedhjeve e lidhi të martën, me demokracinë dhe drejtësinë e pavarur: ” Pa zgjedhje, nuk ka demokraci. Pa demokraci nuk ka drejtësi të pavarur. Pa të dyja së bashku nuk ka të drejta dhe
ekonomi për të gjithë shqiptarët. Dhe as ndëshkim për politikanët”, u shpreh ai në një postim në median sociale.
Meta: Maxhoranca socialiste pakicë me pushtet të paligjshëm
Kriza institucionale Kryeministri – Presidencë u rëndua më tej të martën, kur presidenti Meta e quajti mazhorancën socialiste, “një pakicë që nuk njeh rotacion, që nuk e do hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE , pasi ka për të humbur pushtetin e paligjshëm politik, ekonomik dhe mediatik”.
Mazhoranca socialiste nga ana e saj e akuzon Metën për “veprime anti-kushtetuese që cënojnë sovranitetin e popullit dhe Kuvendit” me dekretet e shfuqizmit të 30 qershorit dhe caktimit të 13 tetorit si datë e zhvillimit të Lokaleve 2019. Ajo po vijon procedurat për shkarkimin e tij dhe pret Komisionin e Venecias, të cilit i është drejtuar zyrtarisht, të vijë në shtatot në Tiranë për mbledhur fakte dhe dhënë opinionin e tij, nëse dekreti i Metës përbën ose jo shkelje të Kushtetutës.
Gjykata Kushtetuese ҫelësi i munguar për zgjidhjen e krizës
Opinioni i Komisionit të Venecias do të ketë ndikim mbi vendimin që do të marrë parlamenti për shkarkimin e Metës. Por fjalën e fundit dhe vendimin e jep Gjykata Kushtetuese, e cila prej dy vitesh nuk funksionon. Ende nuk janë miratuar kandidaturat e përzgjedhura për katër vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, pasi ata duhet të kalojnë të gjitha fazat e vettingut, proces që e shtyn ngritjen e Gjykatës Kushtezuese për një kohë të pacaktuar në vjeshtë.
Duket se Gjykata Kushtetuese është ҫelësi i zgjidhjes së krizës në Shqipëri. Mungesa e saj e ka lënë sistemin politik jashtë kontrollit dhe balancave të institucioneve dhe pushteteve.
Ndërkombëtarët: Topi në fushën e institucioneve vendase
Faktori ndërkombëtar i njeh si legjitime rezultatet e Lokaleve 2019 të 30 qershorit. Më shumë se interesi i zgjedhësve dhe pamundësia e tyre për të patur në zgjedhje alternativa politike nga bojkoti i opozitës duket se peshon për faktorin ndërkombëtar fakti që ato u zhvilluan qetë dhe pa incidente.
Për përsëritjen e ose jo të Lokaleve 2019, ky faktor nuk po ndërhyn por u drejton me këmbëngulje palëve thirrjen për t’u ulur në tryezën e bisedimeve. Për BE, SHBA,OSBE / ODIHR-i vendimi mbetet për t’u marrë nga autoritetet dhe institucionet vendase. Por për sa kohë institucione kyҫ, si Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë nuk funksiononjnë, kriza politike ka gjasa të thellohet dhe të ulë në minimum shanset e një vendimi pozitiv për hapjen e negociatave në tetor.