Radio gjermane: Mandat i fortë, përgjegjësi e qartë
Edi Rama ia doli të marrë një shumicë të konsiderueshme, sipas rezultateve të deritanishme. Socialistët janë me shumë gjasa fituesit e këtyre zgjedhjeve, por Rama tani duhet të bëjë realitet premtimet për reforma.
Edi Rama është qartë fituesi i këtyre zgjedhjeve, sipas rezultateve të deritanishme. Kryeministri i deritanishëm ia doli që të marrë një rezultat të shkëlqyer për socialistët, Partia Demokratike në opozitë duket se ka humbur rëndë. Nëse konfirmohen zyrtarisht rezultatet e deritanishme, Rama nuk ka nevojë më as për partner koalicioni. Pas katër vitesh qeverisjeje, shqiptarët ia dhanë atij sërish besimin, madje me një mazhorancë të konsiderueshme. Ata duket se i besojnë atij si njeriut që do të çojë përpara Shqipërinë. Ai është lideri që qëndron për forcën këmbëngulëse dhe modernizimin – një kombinim ky që me sa duket në Shqipëri ka efekt ndikues.
Stili i Ramës
Rama ia doli sërish që ta inskenojë me sukses këtë imazh – përmes një kombinimi të dimensionit folklorik shqiptar dhe atij kozmopolitan europian. Ai di të luajë bukur e çlirët si në tastierën e nostalgjive të bashkëkombasve të tij ashtu edhe në atë të partnerëve europianë dhe vendeve donatore. Ky stil zë vend dhe zgjon pritshmëri. Tani Rama duhet të provojë që Shqipërinë mund ta “çojë drejt Europës”.
Detyrat para tij dhe qeverisë së tij janë të vështira: Shumë shtyrje ka pasur, sepse në muajt e vitet e fundit partitë bllokonin njëra-tjetrën. Tani Rama praktikisht ka dorë të lirë të jetësojë reformat. E kjo është më se e nevojshme: Korrupsioni në vend, droga, varfëria e paralizojnë Shqipërinë. mijëra vetë kanë gati valixhet për të kërkuar një shans në Europë, sepse nuk shohin ndonjë perspektivë në Shqipëri. Në mënyrë paradoksale ata i dhanë votën Ramës e një shans të ri.
Lista e prioriteteve të qeverisë së re është e gjatë, por e qartë: Reforma në drejtësi, reforma ekonomike, lufta kundër nepotizmit, kundër kanabisit -si edhe një politikë e vendosur kundër ekstremizmit fetar.
Kujdes me deklaratat ndaj fqinjëve
Këto janë edhe kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare, të BE për Shqipërinë, vend kandidat për në BE nga viti 2014. BE, veçanërisht Gjermania e kanë mbështetur masivisht Shqipërinë në këto vite. Përkundër disa fqinjëve ballkanikë, Shqipëria nuk e ka humbur ende forcën e saj të rrezatimit. As Rama nuk e humbur ende besimin e partnerëve. Premisa të mira që Rama do duhej t’i shfrytëzonte mirë në muajt e vitet e ardhshëm.
Para së gjithash ai duhet të përqëndrohet në problemet brenda vendit. Në muajt e shkuar Rama u prononcua disa herë me deklarata mbi çështjet e popullsisë shqiptare në Maqedoni dhe Kosovë duke irrituar partnerët europianë. Kjo është e rrezikshme – por u shpjegua edhe në plan ndërkombëtar si taktikë zgjedhore. Por nuk ka më “pardon” në të ardhmen për këtë!
Rama ka shumë për të bërë në vendin e tij. Shqipëria i ka të gjitha shanset të dalë nga këndi i vendit problematik dhe të kthehet në një vend shembullor në Ballkan. Për këtë nevojiet një politikë pragmatike bazuar në parimet e shtetit ligjor- vetëm kështu ekonomia do të rigjenerohet ngadalë dhe njerëzit do të shohin të ardhmen në vendin e tyre.
Pjesëmarrje e ulët në votime
Votimet u zhvilluan habitshëm në mënyrë të qetë dhe pa probleme të mëdha – gjë që vlen të theksohet, por të kujtosh përplasjet e brendshme politike dhe bojkotimin me javë të parlamentit. Por pjesëmarrja në votime ishte e ulët. Sigurisht këtu luajtën rol festimet e Bajramit dhe temperaturat e nxehta. Por ka shumë pakënaqësi ndaj politikës, ka shumë zhgënjim mes atyre që e ndjejnë veten të braktisur. E në fund por jo e fundit, – një arsye tjetër janë edhe listat zgjedhore të vjetëruara, ku gjendjen edhe persona që ndërkohë kanë ndërruar jetë. Këtu qeveria duhet menjëherë të vendosë rregull -sepse me regjistrat e votuesve u kryen manipulime masive në vitet e shkuara. Pozitive është sipas vëzhguesve zgjedhorë që nuk ka pasur manipulime flagrante!
Opozita konstruktive – gati për monitorim
Ndërsa partitë e opozitës duhet të tani shërojnë plagët dhe të përgatiten për një politikë të shpejtë opozitare përmbajtësore dhe të fuqishme. Edhe në këtë drejtim zgjedhjet e 25 qershorit mund të shihen si një fillim i ri. Demokracia ka nevojë për një opozitë konstruktive, sidomos në këtë moment reformash të rëndësishme në Shqipëri, po ashtu një opozitë që të kryejë funksionin demokratik të kontrollit tek socialistët kaq të fuqishëm. Edhe në këtë pikë do të matet aftësia europiane e Shqipërisë: nëse do t’ia dalë të kryejë reformat e dhimbshme, nëse do të funksionojë dialogu me opozitën, por edhe mes kryeministrit Rama dhe presidentit të ri, Ilir Meta që merr postin më 24 korrik. Deri dje ata ishin armiq të fortë në fushatën elektorale.
Tani ata duhet të demonstrojnë me ndarjen e re të roleve, se si do të funksionojnë institucionet demokratike, edhe nëse në krye të tyre qëndrojnë kundërshtarët e dikurshëm. Qytetarëve të Shqipërisë do të doje t’u uroje suksesin!
Shtypi gjerman: Fitorja e Edi Ramës
Artisti me dorë të mirë edhe në politikë – Fitorja sipas të gjitha gjasave e Edi Ramës në zgjedhjet e 25 qershorit trajtohet të martën gjerësisht në shtypin gjermanofon.
Nën titullin “Artisti me dorë të mirë edhe për politikën” – gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung”vëren se tendenca që ka Rama të thyejë tabu mund t’i japë impulse të reja Ballkanit. Edi Rama, i jep rëndësi faktit, që të perceptohet si jo-konformist, vëren NZZ, “dhe ky nuk është gjest mashtrimi. Sepse Rama nuk është vetëm politikan i suksesshëm, por edhe artist…kur vjen puna tek politika, Rama është zanatçi. Ai bën koalicione, largon kundërshtarët nga partia, dhe e lustron imazhin e tij publik. Rama ka karizëm si orator, sharmi dhe batutat e tij bëjnë të mundur të durohet egoja e madhe e tij.”
Gazeta zvicerane i kushton vëmendje edhe politikës së Ramës në rajon. “Rama dhe Vuçiç konkurrojnë për vëmendjen e kancelares gjermane, Angela Merkel…pasi Vuçiç ka marrë shumë mbështetje nga Berlini për reformat ekonomike dhe politikën paqësore, Rama u ndje me sa duket i anashkaluar. Në prill ai u ankua për dezinteresimin e Brukselit ndaj Ballkanit Perëndimor dhe paralajmëroi, se herët a vonë kjo mund të çojë në përplasje të rrezikshme. Por qe se këto vende nuk pranohen në BE, atëherë nuk përjashtohen “Unionet e vogla”, filluar me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Siç pritej deklarata shkaktoi indinjatë në Beograd.”
Sipas NZZ, “dinamika mes Ramës dhe Vuçiç mund të shfrytëzohet edhe në mënyrë konstruktive… Një marrëdhënie e mirë mes Tiranës dhe Beogradit mund të ndihmojë që të rifillojnë bisedimet e ngecura me Serbisë dhe Kosovës. Fitorja e Ramës në këtë kuptim nuk është një shans vetëm për Shqipërinë.”
Ndërsa “Berliner Zeitung” nën titullin “Një piktor fiton zgjedhjet në Shqipëri” thekson, se “jo vetëm Shqipëria e izoluar kaq gjatë është ekzotike për europianët, por edhe Edi Rama, kryeministri i vjetër dhe i ri, mund të quhet ekstravagant, ndoshta edhe ekscentrik”. Pas nënvizimit të karrierës së Ramës jo vetëm si basketbollist, por edhe si kryebashkiak i Tiranës, “Berliner Zeitung” nënvizon se “Rama duhet të tregojë tani se mund t’i çojë 2,9 milionë banorët e shtetit shqiptar drejt një mirëqenie më të mirë dhe drejtësie sociale.”
“Frankurter Allgemeine Zeitung” e vë theksin tek numri i ulët i pjesëmarrjes në votime dhe tek shkeljet që janë konstatuar nga OSBE/ODHIR…”Ka pasur rastet e njohura të blerjes së votave apo kërcënimeve. Ka pasur raportime për sulme të aktivistëve socialistë ndaj përkrahësve të Ilir Metës, presidentit shqiptar dhe ish-kreut të LSI-së…Rama ia doli t’ia hiqte LSI-së rolin e “mbretëvënësit” -(kingmaker)pas koalicioneve të saj qeverisëse njëherë me demokratët dhe më pas me socialistët.”
Edhe “Süddeutsche Zeitung” i kushton vëmendje zhvillimeve në Shqipëri. Socialistët nën kryeministrin Rama i fituan zgjedhjet parlamentare të së dielës, por “Süddeutsche Zeitung” vëren, se “27 vite pas rrëzimit të komunizmit stalinist, qytetarët ishin dukshëm të zhgënjyer nga partitë në shtetin ballkanik.” Ndërsa gazeta “tageszeitung” nënvizon, se “që kryeministri Edi Rama me partinë socialiste do të fitonte zgjedhjet parlamentare, kjo ishte parashikuar në javët e shkuara. Por që ai do të fitonte shumicën absolute, kjo është surprizuese.”