Rakip Suli thyen derën e bashkisë me kaçavidë, ndryshon karrigen e Mziut

Socialisti Rakip Suli është betuar si kryebashkiak i bashkisë së Kamzës. Suli e ka kryer betimin në ambientet e shkollës “Ibrahim Rugova”, kjo pasi kryebashkiaku në largim Xhelal Mziu nuk ka liruar ende zyrën. Ndërkohë para Bashkisë janë mbledhur një grup qytetarësh, mbështetës të Partisë Demokratike të cilët i janë përgjigjur thirrjes së kryebashkiakut në ikje Xhelal Mziut dhe kanë bllokuar derën e bashkisë së Kamzës.

Mbështetës të Mziut janë shprehur se nuk e njohin Sulin si kryebashkiak, ndërkohë që Mziu qëndroi në zyrë deri në përfundim të orarit zyrtar.

Por, pavarësisht kësaj, ashtu si ka ndodhur dhe në bashkitë e tjera të djathta, pas përfundimit të orarit zyrtar, njerëz të armatosur me kaçavida dhe të nxitur nga socialistët, kanë shpërthyer derën e institucionit duke u futur brenda ambienteve të Bashkisë.

Rakip Suli ka hyrë vetëm pasdite në bashkinë e Kamzës si kryetar i dalë nga votimet e 30 qershorit, pas 12 vitesh që kjo bashki drejtohej nga Xhelal Mziu i Partisë Demokratike.

Dera e jashtme e godinës është thyer pasi ishte mbyllur nga administrata e mëparshme. Si për të treguar forcën, rreth godinës ishin mbledhur mbështetës të Sulit, të cilët e kanë shoqëruar deri brenda.

Dhe sapo ka marrë detyrën, kryebashkiaku i ri i Kamzës, Rakip Suli gjënë e parë që ka bërë sapo ka hyrë në zyrë ka ndryshuar karrigen.

Ndryshimi i karrigeve

Siç shihej nga pamjet, ish-kryebashkiaku Xhelal Mziu e kishte boshatisur tërësisht zyrën e tij. Para se të ulej në karrigen e kryetarit, Suli u zotua se do iu shërbejë qytetarëve, të cilëve iu ka munguar shërbimi nga bashkia e Mziut.

Ai tha se iu shërbejë të majtëve e të djathtëve. Në fjalën e tij, Suli ka deklaruar se tre janë detyrat kryesore që do të bëjë.

“Unë do jem kryebashkiak për të gjithë kryebashkiakët e kamzës, me apo pa parti. Puna e parë që do nis është për fillimin e ri shkollor. E dyta pastrimi, që është një problem madhor. E treta vënia e administratës në shërbim të njerëzve”, u shpreh Rakip Suli.

SHKARKO APP