“Rama 2”, bie premtimi për shëndetësi falas, shtohet premtimi për koncesione

Një pjesë e konsiderueshme e shërbimit shëndetësor në Shqipëri blihet me para drejtpërsëdrejti nga qytetarët, programi i qeverisë “Rama 2” duket se heq dorë nga premtimi i katër viteve më parë për “shërbim shëndetësor falas”, pretendon përmirësim dhe argumenton se “shëndetësia falas” është një “objektiv i një mandati madhor afatgjatë”. Programi premton gjithashtu koncesione të reja në sektorin e shëndetësisë.

Nga Gjergj Erebara (BIRN)

Programi i qeverisë “Rama 2”, i cili u miratua në Kuvendin e Shqipërisë orët e vona të së martës me 78 vota pro dhe që u publikua nga Kuvendi i Shqipërisë vetëm të mërkurën në mëngjes, tregon se qeveria nuk e sheh si të mundshme realizimin e njërit prej premtimeve kryesore të katër viteve më parë, shëndetësinë falas, por pretendon se gjendja është përmirësuar gjatë katër viteve të fundit.

Ndryshe nga sa qe premtuar katër vite më parë për shëndetësi falas, programi i ri i qeverisë pranon se mbi gjysmat e shpenzimeve të shqiptarëve për shëndetësi janë drejtpërsëdrejti nga xhepi i njerëzve dhe jo nga sistemi i taksimit dhe se mbi 600 mijë shqiptarë janë aktualisht jashtë skemës kombëtare të sigurimit të detyrueshëm shëndetësor.

“Për ne shëndeti mbetet një e mirë publike, prandaj financimi publik për kujdesin shëndetësor synohet të arrijë 60-65% të shpenzimeve totale të shqiptarëve për shëndetësinë (e gjetëm 43% në 2013), duke siguruar që asnjë familje shqiptare të mos bjerë në varfëri për shkak të pagesës për kujdes shëndetësor”, thuhet në programin e qeverisë.

Të dhënat e qeverisë për shpenzimet e shqiptarëve duket se nuk mbështeten në fakte. Sipas databazës së Bankës Botërore, [link] shpenzimet nga xhepi të shqiptarëve për shërbimin shëndetësor janë luhatur nga 49 në 50 për qind të të gjitha shpenzimeve kombëtare për shëndetësinë nga viti 2011 deri në vitin 2014. Në këto të dhëna nuk thuhet, siç pretendohet nga programi i qeverisë, se në 2013, shpenzimet nga taksat për shëndetësinë zinin vetëm 43% të totalit dhe nuk flitet për ndonjë përmirësim të këtij treguesi për vitet që pasuan. BB nuk jep të dhëna për vitet 2015 e 2016. Sipas këtyre të dhënave, shpenzimet nga xhepi të shqiptarëve janë më të lartat në të gjithë kontinentin Europian, dhe me një distancë të largët edhe nga vendet e rajonit si Serbia, Bosnja apo Mali i Zi. Problemi me shpenzimet e qytetarëve nga xhepi për shërbim shëndetësor nuk qëndron thjeshtë që një pjesë e qytetarëve detyrohen të paguajnë për t’u shëruar pavarësisht nëse kanë apo jo para për të paguar, por te fakti tjetër, që sipas studimeve të ndryshme, janë pikërisht qytetarët më të varfër ata që detyrohen të paguajnë në krahasim me qytetarët e pasur, të cilët mund t’i shpëtojnë pagesave nën dorë për shkak të njohjeve dhe lidhjeve.

Qeveria pretendon gjithashtu se politikat e saj “kanë ulur çmimin e barnave me 30%”, pretendim që nuk mbështetet me ndonjë studim konkret, apo se “cilësia e barnave nuk është ulur” gjatë katër viteve të fundit, kur ilaçet e prodhuara nga kompanitë shqiptare u bënë zgjedhja e parë në shërbimin shëndetësor pavarësisht se  një pjesë e konsiderueshme e mjekëve argumentojnë kundër përdorimit të tyre si ilaçe jocilësore.

Më shumë koncesione në vend të shëndetësisë falas

Programi i qeverisë nuk premton shëndetësi falas, por krahas kësaj, mburret me koncesionet e dhëna deri tani si dhe premton se do të japë edhe më shumë koncesione në katër vitet e ardhshme. Në një dokument reklamë mbi programin e qeverisë të quajtur “Manifest 2017-2021”, dhe të publikuar në faqen e internetit të Partisë Socialiste, [link] qeveria pretendon se “1.3 milionë shqiptarë përfitojnë kontroll bazë shëndetësor pa pagesë”. Ky pretendim rezulton i pasaktë, pasi i ashtuquajturi Check Up falas, kërkohet dhe përfitohet aktualisht nga një numër shumë më i vogël shqiptarësh.

Pavarësisht kësaj, qeveria premton shumë më tepër koncesione të tilla.

Në programin e qeverisë thuhet: “Projektet e investimeve në shëndetësi do të zgjerohen me vepra të reja të infrastrukturës spitalore, duke shfrytëzuar financimet publike dhe partneritetin publik privat. Vëmendje do t’u kushtohet qendrave spitalore universitare dhe spitaleve rajonale. Brenda vitit 2020 me anë të PPP do të ndërtohet spitali rajonal i Fierit si qendër ekselence shërbimesh për qytetarët. Brenda vitit 2021 do të ndërtohen 8 qendra të reja shëndetsore”.

Motoja e qeverisë për sektorin e shëndetësisë për katër vitet e ardhshme do të jetë: “shëndet për të gjithë”.

Marrë nga BIRN

SHKARKO APP