Rama apel Bashës: Hajde e bisedojmë i dashur Luli për tërmetin dhe idetë tuaja!
Kryeministri Edi Rama, pas gati një viti që nuk njeh opozitën reale të vendit, sot u ka bërë thirrje krerëve të saj për t’u ulur në tryezë për të diskutuar për pasojat e tërmetit dhe daljen nga situata në të cilën ndodhet vendi.
“U bëj apel forcave opozitare të ulemi pa humbur kohë në tryezë për të dëgjuar idetë dhe propozimet e tyre konkrete. Në këto rrethana të jashtëzakonshme duhet mbiprodhim energjish pozitive për fatkeqët që kanë humbur gjithçka e mbarë popullin që meriton përkujdesje psikologjike”,- shkruan Edi Rama në Facebook.
Ftesa e Edi Ramës i drejtohet Lulzim Bashës, teksa e ka bërë dhe tag në Facebook. “Lulzim Basha është koha e bashkimit konkret sepse vetëpërmbajtja në fjalor, sado e mirëseardhur është krejt e pamjaftueshme! Të ulemi për shqiptarët dhe t’u japim mesazhin e qetësisë, durimit, sigurisë se askush nuk do të jetë vetëm në këtë luftë për mbijetesë! Unë jam gati!
Për çdo gjë ka një kohë nën këtë qiell; një kohë me lind e një kohë me vdek; një kohë me i mbledh e një kohë me i largu gurët; një kohë me rrëzu e një kohë me ngrit; një kohë me fitu e një kohë me hum; një kohë me u luftu e një kohë me u paqtu..Kjo është koha me u ftillu #PërNjerëzit”,- shkruan Edi Rama.
Që pas tragjedisë opozita ka ndihmuar banorët dhe është përpjekur të mos e politizojë situatën tragjike. Ndërkohë tragjedia ka përgjegjësi konkrete dhe pasojat e numrit të viktimave mund të ishin më të vogla nëse institucionet do të kishin funksionuar normalisht.
Opozita duhet të kërkojë llogari për shkaqet e rënda të kësaj tragjedie. Për paaftësinë e qeverisë në menaxhimin e situatës aktuale dhe për përgjegjësinë direkte që institucionet dhe kryebashkiakët kanë në lejimin e ndërtimeve pa standarde në Durrës dhe zonat e tjera.
Koha është për bashkim, por pikëpari për përgjegjsitë e sejcilit dhe kryepërgjegjsit të ikin nga skena politike. Bashkimi nuk duhet të ndodhë për ta shpëtuar qeverinë, e aq më keq me duart e opozitës.
U bëj apel forcave opozitare të ulemi pa humbur kohë në tryezë për të dëgjuar idetë dhe propozimet e tyre konkrete🙏Në këto rrethana të jashtëzakonshme duhet mbiprodhim energjish pozitive për fatkeqët që kanë humbur gjithçka e mbarë popullin që meriton përkujdesje psikologjike🤗
— Edi Rama (@ediramaal) November 30, 2019