Kryeministri Rama:Asnjë tërheqje nga vendimi për mbylljen e basteve sportive

Edi Rama u shpreh sot në parlament se mbetet i vendosur në mbylljen e çdo pike basti sportiv dhe kazinove. Ai shtoi se kazinotë do jenë vetëm në hotelet me 5 yje dhe larg qendrave të banuara.

Kryeministri Edi Rama, nga foltorja e Kuvendit, shprehu keqardhjen e tij për faktin se “mbyllja e kazinove elektronike dhe basteve sportive ka kthyer deputetët në shënjestër”.

Thonë se do të ketë monopol shtetëror të basteve, por ju them që personalisht jam kundër kësaj. Gjithsesi, do të ketë diskutime të mëtejshme. Por, në 1 janar nuk do të ketë asnjë lloj basti në asnjë zonë të banuar. Është spekuluar për spostim në periferi, por jo. Kazino do të ketë vetëm në resorte me 5 yje, në zona të definuara me vendim të qeverisë. Asnjë lëshim në asnjë hapësirë tjetër. Është fatkeqësi që ata që sot mungojnë këtu (opozita) janë në krye të atyre që po luftojnë dhe po agresojnë deputetët e mazhorancës me mesazhe”, deklaroi Rama.

“Edhe atyre që janë të sëmurë nga marrëdhënie me fatin u japim një dhuratë të shumëpritur dhe terapeutikisht të domosdoshme me rastin e vitit të ri, mbylljen e kazinove, basteve sportive, që nga ndeshjet e futbollit deri te garat e çdo lloj katërkëmbëshi të faunës botërore dhe të basteve online.

Në 1 janar nuk ka më asnjë lloj basti, kazino elektronike në asnjë zonë të banuar. Janë bërë spekulime edhe me kazinotë elektronike, nuk ka asnjë spostim në periferi, ato do të jenë të mundura vetëm për hotelet dhe resortet me 5 yje në zonat e definuara me VKM dhe autoriteteve përkatëse, si zona turistike.

Lideri legjendar i PD ka marrë anën e basteve duke e vënë tabelën e tij të fletërrufeve dixhitale në dispozicion të shpifësve dhe fushatës shpifjesh që organizohet nga krimi i organizuar që financon një pjesë të madhe të kësaj veprimtarie.

Qysh kur nisëm ndarjen nga tepsia kemi nisur dhe punën për t’i dhënë fund kësaj beteje, të vështirë dhe gjatë të cilës kemi pasur dhe ne dështimin tonë kur nuk arritëm dot në këtë sallë t’i japim fund kazinove elektronike, por vetëm të shtyjmë afatet për mbylljen e tyre për fundin e këtij viti.

Ne dimë më tepër se kaq për këtë ofensive, për lodhjet e atyre që shkojnë banak më banak për të kundërshtuar në mënyrë hileqare këtë masë, duke e fokusuar sulmin tek medemek një monopol online, por që janë të lidhur direkt me interesat që kulmojnë në qelitë e burgut të sigurisë së lartë në Tiranë”- shtoi kryeministri në fjalën e tij.

Parlamenti miratoi me votat e deputetëve të mazhorancës, 74,  hyrjen me procedurë të përshpejtuar ndryshimet në ligjin për lojërat e fatit. Projekti pritet të diskutohet këtë javë në Kuvend dhe të hidhet për votim në seancën e radhës.

SHKARKO APP