Rama-Basha, çfarë vrapi për t’u vrarë më 30 qershor!

Nga Nikoll Lesi 

Tashmë fushata elektorale për zgjedhjet vendore të datës 30 qershor ka filluar. Edi Rama nuk pranoi asnjë negociatë. Palët politike duhet të zbresin në tapetin e përballjes, ballë për ballë. Nga ana tjetër, Lulzim Basha duket më i vendosur se kurrë për të mos lejuar Ramën që të zhvillojë zgjedhjet farsë më 30 qershor.

Edi Rama ka filluar t’i shkruajë fjalimet që do të lexojë, çka do të thotë se e ka ndarë mendjen fort për ta provuar kokën e tij me kokën e Bashës dhe të popullit opozitar.

Ndërkohë, për çudi, vijnë të huaj, flasin të huaj, nxjerrin trakte ambasadat kundër protestës, por asnjë nuk merr inisiativën për t’i ulur palët, njëherë e mirë, që të bien dakord se duhet ndryshuar krejtësisht ky sistem politik i kalbur. Por ndryshimi kërkon NEGOCIATOR.

Dhe si për dreq, ne shqiptarët, besojmë më shumë të huajt se sa veten tonë!

Ndërkohë të huajt janë të zhytur në hallet e tyre europiane dhe amerikane. Janë të lodhur dhe të mërzitur nga ricklimi i krizave shqiptare. Në vitin 1997, në vitin 1998, prapë në vitin 2006, në vitin 2017 dhe përsëri në vitin 2019. Kriza që nuk ndalojnë edhe nëse 30 qershori do të shtyhet.

Ka nevojë që palët të ulen, seriozisht. Jo për të kaluar krizën e radhës, por për të gjetur një zgjidhje afatgjatë për Shqipërinë.

Duhet reformuar gjithçka ose pothuaj gjithçka. Duhet prekur Kushtetuta dhe ajo nuk mund të bëhet me ato deputetë “opozitarë” sehirxhinjë apo si quhen “deputetët e pilafit”. Duhet ndryshuar sistemi zgjedhor, në mazhoritar apo mazhoritar-proporcional. Edhe proporcional kombëtar. Presidenti duhet të zgjidhet nga populli. Prokurori i Përgjithshëm të zgjidhet me 2/3 e votave dhe jo me 71 apo me shumicën e thjeshtë të numrit 71 deputetë. Duhen dy dhoma, e parlamentit dhe Senati. Nëse lajthit njëri nuk mund të lajthis edhe tjetri!

Duhet që qeveria tranzitore të jetë në Kushtetutë, të paktën për 30 vite derisa të kulturohemi si politikë, e cila të ketë qeveri tremujore zgjedhore, që të administojë zgjedhjet politike. Pra para zgjedhjeve politike, të ngrihet qeveria e administrimit të zgjedhjeve!

Duhet që, për të mos u përsëritur krizat e forta, të futet në Kushtetutë, që nëse një grupim politik parlamentar largohet nga parlamenti duke i djegur mandatet, të shkrihet si formacion politik me ligj.

Duhet të ndryshohen shumë gjëra njëherë e mirë!

Por, që të shkohet në këtë ulje, për të shpëtuar vendin dhe rregulluar shtetin e kombin shqiptar, palët të ulen në tavolinë.

Me apo ndërkombëtar ndërmjetës, kjo varet nëse Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë akoma dëshirën se mund ta bëjnë Shqipërinë.

Por që të shkohet atje, ku të gjithë presim dhe ku Presidenti të jetë rregullatori numër një i kësaj tryeze kombëtare, duhet që kryeministri të bëjë hapin e madh pas, për shtetin.

Fatkqësisht duket se nuk do, dhe nuk duan! Me sa shikoj data 8 qershor do jetë ditë e vështirë për vendin, pasi Basha paralajmëroi se “iku koha e fjalëve, tani do veprojë populli”.

Po shkojmë, për dreq, me vrap e me dëshirë drejt përplasjes më 30 qershor.

SHKARKO APP