A do të bëhen publike përgjimet e bisedave dhe sms, të dyshes Basha-Rama?
Tashmë nuk ka asnjë diskutim, i cili mund të vërë në dyshim se pakti Rama-Basha është thurur mes një dashurie materiale. Më saktë, nga ndarja e tortës së pushtetit dhe parave që rrjedhin nga postet. Ata kanë zgjedhur që, më mirë ta ndajnë Shqipërinë në copa torte, sesa të zihen dhe shamatohen. Por që të mbyllin paktin e natës së 17 majit u duhet të zhbëjnë me çdo kusht LSI, PDIU, LIBRA dhe krejt njerëzit e shoqërisë civile e mediatike, të cilët flasin e shkruajnë se mbetet një pazar i pistë. Nuk ka shoqëri demokratike kur opozita shitet dhe fle në krevatin e pushtetit, duke bërë marrëveshjen e radhës se kush hyp e kush zbret në dyshekun e dashurisë politike në këmbim të eurove, si në një bordello të rrugëve të Amsterdamit.
Aq është e blinduar është kjo dashuri interesash, lindur nga makutëria për pushtet, sa edhe ish-kryeministri Berisha nuk linte rast pa sulmuar Edi Ramën, u detyrua që në seancën e fundit të mbronte kryeministrin dhe të ironizonte Ben Blushin. Nuk ka asnjë dyshim për këtë pazar PD-PS, i cili nuk ka asnjë dobi për një shoqëri të lirë demokratike, siç duam të bëhemi si Shqipëri. Dashuria Basha-Rama prodhon mafie, shoqëri të dhunshme pasi vihen të gjitha pushtetet në dorën e një dyshe që ndan tortën në darkë. Kjo realisht do jetë e rrezikshme pas 25 qershorit, nëse shqiptarët nuk ngrihen në masë të madhe të votojnë për gjitha partitë, të cilat janë jashtë këtij pazari. Duhet votë masive kundër pazarit, kundër mafies së re Basha-Rama, e cila do të sjellë për afro dy vite një farë stabiliteti formal, por më pas do plasë si një bombë kamikazi duke shkatërruar shoqërinë dhe normalitetin e jetës. Kur ka dashuri të tilla momentale, pas një krize mendore të dy udhëheqësve kundërshtarë, vjen një moment që të çmendurit nuk e vazhdojnë gjatë dashurinë, sepse zihen dhe rrihen. Dhe… shkatërrojnë krejt vendin.
Nëse vëren me qetësi paktin-pazar Rama-Basha konstaton se tashmë janë bërë bashkë për të mundësuar shkatërrimin e një partie që iu prish netët e dashurisë, sepse ka vota në rritje, sepse mbetet një forcë politike që ka bazën te rinia. Natyrisht që flitet për LSI. Kanë edhe plane kundër PDIU dhe LIBRA. Ndaj PS-PD nuk sulmojnë njëra-tjetrën si dikur, apo për të prishur balancat, por e kanë zbutur duelin dhe gjuajnë me fishekë manovre facebook-u. PD nuk thotë më “kryeministri i drogës”, nuk përmend më asnjë fjalë për kanabisin, sepse u fut në arën e madhe të Ramës dhe po ndan ograjet e saj. Nuk ka më rreziqe për votën, nuk ka më biznesmenë të lidhur me PS, pasi një pjesë iu rikthyen selisë blu në lista dhe me financime.
Nëse shikoni me kujdes mes rreshtave të deklaratave të Bashës dhe Ramës, ka fjalë lakonike dashurie me paksa kripë e thartirë, por goditje direkte, ballore apo kritika të forta, nuk ka më.
Basha dhe Rama rakordojnë me sms dhe flasin orë e çast dhe pritet që një kompani e huaj, e cila thuhet se ka futur në vend një pajisje përgjimi, ndonëse antiligjore, të shpërndajë në një portal të ri, krejt sms dhe bisedat e pas 17 majit mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Jo të Berishës, pasi ai është burrë i mençur dhe e di mirë se si funksionon përgjimi i zyrtarëve të lartë. Ai është ruajtur. Por nga dashuria, Rama dhe Basha kanë harruar se përgjimet tashmë nuk ndalohen teknikisht. Ligjërisht kur të dalin nga një portal, mund të turren pushteti dhe PD për ta dënuar, por do jetë vonë. Nëse portali që flitet se i ka tashmë inçizimet dhe tabulatat e sms-ve do të vendosë t’ia japë publikut, burimet tregojnë se do çuditen krejt demokratët dhe socialistët. Edhe krejt shqiptarët. Një pazar i hapur, deri aty sa lihet të kuptohet se ne të dy e kemi tashmë vendin në dorë për disa dekada.
Në bisedat mes tyre tregohet nga këto burime, flitet se si të fusin mina elektorale LSI, se si duhet të veprohet që Ben Blushi të mos futet në parlament, apo se si Shpëtim Idrizi nuk duhet të jetë prapë në parlament. E shumta thuhet se janë dakord që të futet vetëm një deputet i PDIU në Elbasan.
Inatin dhe panikun me të madh e kanë me LSI, pasi kjo parti u prish planet e tyre të pazarit. Ka edhe plot gjëra të tjerë, ndërkohë që me humor përmendet Gramoz Ruçi që, “po lodhet, por boll ka ngrënë i shkreti”.
Kur do t’i marrë vesh publiku këto sms dhe biseda mes Bashës dhe Ramës? Por nuk do ishte mirë t’i linte për ditën e fundit të zgjedhjeve!