Rama-Basha: Pazari vazhdon
Nga qyteti i Vlorës ku zhvillonte takimin me ministrat e kabinetit të ri qeveritar, Edi Rama gjeti kohën për të çuar disa mesazhe publike edhe në Tiranë. Në një mëngjes pune me gazetarët, kreu i qeverisë nuk harroi të fliste për marrëveshjen me Lulzim Bashën. Rama deklaroi se vazhdonte të mendonte se “Lulzim Basha është djalë i mirë” dhe se shpresonte shumë që marrëveshja e 17 majit të vazhdonte. Natyrisht pse të mos vazhdojë PS-ja, ndërkohë që PD mbeti në opozitë vetëm prej kësaj marrëveshje mesnate.
Kryeministri zbuloi se me Bashën, para zgjedhjeve, kishte rënë dakord që të takoheshin çdo dy muaj ku do të diskutonin për gjëra që kanë të bëjnë me reformat. Gjithashtu, Edi Rama përmendi se bëhet fjalë edhe për ndryshimin e Kushtetutës, Reformën Zgjedhore, ligjin për prokurimin publik dhe disa projekte të tjera që duket se do të mbeten pjesë e pazbardhur e paktit mes tyre. “Është diskutuar për një takim periodik, (me Bashën) që mund të jetë i përdymuajshëm, i përtremuajshëm, s’ka nevojë për të përjavshëm dhe po ashtu është diskutuar për të pasur një qasje të re në kuptimin e çështjeve”,- deklaroi dje Kryeministri. Pra nga pak e përditë Rama po zbulon pjesë nga marrëveshja e fshehtë mes tyre.
Karikaturë që tregon se nga marrëveshja Rama-Basha, populli do fitojë atë pjesën e ngritur të pirunit
Në komentin e tij, Rama e mori në mbrojtje Lulzim Bashën nga sulmet që i kanë bërë politikanë me peshë në Partinë Demokratike për marrëveshjen e 17 majit. Ai tha se ajo që bëri Basha nuk ishte një tradhti ndaj PD. Në fakt, Kryeministri Edi Rama nuk mund të ketë vlerësim tjetër për kundërshtarin që i dha fitoren, i legjitimoi zgjedhjet dhe i ka premtuar votat për reformat më të rëndësishme të 4-vjeçarit të dytë. Edi Rama është i qartë në atë që deklaron këto ditë duke i kërkuar Lulzim Bashës vazhdimin e marrëveshjes. Në javën e fundit, dy herë, në Asamblenë e PS dhe dje nga Vlora i kujton Bashës se duhet të vazhdojnë marrëveshjen, që shumë veta në PD e quajnë pazar. Për kryeministri Edi Rama, linja me Bashën vazhdon dhe duket se nuk sheh arsye përse të mos këtë më bashkëpunim. Rama po e mbron Bashën, edhe nga kundërshtarët brenda partisë, por dhe nga zhvillimet brenda kampit të opozitës, duke anashkaluar gjithmonë peshën e LSI si forcë opozitare. Nga kjo gjë përfiton vetëm Edi Rama. Me shumë hile dhe djallëzi kryeministri vlerësoi rolin e PD-së si opozitë, por i duhet një opozitë e tillë e blerë dhe të cilën e sjellë nëpër duar si të dojë. Me LSI e di se do ta ketë fort përballë dhe do ti krijojë shumë probleme gjatë qeverisjes.
Lulzim Basha nuk ka folur direkt për pazarin me Edi Ramën, që pas humbjes turpëruese në zgjedhje. Basha nuk është distancuar qartë nga pazari i 17 majit dhe nuk e ka denoncuar Edi Ramën për zgjedhjet. Edhe pse ministrat e tij teknikë hartuan një raport për problemet e zgjedhjeve, në fund faji hidhej te policia, të ministritë, apo të Sekretari i Përgjithshëm që nuk u dha fonde për ushtrimin e detyrës. Ndërkohë që thelbi i problemeve gjatë zgjedhjeve ishte pikërisht pazari Rama-Basha. Denoncimi i zgjedhjeve nis pikërisht nga ky pazar. Më pas vijnë blerja e votave, manipulimet dhe problemet e tjera të zgjedhjeve, që Basha i dinte dhe pa i patur ministrat e tij në qeverinë e Ramës.
E çuditshme është sjella e PD dhe Bashës pas humbjes së zgjedhjeve dhe pas krijimit të qeverisë së re të Edi Ramës. Gjithë përvoja e hidhur me Edi Ramën duhet t’i kishte shërbyer Bashës për të ndërtuar një strategji tjetër opozitare. Në fakt, në këto muaj PD po sillet njëlloj sikur nuk ka ndodhur asgjë. Deklaron se do bëj opozitë të fortë frontale ndaj Edi Ramës, ndërkohë ka një javë që merret me emrat e ministrave dhe nuk përmend Edi Ramën. Deklaron se do kundërshtonte nismat dhe projektet e Qeverisë që dëmtojnë shqiptarët, ndërkohë pas 27 vjetësh kujtohet të sjellë si temë kryesore për PD antikomunizmin. Edi Ramën nuk e sulmojnë fort si PD. Pra diçka luhet akoma në kurriz të demokratëve, pasi pazari vazhdon.
Edi Rama mbetet më i sinqertë; thotë se marrëveshja është në fuqi, kurse kryetari i PD-së fshihet e struket nga qendrimi i prerë në raport me shefin e mazhorancës.
Nëse mbetet në fuqi ky pazar, demokratët duhet të llogarisin ose krijimin e një partie tjetër demokratike, ose ta ndajnë mendjen për opozitë të gjatë.
Qamil Xhani
Makina e transportit ku kanë hypur Rama dhe Basha për të zbatuar marrëveshjen