Rama-Basha, deputetëve: Në sallën e parlamentit te betimi i Presidentit!
Sot në ora 18.00 Presidenti i zgjedhur i Republikës, Ilir Meta betohet në Kuvend. Më pas në ora 19.30 në presidencë zhvillohet ceremonia e marrjes së detyrës së lartë të Kryetarit të shtetit shqiptar. Në ceremoninë e marrjes së detyrës së Presidentit të Republikës janë të ftuar, me një protokoll të veçantë e strikt personalitete të shtetit, politikës, medias, shoqerisë civile, institucioneve të pavarura, medias, biznesit dhe kulturës. Natyrisht dhe krejt trupi diplomatik në Shqipëri.
Salla e Kuvendit, sheshi përpara saj, por dhe rruga e cila ishte me pllaka të dëmtuara është rikonstruktuar nga një prej ndërmarrjeve të Bashkisë së Tiranes me urdhër të posaçëm të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Ndërkaq, vëmendje i është kushtuar dhe gjelbërimit përreth sallës së seancave plenare, ku sot në orën 18:00 të së hënës pritet të zhvillohet edhe ceremonia e betimit të Ilir Metës.
Pas kësaj, në orën 19:00, Presidenti i sapobetuar do të drejtohet për në Presidencë, ku edhe atje janë duke u bërë përgatitjet e fundit për të pritur të gjithë të ftuarit që do të jenë në ceremoni.
Mësohet se fillimisht Ilir Meta do të pritet në zyrë nga Presidenti në detyrë, Bujar Nishani. Më pas të dy do të dalin në sheshin përpara Presidencës, ku zotit Ilir Meta, përpara fjalimit të tij do t’i dorëzohet Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.
Gjatë kësaj ceremonie, Meta do të jetë i shoqëruar nga vajza e tij, e jo nga bashkëshortja Monika Kryemadhi, e cila e ka bërë të ditur këtë vendim që në momentin kur Meta u votua si President në Parlament.
Pas fjalës që do të mbajë Presidenti i ri, ai në mënyrë simbolike do të përcjellë paraardhësin Bujar Nishani, moment ky që pasohet nga ceremonia zyrtare me parakalimin e forcave të Gardës së Republikës dhe 21 të shtënat me top.
Mësohet se Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë urdhër të prerë deputetëve të tyre që të jenë në sallën e Kuvendit sot në ora 18.00 kur të betohet Presidenti Ilir Meta.
I pyetur nga “Koha Jone” lideri i opozitës Lulzim Basha tha se do jetë edhe personalisht në ceremoninë zyrtare të marrjes së detyrës së Presidentit të Republikës. Po kështu edhe “shtylla kurrizore” e PS-së Gramoz Ruçi pohoi për “Koha jone” se do jemi të gjithë deputetët e PS-së në sallë sot në ora 18.00. Bile është dhënë urdhër i prerë nga kryeministri Rama për një ngjarje të tillë, theksoi Ruçi.
Në sallën e Kuvendit do të jenë deputetët e gjithë partive si PS, PD, LSI, PR, PBDNJ, PDIU, PAA, PDK, LZHK.
Mësohet se Edi Rama, Lulzim Basha dhe Sali Berisha do jenë edhe në presidencë kur merr zyrtarisht detyrën Presidenti i Republikës, Ilir Meta.