Rama dhe Berisha, sherr për ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani
Kryeministri Edi Rama dhe ish-kryeministri Sali Berisha kanë replikuar sot në Kuvend për reformën në drejtësi.
Ish-Kryeministri Berisha ka akuzuar Kryeministrin Rama se po bllokon reformën në drejtësi dhe ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, e për këtë fakt, sipas Berishës, po përdor justifikimin se nuk e lejon ministri i Drejtësisë Ylli Manjani.
Sipas ish-Kryeministrit, ky nuk mund të përdoret si justifikimin, pasi nëse merr urdhra nga ministri, atëherë Rama nuk do të ishte Kryeministër.
“Një problem madhor ësntë reforma e drejtësisë sepse sot është dita që të hiqet maska, se njeriu që bllokon reformën është Edi Rama. Njeri që saboton reformën në drejtësi është Edi Rama, dhe këtë ja u them me fakte të pakundërshtueshme, mashtron. U thotë njerëzve që do bëjë reformën me 64 vota. Njeriu që mban peng Byronë e Hetimit është Edi Rama dhe thotë që ma bllokon Ylli Manjani, Manjani thotë atë që ka thënë Komisioni i Venecias.
Cfarë ka Byroja e Hetimit? Ligji që kanë përfunduar ekspertët amerikanë përputhen me vendimet e gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Edi Rama u thotë jo s’më lë Ylli Manjani, se Kryeminstër që pengohet nga një ministër? Po ti sje Kryeministër? Ministri që nuk zbaton vendimin e Kryeministrit i thuhet mirupafshim”, tha Berisha ndër të tjera.
Rama ka ironizuar me Berishën, duke thënë se tani ka filluar të bëjë avokatin e LSI-së. Madje, është gati t’i dalë kundër edhe PD-së dhe RD-së, për të mbrojtur LSI-në.
“Tani ti je gati të bësh edhe avokatinë e LSI në gjyqin kundër PD. Pasi të fitosh këtë gjyq, duhet ta hapësh ti gjyqin kundër RD, për akuzat që ka bërë ndaj kryetarit të Kuvendit dhe kërkesën për dorëheqjen e tij, për vrasjen e dy deputetëve. Po sillesh si avokat pa pagesë i LSI”, tha Rama.