Rama i LSI: Byroja e Hetimit, sipas rekomandimeve të Venecias

Sekretari Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, komentoi ngritjen e Byrosë së Hetimimit. Në një prononcim  për mediat, të cilin po e botojmë të plotë, Rama tha se Byroja duhet të jetë në funksion të rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

Rama, Byroja e Kombëtare e Hetimit në varësi të kujt duhet të jetë sipas jush?

Çështja e Byrosë së Hetimit, siç e keni ndjekur edhe nga diskutimet më të fundit në Kuvend, është një çështje në shqyrtim e sipër dhe ma do mendja, përvoja e vyer e asistentëve amerikanë që kanë punuar me grupin e punës dhe gjithashtu asistenca po aq e vyer e Komisionit të Venecias do të na çojë drejt një zgjidhje, jo vetëm ligjore e kushtetuese, por çfarë është edhe më e rëndësishme, edhe funksionale.

Drafti i ekspertëve ka zbardhur një pjesë të asaj që po diskutohet për Byronë e Hetimit dhe është parashikuar që kjo strukturë në pjesën e parë, përpara se reforma në drejtësi të aplikohet, të jetë nën varësi të Policisë së Shtetit, ndërsa më pas të kalojë në njësinë antikorrupsion. Si ju duket ky draft i ekspertëve, a është kjo zgjidhje?

Për të qenë i sinqertë unë nuk e njoh këtë draft dhe rezervoj të drejtën të shprehem kur çështja të vijë dhe të shqyrtohet në Kuvend. E rëndësishme është që Byroja e Hetimit dhe e gjithë korpusi ligjor mbi të cilën do të funksionojë ajo të jetë në përputhje me gjithë rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe natyrshëm të jetë një instrument më shumë në funksion të përmbushjes së qëllimit që ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit dhe gjithë efekteve që sjell kjo sëmundje apo ky fenomen. Kështu që përsa kohë jemi në nivele draftesh. Që do të thotë nivele projektesh, atëherë le të presim dhe jam i bindur që palët, dhe kur them palët, mazhoranca dhe opozita, do të gjejnë gjuhën e përbashkët për t’i dhënë jetë këtij institucioni.

Domethënë është e rëndësishme që të jetë një institucion që të funksionojë në mënyrë rigoroze në zbatim të ligjit dhe të Kushtetutës. Gjithçka tjetër pastaj është koment pa vlerë.

A duhet pritur opinioni i Komisionit të Venecias apo të miratohet në këtë variant që ka paraqitur Ambasada Amerikane?

Nuk gjej ndonjë diferencë në qëndrimet e Ambasadës Amerikane me qëndrimin e Komisionit të Venecias, siç nuk gjej një diferencë ndaj këtyre qëndrimeve dhe me qëndrimin e shprehur nga palët në realitetin shqiptar. Puna është që t’i ikim lojës për bonuse të autorësisë në rastin konkret dhe të bëjmë një zgjedhje dhe një zgjidhje që t’i japë jetë një institucioni që të ketë legjitimitet dhe funksionalitet.

SHKARKO APP