Rama dhe deliri për krejt pushtetin
A nuk ishte Kryeministër Rama që bëri çfarë deshi me Buxhetin e Shtetit, me drogën, me koncensionet, me tenderimet? Dhe tani do më tepër pushtet!
Nëse ndiqje dje komunikimin direkt në Facebook të Kryeministrit, të krijohej ideja se këto 4 vjet vendi nuk është qeverisur nga Partia Socialiste dhe Edi Rama. Nga fjalimi i Kryeministrit, të veshur sportiv, dukej sikur Edi Rama nuk ka qenë asnjë ditë në pushtet. Rama foli për keqqeverisje, për administratë të kapur nga partia, për problemet me biznesin, taksat, drejtësinë dhe gjithë hallet që heqin qytetarët përballë burokratëve shtetërorë. Mallkoi politikën e mbrapshtë që sorollat qytetarët hallexhinj. Foli sikur dje kishte ardhur nga Parisi dhe befas pa një Shqipëri që nuk e njihte dhe ku varfëria, korrupsioni dhe koncesionet të vrisnin sytë. Madje, edhe videon zgjodhi ta bëjë në lulishten e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe dukej sikur në zyrën e Kryeministrit këto vite ka qenë dikush tjetër dhe jo Edi Rama. Natyrisht që regji djallëzore kjo e tija.
Pasi dëgjoje ankesat e Edi Ramës nuk mund të mos biesh dakord me një pjesë prej tyre. Janë probleme që njerëzit i ndeshin përditë dhe nuk është më nevoja t’i dëgjosh nga një video e kuruar me kujdes nga marketingu i fushatës. Por pas kësaj natyrshëm të lind pyetja: Ku ka qenë Edi Rama deri më sot? Kush e drejtoi Qeverinë këto 4 vjet? Kush i miratoi koncesionet, tenderat, rritjen e borxhit publik? Kush e ktheu administratën njëlloj si në kohën e PD-së me militantë dhe njerëz partie? Kush e ndaloi të ndëshkonte korrupsionin apo të realizonte premtimet që bëri si kryetar i PS-së?
Janë me mijëra pyetje që sot shqiptarët mund t’i drejtojnë kryeministrit. Më saktë janë 1 milion pyetje të 1 milion votave që ia dhanë qytetarët me bujari 4 vite më parë, bashkë me LSI-në. Në vend të argumenteve se pse nuk u realizuan, Rama jep vetëm justifikime duke e hedhur fajin të aleatët, opozita, por asnjëherë të vetja. Përgjigja është se këto probleme jo vetëm nuk u zgjidhën nga Rama dhe qeverisja e tij, por u thelluan dhe më tepër. Ndaj thirrja e Kryeministrit për ta votuar PS-në si parti që ende nuk është provuar në pushtet është e rreme. PS-ja dhe Rama janë pjesë e problemit që kanë shqiptarët. Pas 4 viteve në pushtet nuk ka justifikime.
Por nëse retorika e djeshme e Kryeministrit për reformat është thjesht fushatë, kërkesa për një mandat tjetër me shumicë absolute për Partinë Socialiste është edhe më e rrezikshme. Rama u shfaq dje me një siguri që tejkalon komunikimin publik të një lideri politik. Tha se është Kryeministri më i mirë i vendit dhe qytetarët duhet t’ja japin pushtetin të plotë. Nuk priti që dikush ta vlerësonte, por e shpalli veten më të aftin nga gjithë burrat e shtetit. Sulmoi të gjitha partitë e tjera duke deklaruar se PS ka ndërmend të bëjë shtet. Kreu i qeverisë shtoi se vota nuk duhet të shkojë dëm për partitë e tjera, pasi kryetarët e tyre nuk e bëjnë dot punën e Kryeministrit.
Pra vetëm ky mund ta bëjë Kryeministrin!
Foli me një siguri, sa dukej se Rama është njeriu që ka lindur vetëm për të punuar si Kryeministër. Pasi sulmoi aleatët me paksa arrogancë, Rama u shfaq me një ton lutës: “Ju lutem, më votoni”. U kërkoi shqiptarëve që në 25 qershor t’i japin gjithë pushtetin, për të qeverisur i pashqetësuar nga aleatët dhe i pakërcënuar nga opozita. E do krejt pushtetin ai në dorë.
Në parim çdo njeri me prirje diktatoriale ëndërron që një ditë ta ketë për vete gjithë pushtetin. Shqiptarët e dinë se marrja në dorë e gjithë pushtetit është e rrezikshme. Përqendrimi i pushteteve në një dorë sjellë vetëm autokraci dhe më pak liri politike e ekonomike në vend. E kanë provuar këtë gjë shtete që kanë pasur kulturë demokratike edhe më të konsoliduar sesa ne. Në momentin që pushteti është mbledhur në pak duar është dëmtuar jeta sociale dhe demokratike e një vendi. Por pa shkuar larg nëpër rajon dhe botë. Mjafton të kujtoni Berishën e pas vitit 1992, mori aq shumë pushtet në dorë sa shkatërroi jo vetëm qeverinë, por gjithë vendin. E dini mirë vitin 1997!
Ajo që kërkon Edi Rama është një film i përsëritur në Shqipëri. Nuk ka asgjë të panjohur për atë që pritet më pas. Sepse me logjikën “e dua gjithë Parlamentin për vete”, nesër më të njëjtat argumente Rama mund të kërkojë edhe drejtësinë për vete, se të tjerët e pengojnë!
Të mos harrojmë se njeriu që sot thotë dua pushtetin për vete, deri para 18 majit, ishte gati të bënte zgjedhje fasadë pa opozitë dhe pa parti të tjera. Në Shqipëri problemi i politikanëve është se gjithmonë kanë dashur më shumë pushtet sesa duhet. Kur arrihet kjo, institucionet dhe ligjet janë vetëm emra dhe dëshirat personale kthehen në problem kombëtar.
Edhe një pyetje: A ishte Edi Rama këto katër vite që bëri çfarë donte me paratë e buxhetit me koncensione dhe mbjellje me palma, aq sa edhe palmat janë tharë? A ishte ai në pushtet, ku droga po çan male dhe dete?!
Edhe e do krejt pushtetin për vete! Me kaq sa kishte e shkatërroi ekonominë, jo më sikur të marrë 100 për qind gjithçka.
Qamil Xhani