Rama për listën: Bëhuni gati për luftë, pavarësisht se do thonë u kthye Enveri
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar shkurtime drastike në administratë. Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në Librazhd, kryeministri Edi Rama ka folur edhe për “listën e zezë” të publikuar nga ai pak ditë më parë, e cila solli reagime të shumta në opinion.
“Lista është nga komentet e njerëzve, as për të nxjerrë të këqijtë, as për t’i dënuar, as për ndëshkime administrative, fare. Ajo është përmbledhje e emrave që janë përmendur nga njerëzit që kanë komentuar, aty janë njerëz realë. Ka nga ata që fshihen pas profileve, por mekanizmi që do ndërtojmë nuk do jetë ky. Kush do ngrejë problem do jetë me identitetin e vet dhe me gjithçka të faktuar e që do të mbajë përgjegjësi për këtë” tha Rama. Rama tha se “kazani mediatik” do ziejë si kurrë më parë e bashkë me këtë, edhe kazani politk. “Ç’do bëjnë, kazani do thotë erdhi diktatura, u kthye Enver Hoxha. Do i dëgjoni të gjitha. Do jetë luftë e këtë luftë jemi gati ta bëjmë, se për këtë e morëm mandatin”,- tha Rama.
Dy ditë më parë Kryeministri publikoi në Facebook një listë me emrat e 100 zyrtarëve, që sipas ankesave anonime në Facebook kanë abuzuar me detyrën. Lista shkaktoi reagime të shumta në rrjete sociale dhe në media.
Së pari, sepse denoncimi bëhej pa prova por vetëm me ankesa anonime online, njëlloj si fletërrufetë e kohës së komunizmit.
Së dyti, sepse mes emrave kishte edhe persona të vdekur si Resul LLogo në Gjirokastër, i cili ka ndërruar jetë prej 6 vitesh. Një emër tjetër që u komentua ishte ai i mjekut Mentor Petrela. Dr. Petrela është ndër 100 neurokirurgët më të mirë në botë dhe ishte futur në listën e Ramës i akuzuar për korrupsion!
Së treti, sepse lista kishte qëllime politike. Në listë kishte kandidatë për deputetë të LSI dhe drejtorë të kësaj force politike, por nuk kishte asnjë drejtor të rëndësishëm të PS. LSI ka pasur rreth 25 përqind të administratës. Është e pakuptimtë që 25 përqind të zërë gjithë ankesat e “qytetarëve” për administratën.
Po sot, duke folur në Librazhd ai ka thënë se shumë zyrtarë fshihen pas flamujve të partive, madje edhe pas flamurit të PS-së për t’iu rënë njerëzve me shkop dhe kjo nuk mund të vazhdojë.
Rama deklaroi se që nga qeveria do ketë reformim të madh e duke vijuar me të gjitha institucionet. “Nuk janë të pakët zyrtarët e shtetit që fshihen pas flamuri të PS-së për t’ju rënë njerëzve me shkopin e flamurin e partisë. Ashtu si ata që fshihen pas flamujve të partive të vogla. Janë në struktura gjakpirëse sepse me atë gjak shtohen dhe rriten. Ne do të bëjmë një reformë shumë të thellë në administratë. Duke nisur nga qeveria, do ta reformojmë thellësisht qeverinë dhe të gjitha institucionet. Do bëjmë shkurtime drastike të gjithë degëve të thata apo pjesëve parazite apo të infektuara të administratës shtetërore”, deklaroi Rama.