Rama i përgjigjet Metës: Institucionet do japin sqarime për Lleshin. Fjalën e fundit e ka Kuvendi
Pas deklaratës së Presidencës lidhur me dekretin për Sandër Lleshin, ku theksohej po priteshin përgjigje nga institucionet për çështjen që lidhen me dekretimin, ka ardhur reagimi i Kryeministrisë.
Drejtori i Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga, në një deklaratë për mediat thotë se institucionet të cilat kanë marrë kërkesat e presidentit do të kthejnë përgjigje në një kohë sa më të shpejt. Në deklaratën e Kryeministrisë theksohet se fjalën e fundit në procesin e dekretimit të ministrit të Brendshëm e ka Kuvendi.
Deklarata e plotë e Drejtorit te Komunikimit te Kryeministrit, Endri Fuga:
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e përshëndet përpjekjen e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për të kërkuar “përgjigje të qarta, të plota dhe shteruese, ndaj të gjitha çështjeve”, që sipas tij, Presidenti i Republikës, “nuk mundi të sqarohej herën e parë, pavarësisht nga përpjekjet e tij të vazhdueshme për bashkëpunim”, siç shprehet Presidenti përmes zëdhënësit, lidhur me dekretimin e Ministrit të Brendshëm.
Duke nënvizuar se “herën e parë”, Presidenti i Republikës nuk ka kërkuar asnjë lloj sqarimi nga Kryeministri, përkundrazi ka qenë Kryeministri qe i ka kërkuar një takim sqarues Presidentit, pas letrës së dërguar nga ky i fundit për të shprehur refuzimin e paargumentuar të gjeneral Sandër Lleshit, si Ministër i Brendshëm, Kryeministri Edi Rama, e siguron opinionin publik se ditën e hënë, Presidenti Meta do të marrë përgjigje të qarta e të plota, lidhur me pyetjet e tij të dërguara shkresërisht.
Jo vetëm kaq, po në funksion të adresimit shterues të problemit, që Presidenti i Republikës nuk e ka ngritur si problem në bisedën me Kryeministrin, por e ka ngritur shkresërisht, në formë pyetësori drejtuar Ministres se Mbrojtjes, vetëm dje, Presidenti do të marrë bashke me përgjigjet edhe një zgjidhje shteruese, e cila nuk lë me asnjë shteg për interpretime të asnjë lloji. Për asnjë palë.
Duke shprehur besimin se në këtë proces të ri, ku Kuvendi ka padiskutim fjalën e fundit pas Kryeministrit e Presidentit, Presidenti i Republikës, nuk do të këtë asnjë arsye të lëkundet në bindjen e vet për respektimin e Kushtetutës dhe do ta dekretojë Ministrin e Brendshëm, Kryeministri i Shqipërisë do të bashkëpunoje me durim e me përkushtim të plotë me Presidentin e Republikës, për ta ngjitur me sukses krisjen kushtetuese që ka sjellë e shtuna e shkuar”.