Edi Rama ik që sot, të shtunën është vonë!
Pas përgjimeve të publikuara nga media më e madhe në Europë, gazeta “Bild”, nuk ka më dyshime se në Shqipëri në vitin 2017 nuk pati zgjedhje, por vjedhje të votave nga bandat për partinë në pushtet. Tashmë dhe ndërkombëtarët, ata që kishin dyshime, e kuptuan se beteja dy vjeçare e opozitës nuk ishte tekë partiake, por një reagim nën presion ndaj një mazhorance që nuk meriton të jetë në drejtimin e vendit. Nuk ka më dyshime as se trafiqet kryesore të drogës dhe grupet kriminale kanë lidhjet me segmente të rëndësishme të pushtetit dhe qeverisë së majtë. Lista e gjatë e deputetëve të PS që u larguan nga dekriminalizimi duket e parëndësishme kur sheh se bandat kanë gjetur një mënyrë të re për të ndikuar në polikë. Jo vetëm e përdorin shtetin për punët e pista, por arrijnë që të fusin në Kuvend vet përfaqësuesit direkt të interesave të tyre. Pra, jemi në pikën kur bandat mund të miratojnë dhe ligjet që duan. Mjaftojnë bisedat e publikuara për të kuptuar se “Kryesia e PS” që përzgjedh kandidatët për deputetë dhe kryebashkiak nuk është në Tiranë, por mblidhet rregullisht diku në vilat e Shijakut dhe Durrësit.
Ajo çfarë shqiptarët mësuan dje rrëzon edhe argumentin kryesor të PS për gjithën krizën politike, sipas së cilës opozita ka frikë nga reforma në drejtësi dhe për këtë shkak ka nisur protestat. Në fakt, reforma në drejtësi paska qenë në dorë të Avdylajve dhe Niçes dhe është koha që ndërkombëtarët të rishikojnë edhe një herë se kë kanë zgjedhur të mbështesin dhe të bashkëpunojnë për ndryshimin e sistemit të drejtësisë. Dje pamë se Prokuroria, organi i pavarur i hetimeve në vend që duhet të hetojë këdo nga pushteti, vihet në lëvizje vetëm me një SMS të Ulsi Manjës dhe bën gjëmën kur shfaqet në media emri i Ramës. Deklaratat e prokurorisë që rikthente censurën mediatike, veç paaftësisë tregoi se pushteti ka humbur çdo ekuilibër dhe është kthyer në rrezik për median dhe shqiptarët.
Gjithë akuzat për vjedhje, blerje dhe kërcënim votash, për lidhje me bandat, kanabizimin e vendit dhe kthimin e qeverisë në shtojcë të krimit, në artikullin e “Bild” vlejnë më shumë se gjithë raportet e OSBE-ODIHR për procesin zgjedhor dhe raportet e Komisionit Europian. Parlamenti me deputetë të zgjedhur nga bandat nuk ka më kuptim të vazhdojë të funksionojë. Po ashtu, qeveria “Rama” që përveç qindra mëkateve që ka bërë këto kohë, del se është dhe mbështetja kryesore e trafiqeve dhe vjedhjes së votave nuk ka më moral dhe as të drejtë ligjore që të vazhdojë të qeverisë.
Kriza politike në vend ishte në pikën më kritike edhe pa parë shqiptarët të vërtetën e frikshme në faqet e “Bild”. Tashmë që masakra elektorale doli në shesh, opozita dhe qytetarët që ende mendojnë se ky vend meriton një qeveri normale, kanë një arsye më shumë që të shtunën të kërkojnë me çdo kusht largimin e Edi Ramës. Nëse protesta e këtyre muajve ka sjellë djegie të mandateve, protesta dhe reagim mbarëkombëtar të opozitës, me faktet e reja të frikshme që dolën, shqiptarët kanë të drejtë të hidhen në revoltë kundër qeverisë.
Protesta e radhës është lënë të shtunën. Nuk ka më kohë dhe asnjë mënyrë që këtij skandali Edi Rama t’i shpëtojë më propagandën e zakonshme. Ka vetëm një rrugë, largimi për të shpëtuar veten, PS dhe vendin. Dhe duhet të iki që sot, të shtunën është shumë vonë!