Rama kërcënon Bashën. Kundërpërgjigjet Berisha: 2 qershori në flakë!

Kryeministri në letrën e 6-të kërcënoi hapur liderin e opozitës, ndërkohë u përgjigj selia blu se “ky është provokim luftënxitës”.  Kundërpërgjigja më e ashpër erdhi nga ish-kryeministri Berisha që kërcënoi me kryengritje më 2 qershor, pasi nuk ka zgjidhje tjetër për opozitën.

Kur mbeten edhe 4 ditë nga nisja e fushatës elektorale të Partisë Socialiste për zgjedhjet vendore, palët duken ende larg një marrëveshje. Kryeministri Edi Rama shkroi dje letrën e gjashtë për kreun e PD-së, Lulzim Basha duke konfirmuar se asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimet e tij si kryeministër. Përkundër asaj që pritej, për një reflektim apo për hapjen e një rruge të re negociatash pozitë-opozitë, kryeministri shfaqi dje nota kërcënuese në drejtim të rivalit të tij, Lulzim Basha. Me një gjuhë provokuese kreu i qeverisë shkruante se nuk ka ndërmend të largohet nga drejtimi i qeverisë, të paktën deri në vitin 2021. Por retorika kërcënuese e kryeministrit shkonte edhe më tej, kur fliste për fund të hidhur  të kreut të PD-së. “Siç e shihni dhe vetë, mbështetja Juaj në aventurën pa rrugëdalje vjen duke rënë, e sado t’i tërhiqni e t’i shtriqni trupat e ndjekësve si çamçakiz në bulevard, për të krijuar efekte fotografike e televizive masiviteti, nuk bëni tjetër veçse gënjeni veten Tuaj dhe ata që duan të gënjehen me idenë, se disa mijëra punonjësit e bashkive blu dhe masa modeste e militantëve bashkëngjitur tyre, janë populli i Shqipërisë në protestë kundër qeverisë! Kjo gënjeshtër mund t’Ju mbajë me gajret edhe për ca kohë, Juve e lidershipin politik të grupimit Tuaj. Por besomëni që zgjimi nga ëndrra me sy hapur e largimit të qeverisë pa zgjedhje apo e moslejimit të zgjedhjeve, do të jetë shumë i dhimbshëm për atë grupim e për Ju si udhëheqësi i saj, nëse do të vijoni shurdhërisht në rrugën pa dalje, ku po marshoni verbërisht”,- shkruan kreu i qeverisë. Që nga fillimi dhe deri në fund të letrës së gjashtë vihet re se kryeministri kërkon të acarojë gjithë opozitën, duke mos llogaritur protestat, reagimin qytetar dhe gjithë kauzat që kanë nxjerrë këto muaj qytetarët në shesh. Në mënyrë sfiduese, seria e letrave të kreut të qeverisë në vend t’i shërbente uljes së tensioneve ka pasur qëllim tjetër provokimin e opozitës dhe acarimin e situatës. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që në 6 komunikime me letra, në asnjë rast kreu i qeverisë nuk la dhënë të kuptohet se është gati të negociojë, duke sakrifikuar pushtet në emër të shtetit. Me shumë se si kryeministër që ka përgjegjësi ndaj qytetarëve, edhe ndaj atyre që protestojnë kundër tij, Rama ka folur si sekretar lokal partiak që politikën e shesh si betejë dhe përplasje.

Në 6 letra, Edi Rama fliste për dialog, por mendjen e ka 30 qershori dhe mënyrë sesi do t’i fitojë 61 bashki pa rivalë në garë. Kjo mënyrë komunikimi ndaj opozitës, në fund do të prodhojë vetëm konflikt dhe përplasje.Pas këtij qëndrimi kërcënues të kreut të qeverisë, opozita e ka dhe më të thjeshtë rrugën që e pretë përpara. Nëse një kryeministër nuk është në gjendje të kuptojë se çfarë kostosh po i sjellë vendit qeverisja e tij, opozitës s’i mbetet veçse t’a detyrojë që reflektojë. Dje, Fronti Opozitar njoftoi se protesta për largimin e Edi Ramës do të mbahet të dielën, më 2 qershor. Të shtunën u njoftua data 31 maj, por për shkak të respektit ndaj besimtarëve myslimanë që festojnë Natën e Kadrit, opozita vendosi të shtyjë me dy ditë tubimin. Kjo lëvizje në kohë e protestës, veç ndjeshmërive fetare, lidhet dhe me zhvillimet që ndryshojnë orë pas ore në politikën shqiptare. Më 1 qershor Partia Socialiste do të nisë zyrtarisht fushatën elektorale, ose atë që quhet fushatë në një garë pa rivalë. Kjo datë shihet si testi final jo vetëm ndaj Edi Ramës, por gjithë kupolës së PS. Nëse kryeministri dhe drejtuesit e tjerë të PS vendosin të hyjnë në një fushatë të çmendur pa kundërshtarë, atëherë kjo do të thotë se marrëzia e zgjedhjeve që si model kanë vetëm monizimin, pra është fakt i kryer. Nëse Rama kalon nga kërcënimet me letra të zhvillimet reale të zgjedhjeve të tilla, ky do të jetë dhe zhvillimi që do të godasë përfundimisht çdo shans për dialog mes palëve. Ish-kryeministri Sali Berisha dhe dje sinjalin e parë se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim nëse situatën nuk ndryshon. “Kryengritja e 2 qershorit po afron dhe fton shqiptarët ti bashkohen historisë, ti bashkohen të ardhmes. “Rama ik”, Fitore!”,- shkruan Sali Berisha në një postim të shkurtër në Facebook, pas letrës së Edi Ramës. Teksa Rama thotë se më 1 nis fushata, Berisha deklaron se më datën 2 do të nisë kryengritja. Fjala “kryengritje” dhe jo protestë nënkupton atë që ka fjalori i shqipes për këtë fjalë; përballje, flakë dh etym.
Shpresojmë që kjo të mos ndodhë, por kryeministri nuk po i lë shteg opozitës përveçse përplasjes.
Q. Xhani

SHKARKO APP