Edi Rama kërcënon: Mosmiratimi i reformës, kosto të pallogaritshme
Kryeministri Edi Rama tha sot se mos votimi i reformës në drejtësi do të ketë kosot të pallogarishtme për interesin e vendit. Deklarata u bë në konferencën e ambasadorëve shqiptarë, që u zhvillua sot në kryeministri.
Kreu i qeverisë Edi Rama theksoi se për shkak të investimit të madh të ndërkombëtarëve dhe për shkak të fazës në të cilën ndodhet integrimi i vendit, e nesërmja mund të sjellë pasoja nëse reforma nuk kalon në Kuvend.
“Vështirë të gjendet në historinë e këtyre 25 vjetëve një angazhim kaq i gjithanshëm i komunitetit të miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë në kohë paqeje për Shqipërinë sa angazhimi për reformën në drejtësi. Ju e keni vetëdijen e plotë nga kontakti i vazhdueshëm me të gjitha vendet partnere në këtë proces për peshën e jashtëzakonshme që ka kjo reformë në raport me marrëdhëniet tona me BE, imazhin besueshmërinë e Shqipërisë në sytë e partnerëve tanë strategjikë dhe në raport me të nesërmen që mund të vijë me një energji të re, por edhe me një kosto të pallogaritshme, në varësi të fatit të kësaj reforme. Dua ta nënvizoj edhe përpara jush që ne jemi shumë të vendosur që deri në momentin e fundit të bëjmë çdo përpjekje, në përputhje të plotë me qëllimin dhe me qëndrimin e partnerëve tanë strategjikë” deklaroi kryeministri Rama.
Ai tha se procesi i integrimit është i kushtëzuar me kalimin e kësaj reforme. “Është e ditur botërisht se rruga që kemi bërë drejt BEsë kushtëzohet në drejtimin dhe shpejtësinë e saj nga miratimi i reformës në drejtësi. Një reformë me interes strategjik për Shqipërinë. Një reformë me rëndësi të jashtëzakonshme për vendin e Shqipërisë në rajon dhe raportin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Fjala e kryeministrit Edi Rama në konferencën me ambasadorët:
Mirdita të gjithëve!
Shpresoj që deri tani të keni kaluar më së miri dhe konferenca të ketë pasur një vlerë të shtuar për të gjithë ju. Kujtoj që kanë kaluar dy vjet nga konferenca e organizuar më parë, ndërkohë që në këto dy vjet, bota ku jetojmë ka përjetuar një sërë zhvillimesh të reja, krizash dhe sfidash serioze, por dhe arritjesh të rëndësishme, të cilat kanë influencuar, padyshim, edhe konturet, edhe volumin e veprimtarisë së politikës sonë të jashtme.
Ne e kemi ndjekur me prioritet të pamatshëm dhe me vendosmëri të veçantë përparimin e projektit tonë të integrimit europian, që për ne nuk është një proces i lidhur me objektivin për t’u bërë pjesë e BE, por në radhë të parë një proces i lidhur me domosdoshmërinë e modernizimit të vendit tonë, e forcimit të institucioneve tona, e krijimit në këtë vend të një kuadri të ri ligjshmërie dhe funksionimi të shtetit të së drejtës. Afërsinë tonë në raport me objektivin, tanimë në cilësinë e një vendi kanditat e matim në forma të larmishme, qoftë përmes shkëmbimeve të drejtpërdrejta në takimet e panumërta formale dhe jo formale, të shpeshta në të gjitha nivelet, por po ashtu edhe nëpërmjet volumit të raportimeve periodike që bëhen prej atyre ndër ju, të cilët janë në vijën e parë të kësaj përpjekjeje në kryeqytetet e vendeve të BE.
Është tanimë e ditur, botërisht, se rruga që kemi bërë pavarësisht arritjeve që mund të numërojmë, e reformave që mund të listojmë, kushtëzohet në drejtimin dhe shpejtësinë e saj nga miratimi i Reformës në Drejtësi. Një reformë, me një interes strategjik për Shqipërinë, për shoqërinë tonë, por jo vetëm. Një reformë, me një rëndësi të jashtëzakonshme për vendin e Shqipërisë në rajon dhe padyshim edhe për raportin e Shqipërisë me BE.
Është vendi të thuhet se vështirë të gjendet në historinë e këtyre 25 viteve një angazhim i ngjashëm masiv dhe kaq i gjithanshëm i komunitetit të miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë në kohë normale paqeje për Shqipërinë sa angazhimi për Reformën në Drejtësi.
Po ashtu ju jeni, besoj, të parët që e keni vetëdijen e plotë nga kontakti i vazhdueshëm me të gjitha vendet partnere në këtë proces për peshën e jashtëzakonshme që ka kjo reformë, në raport me marrëdhëniet tona me BE, në raport me imazhin, besueshmërinë e Shqipërisë në sytë e partnerëve tanë strategjikë dhe në raport me të nesërmen që mund të vijë me një energji të re, por mund të vijë dhe me një kosto të pallogaritshme në varësi të fatit të kësaj reforme.
Dua ta nënvijëzoj dhe përpara jush që;
Ne jemi shumë të vendosur që deri në momentin e fundit të bëjmë çdo përpjekje, në përputhje të plotë me qëllimin dhe me qëndrimin e partnerëve tanë strategjikë.
Kjo është një reformë më një përmasë të trefishtë.
Së pari, me një përmasë të jashtëzakonshme përsa i përket vetë shoqërisë dhe vendit tonë në vetvete. Së dyti, me një përmasë të jashtëzakonshme përsa i përket pozicionit dhe këndvështrimit prej të cilit ne do të perceptohemi nga partnerët tanë strategjikë në varësi të rezultatit të kësaj reforme. Por edhe me një përmasë të tretë, në raport me vetë rajonin.
Nga kontaktet e vazhdueshme është i qartë për ne perceptimi i partnerëve tanë strategjikë se implikimet pozitive ose negative të kësaj reforme nuk prekin vetëm Shqipërinë, shoqërinë shqiptare dhe marrëdhëniet e vendit tonë me Bashkimin Europian apo të Bashkimit Europian me vendin tonë, por prekin edhe interesa me një rëndësi të posaçme të komunitetit ndërkombëtar, të komunitetit euroatlantik, në rajon, pasi është qartësisht e nënvizuar nevoja për të përforcuar lidhjen mes Shqipërisë e partnerëve, si dhe vetë rajonit dhe BE-së, në raport me domosdoshmërinë për një veprim edhe më të koordinuar e më efikas kundër krimit, kundër trafiqeve dhe kundër fenomeneve që sot shqetësojnë botën mbarë, si terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm.
Dëshiroj të theksoj se ruajtja dhe forcimi i rolit që ne kemi marrë në rajon, zhvillimi i gjithanshëm i marrëdhënieve tona rajonale, qoftë me fqinjët tanë, qoftë dhe me partnerët dhe aleatët tanë, në një rreze gjithnjë e më të gjerë veprimi, është i lidhur me seriozitetin, shkallën e seriozitetit që Shqipëria duhet të tregojë në rrugën e kësaj reforme.
Duke kaluar më tej, dua të nënvizoj se nga një analizë goxha e detajuar e ministrisë së Jashtme, del në pah qartë se gjatë 24 muajve të fundit, ne kemi shënuar përparime konkrete në të gjithë drejtimet.
Le të marrim bashkëpunimin me Kosovën.
Sot bëhet edhe më e qartë se çfarë potenciali të jashtëzakonshëm ka ky bashkëpunim, duke u nisur nga sa shumë gjëra janë bërë të mundura falë kalimit të këtij bashkëpunimi në një nivel tërësisht të ri. Mekanizmi i mbledhjeve të përvitshme të qeverive ka dhënë fryte konkrete, që në të njëjtën kohë janë të mjaftueshme për të promovuar një model. Një model, të ndërtimit të marrëdhënieve mes shteteve të kësaj zone në funksion të përmirësimit të kushteve për të zhvilluar më shumë tregtinë, për të zhvilluar më shumë ekonominë, për të zhvilluar më shumë transportin, ndërveprimin kulturor, e kështu me radhë.
E nuk është e rastësishme që Shqipëria u bë promotore e një projekti të ri në kuadrin e Procesit të Berlinit, sëbashku me Serbinë dhe të gjitha vendet e tjera për të shtyrë më tutje një proces tanimë të testuar në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës, si marrëdhënie mes dy shtetesh që përmes shumë masave të marra kanë rritur ndjeshëm volumin e shkëmbimeve të tyre ekonomike, tregtare, kulturore, e kështu me radhë.
Ne besojmë fuqimisht se ngushtimi i hendekut integrues mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe bazuar mbi këtë model dhe mes vendeve të rajonit, përbën jo vetëm një parakusht për të rritur sigurinë dhe forcuar stabilitetin, por edhe një motivim shumë të madh të të gjithëve sëbashku, në raport me furnizimin e vazhdueshëm me argument të ambicies sonë, në raport me Bashkimin Europian, për të qënë pjesë plotësisht e integruar e Familjes Europiane.
Sigurisht që, në një kuadër më të gjerë ne jemi tërësisht të përkushtuar në ndihmë të shqiptarëve edhe në Maqedoni, edhe në Mal të Zi, edhe në Luginën e Preshevës, për të çuar më tej përpjekjen drejt konsolidimit të të drejtave të tyre legjitime. Kemi forcuar më tej marrëdhëniet me partnerët tanë dhe kemi zgjeruar gjeografinë e veprimit tonë.
Nënshkrimi i Deklaratës së Partneritetit Strategjik me Shtetet e Bashkuara, por edhe rritja e ndjeshme e shkëmbimeve dhe kontakteve mes Tiranës dhe Washingonit është një shprehje e një cilësie të re, falë evoluimit të kësaj marrëdhënie strategjike dypalëshe.
Me Italinë kemi ecur në një rrugë të hapur, duke rritur jo vetëm bashkëpunimin dy palësh, por duke zgjeruar përmasën e marrëdhënies përmes bashkëpunimit në kuadër të integrimit europian, të nismave rajonale dhe duke përfshirë dhe bashkërendimin mbi projekte dhe nisma që janë ndërkufitare dhe që prekin shumë kufij në këtë zonë.
Formati i takimit trepalësh ministror mes Shqipërisë, Italisë dhe Serbisë, ka ndërtuar një nivel të ri marrëdhëniesh me këtë qasje.
Para disa ditësh, parlamenti italian vendosi heqjen e taksës famëkeqe të transportit, një çështje që është bartur që nga vitet ’50, në të cilën asnjë qeveri më parë nuk mori përsipër me vendosmëri ta trajtonte dhe ta zgjidhte medoemos. E zgjidhëm, dhe pas procedurës jo dhe aq të shpejtë të zbardhjes së vendimit të Parlamentit. Ne jemi shumë të paduruar të shikojmë jetësimin praktik të këtij vendimi, që çliron nga një barrë e padrejtë të gjithë shkëmbimin tregtar mes Shqipërisë dhe Italisë, në rrugë tokësore dhe që hap një perspektivë të re për rritjen e këtij shkëmbimi duke filluar nga muaji shtator.