Rama kundër krejt Europës. Brukseli: Thirri mendjes Kryeministër!

Kryeministri Edi Rama ka vendosur të çojë vendin në një kurs të rrezikshëm përplasje me Bashkimin Europian. Dje, kreu i qeverisë ka dhënë sinjalin e qartë se politika e tij nuk ka lidhje me interesat e vendit, integrimin në BE dhe stabilitetin politik, por vetëm me qëllimin final mbajtjen e pushtetit. Në mënyrë arrogante dhe të pa dëgjuar për një kryeministër shqiptar, Edi Rama ka refuzuar kërkesën e Komisionerit për Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi lidhur me votimin e dekretit të Presidentit Ilir Meta për kthimin e ndryshimeve kushtetuese dhe ato në Kodin Zgjedhor. Komisioneri i BE kërkoi qeverisë shqiptare që votimi i Kodit Zgjedhor, pas kthimit nga Presidenti, të shtyhet derisa të flasë Komisioni i Venecias. Por Tirana zyrtare nuk pranon dhe PS ka vendosur ta votojë duke mos dëgjuar europianët.
Pas Oliver Varhelyi, reaguan Andrey Kovatchev, Zëvendës president i Partive Popullore Europiane në PE dhe David Lega, raporter i Shqipërisë në Parlamentin Europian. Të gjithë përfaqësuesit e BE i kërkojnë qeverisë të mos hedhë asnjë hap për rrëzimin e dekreteve në Kuvend, por të presë mendimin e ekspertëve të BE. Kryeministri Edi Rama reagoi në mënyrë sfiduese duke deklaruar se dekretet do rrëzohen dhe mendimin e Komisionit të Venecias e shohim më pas. Deklarata është pa sens juridik dhe tregon tallje të kryeministrit shqiptar me institucionet e BE. Nëse dekretet kalojnë në Kuvend dhe ndryshimet kushtetuese e të Kodit Zgjedhor hyjnë në fuqi siç i ka lënë PS-ja, kjo do të thotë se vendi shkon drejt zgjedhjeve me ligje të masakruara dhe zgjedhjet po vidhen në tavolinë. Dje në mbrëmje, Komisioni i Ligjeve në Parlament njoftoi me urgjencë se ditën e sotme në orën 12:00 do të shqyrtojë dekretet e kreut të shtetit. Me urdhër të Edi Ramës deputetë të PS dolën të mbrojnë marrëzinë se nuk duan t’ja dinë për Venecian dhe as për ndërkombëtarët.
Ajo që po kërkon BE është një procedurë e thjeshtë. Më datën 22 tetor Presidenti ktheu në Kuvend aktet e Kuvendit që cënojnë standardin e zgjedhjeve dhe i dërgoi Komisionit të Venecias kërkesë për opinion ligjor lidhur me ndryshimin e Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor. Aktet e kreut të shtetit janë mëse ligjore dhe janë zbatuar me dhjetëra herë nga Kuvendi dhe klasa politike në Shqipëri. Kur ka mosmarrëveshje për një ligj dhe shumica qeverisëse kërcënon kalimin në Kuvend, dokumenti dërgohet në Komisionin e Venecias për të dhënë një opinion ligjor mbi përmbajtjen e tij. Sa herë palët janë drejtuar Venecias, Kuvendi ka ndërprerë procesin e miratimit në pritje të ekspertizës së BE. Kështu ka ndodhur për ligjin antishpifje, emërimet në Gjykatën Kushtetuese, ligjin për pronat dhe dhjetëra nisma të tjera ligjore më pak të rëndësishme. Por për një çështje si ajo e ndryshimeve në Kushtetutë dhe shkatërrimit të Kodit Zgjedhor, Edi Rama ka vendosur të sfidojë hapur dhe të tallet me ndërkombëtarët. Bashkimi Europian dhe partnerët ndërkombëtarë janë arbitri që ndajnë sherret politike në Shqipëri. Pasi Edi Rama ka nxjerrë opozitën nga sistemi dhe preku Kodin Zgjedhor duke synuar fitoren në tavolinë, tashmë ka kaluar në fazën tjetër, atë të sulmit ndaj arbitrit dhe ndërkombëtarëve. Deklarata e djeshme e kryeministrit që mediat e qeverisë dhe deputetët po e trajtojnë me humor, është një sinjal i rrezikshëm për zgjedhjet e 25 prillit 2021 dhe për stabilitetin e vendit. Në mënyrë kaq arrogante kundër BE dhe ndërkombëtarëve, vetëm qeveritë komuniste para vitit ’90 flisnin. Zgjedhjet po i vjedh që tani dhe nëse nuk ndalon as kur e kundërshtojnë ndërkombëtarët, çfarë garancish ka opozita për proces normal elektoral? Kur kryeministri fut qeverinë në kurs përplasje me BE dhe askush nuk reagon, nesër ai mund të bëjë dhe marrëzi më të mëdha.
Por nëse Rama e bën fakt këtë akt banditesk zgjedhor opozita duhet të thërrasë popullin në skenë./M. Xhani/

SHKARKO APP