Rama lutet partive të vogla. Gjinushi dhe Milo dinjitoz. Marrin mbi tre deputetë
Realisht PS dhe Edi Rama po e ndjejnë efektin negativ të pazarit me PD dhe Lulzim Bashën, pasi nga marrëveshje e kërkuar nga LSI dhe ndërkombëtarët, ai kaloi në Pazar të fshehtë për ndarjen e tortës shtetore. Kjo ka nxehur shumë bazën e PS-së, aq sa ka detyruar kryetarin e PS-së Edi Rama të kërkojë që partitë e vogla të koalicionit të majtë, të cilat i preu në besë të mos regjistrohen në koalicione, pra të mos kandidojnë me siglën e tyre vetëm, por të shkrihen në PS, duke votuar vetëm për siglën e Partisë Socialiste. Pra pasi ua futi, kërkon të votojnë vetëm PS.
Siç duke Gramoz Ruçi, i cili i njihet si politikan më pranë bazës së PS, ka informacione të bollshme se do ketë bjerrje të madhe të elektoratit socialist pas pazarit me PD që bëri Edi Rama. Baza socialiste ka vite që lufton dhe mbijeton duke shpresuar se lideri i tyre do jetë pranë interesave të tyre, por kur panë më sytë e tyre se si u shitën për një karrike, ata ose nuk do votojnë në shenjë zhgënjimi ose do të votojnë partitë e tjera të majta. Kjo faktorizon shumë LSI, PDIU, PSD, PDS, etj.
Ndaj po kërkojnë në PS t’i bindin Skender Gjinushin dhe Paskal Milon, dy liderë të së majtës tradicionale dhe historike afër PS, që të heqin emrat në listat e partive të tyre, duke tradhtuar elektoratin e tyre dhe të bëjnë thirrje, ata të dy, që të votohet vetëm PS.
Ndërkohë sondazhet tregojnë se PSD merr dy deputetë dhe PDS një deputet, duke kandiduar veçmas, tani që PS-ja i tradhtoi.
Në një reagim dhënë gazetares Marsela Karapanço për “BalkanWeb”, Skënder Gjinushi deklaroi se afati ligjor për të tërhequr regjistrimin ka ngrirë. Ai ka thënë po ashtu se PS nuk i merr dot 70 vota, duhet patjetër një aleat.
“Afati ligjor për të tërhequr regjistrimin ka ngrirë. Ne nuk tërhiqemi nga zgjedhjet. “Manarët le të tërhiqen, deshët do të jenë në fushatë. PS nuk i merr dot 70 vota, duhet patjetër një aleat”, tha Gjinushi.
Petro Koçi i PSV ‘91 i bëri thirrje sot partive të majta që janë regjistruar tashmë në KQZ për zgjedhjet e qershorit të tërhiqen nga gara dhe të kërkojnë vota për PS-në. Sipas tij votat për to dëmtojnë fitoren e PS-së.
Gjatë kohës që Milo ishte i ftuar në ‘Këndin e Ekselencës’ në ‘News24’ i ka kthyer përgjigje negative kreut të PSV91, Petro Koçit, të cilin e quajti mercenar dhe se po bënte rolin e zëdhënësit të PS-së.
“Deklaratat e zotit Koçit, në mënyrën se si është bërë, është për të ardhur keq. Ne nuk na ka ftuar njeri. Këtë takim nuk e realizojnë partitë e vogla. Ne s’jemi ftuar. Petro Koçi nuk është regjistruar si parti, s’ka si të tërhiqet si parti.
Faleminderit Petro për thirrjen që bën, por më duket se ke marrë pozitat e mercenarit, nuk është e nevojshme që të tërhiqesh ti. Rama nuk duhet të më bënte thirrje të tërhiqem përmes të tretëve. Ne kemi identitetin tonë, politikat tona. Nuk mund të kthehemi në shërbëtor të dikujt që kërkon pushtet, dhe nuk ndajnë qeverisje në një kohë që s’kanë bërë asgjë.
Do i bëj thirrje mbështetëseve të mi, do i mbledh sot dhe do mundohemi të fitojmë në këto zgjedhje. Një mandat deputeti e kemi të sigurtë. Zoti Koçi si parti nuk është regjistruar për zgjedhje që muajin e kaluar. Se kuptoj se pse Zoti Koçi bëhet zëdhënës i PS. Kur ka dashur PS dhe Zoti Rama, të më ftojnë, më kanë ftuar. I dinë adresat dhe telefonin. Unë për kulturën që kam, nuk refuzoj ftesat”, pohoi Milo.