Rama ‘masakron’ diplomatët: Pse jeni kaq të leshtë? Keni bërë një vrimë në ujë
Në takimin e përvitshëm më ambasadorët shqiptarë në botë, kryeministri Edi Rama ka qenë më i ashpër se kurrë më shërbimin e jashtëm të Shqipërisë.
Rama nuk i ka kursyer kritikat ndaj diplomatëve të karrierës, që kanë një përvojë të gjatë në diplomati. Ai ka kritikuar aftësitë e tyre për të thithur investime në vend. Rama ka pranuar se nuk ka pasur asnjë kompani të huaj që të ketë ardhur në zyrën e tij për investime, si rekomandim i diplomatëve.
“E kam shumë të vështirë të gjej rastin e fundit kur kam takuar në zyrën time operatorë ekonomik të huaj që i keni sjellë ju. Si ka mundësi që kemi qenë kaq të avashtë, ose për ta thënë shqip kaq të leshtë, për të gjetur mekanizmat e duhur, për të ndërtuar platformat që realiteti ynë, ky vend që ndryshon me muaj dhe me javë të pasqyrohet me angazhimin e vazhdueshëm jashtë kufijve tanë, ku na njohin pak, s’na njohin fare, ose na njohin keq. Ne kemi bërë një vrimë në ujë”,- tha Kryeministri.
Në vijim të kritikave, Edi Rama ka deklaruar se në shërbimin e jashtëm ka pazaxhinjë dhe diplomatë të korruptuar. ““Ende kemi diplomate delenxhinj, pazarxhinj, s’po zbres deri te shoferet e ambasadave ku akoma gjendet ndonjë timionier kaçak”.
Kryeministri Edi Rama ka qenë i ashpër në deklaratën e tij para ambasadorëve të vendit tonë në takimin në Ministrinë e Jashtme, ku u ka kërkuar plane pune zhvillimi dhe projekte konkrete përpara syrit te çdo të huaji kurioz.
Në fjalën e tij, Rama ka paralajmëruar dhe largimin e Ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati. Ai tha se Ministri i ri i Jashtëm do të zhvillojë, pas shpalljes së qeverisë, një takim urgjent me diplomatët.
“Pas shpalljes së Qeverisë së re të dielën do ti kërkoj Ministrit të ri që të bëjë një takim me ju për të biseduar në funksion të rolit që do marrë menjëherë shërbimi i jashtëm në ekonominë e vendit”, tha Kryeministri Rama.
Kryeministri njoftoi dhe krijimin e një ministrie të re, e cila do të fokusohet vetëm tek shqiptarët e diapsorës.
Takimi me diplomatët është një procedurë e përvitshme që zhvillohet mes drejtuesit të qeverisë dhe kreut të ministrisë së jashtme. Ky takim shërben për një analizë të diplomacisë shqiptare dhe piketimin e objektivave për vitin e ardhshëm.
Por ndryshe nga më parë, këtë herë Rama ka qenë shumë i ashpër ndaj ambasadorëve. Një pjese e diplomatëve kanë vite në detyra dhe janë ndër zyrtarët më vlerësuar të shtetit. Ndërkohë që gjatë 4 viteve të fundit, emërimet e ambasadorëve janë bërë nga Partia Socialiste.
Kritikat që Edi Rama ka bërë sot në adresë të diplomatëve, vlejnë dhe mënyrën sesi vetë qeveria “Rama” ka orientuar diplomacinë në këto 4 vite.
VIDEO E FJALIMIT TË RAMËS PARA DIPLOMATËVE
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155078574486523/