Rama mbledh drejtorët e AKU: Jeni një tufë gjobëvënësish. Largohuni vetë

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur në kryeministri drejtorët rajonale të Agjencisë Kombëtare të Ushqimit, për t’i prezantuar drejtorin e tyre të emëruar pak ditë më parë, Agim Ismaili. Në fjalën e tij, Rama ka sulmuar këtë drejtori duke i akuzuar drejtorët rajonalë për korrupsion dhe paaftësi. Ai u bëri thirrje publike që një pjesë e tyre duhet të largohen vetë nga detyra.

VIDEO E TAKIMIT NE KRYEMINISTRI

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155210478191523/

Sipas tij, ky institucion u kthye në një problem kombëtar, duke ushtruar terror ndaj bizneseve ndërsa Shqipëria është e mbushur me thertore të paligjshme. Ai deklaroi se në këtë institucion emërimet janë bërë në bazë të partive dhe jo meritave, ndërkohë që nuk sqaroi se mbi çfarë meritash do bëhen emërimet e reja.

“Ka persona këtu që duhet të kuptojnë që duhet të largohen vetë pasi kanë ardhur si rezultat i partive dhe jo si rezultat i veprimtarisë së shteti. AKU është degraduar atu ku s’thuhet. Të gjithë drejtorët duhet të vihen në provë, por një pjesë e konsiderueshme duhet të largohen vetë”,- deklaroi Rama.

Rama ka kritikuar ndërhyrjen e AKU në doganat e vendit. Ai urdhëroi që “AKU nuk do shkelë më në doganat e Shqipërisë”.

Kryeministri tha se AKU i ka nxirë jetën sipërmarrjes duke vënë gjoba. “Është e mirëkuptueshme pse ky takim duhet zhvilluar edhe me praninë e publikut. Shqetësim serioz për gjendjen, performancën e këtij institucioni që vetëm institucion nuk është…të jemi të qartë. Kemi një situatë praktikash absolutisht të papranueshme, absurde në tërësinë e tyre që e kanë bërë këtë institucion një problem kombëtar. Dhe mbi të gjitha ky është një institucion që nuk duhet harruar se lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e jetës, me sigurinë e shëndetit dhe me standardet që Shqipëria duhet të përmbushë në raport me ambicien për të qenë pjesë e familjes europiane. Ky është një institucion që vë gjoba, që i nxin jetën sipërmarrjes, që terrorizon dyqane dhe tregtarë të vegjël dhe që në fund fare nuk përmbush misionin e vet”,- tha Rama.

Pothuaj të njëjtin fjalim kryeministri e ka mbajtur dhe me drejtorët e Hipotekave dhe ALUIZ-nit në vend. Edhe pse u deklaroi shkarkimin gjithë drejtorëve të hipotekave, fakti është se drejtorët e PS ende janë në punë. Ndërsa vala e sulmit përfshiu vetëm drejtorët e partive aleate.

Regjia dhe fjalimi ishte zgjedhur me kujdes nga Kryeminsitrit për të dhënë idenë se problemet me këto institucione do të marrin fund. Në fakt, pas valës se shkarkimeve vijnë emërimet e reja, të cilat në thelb nuk ndryshojnë asgjë në cilësinë e shërbimit. Të paktën deri tani, reformat janë përdorur vetëm për të justifikuar largimet dhe shkarkimet, por jo punën e institucioneve.

SHKARKO APP