Rama mesazh për LSI: PD kurrë nuk mund të fitojë nëse e majta është e bashkuar
Kryeministri Edi Rama ka përcjellë sot një mesazh të fortë për aleatin e tij në bashkëqeverisje, Ilir Meta. Gjatë një takimi me të rinjtë e Tiranës, të cilët votojnë për herë të parë, Rama tha se demokratët fitojnë vetëm nëse e majta është e ndarë.
Duke iu referuar zgjedhjeve të kaluara, kreu i PS tha se Partia Demokratike ka përfituar nga fakti se e majta ka qenë e përçarë dhe jo për meritat e saj.
“Faleminderit nga zemra. Dua t’u them të gjithë atyre që sot janë këtu se në 18 qershor do të jenë votues për herë të parë. Kur keni lindur ju, Tirana nuk kishte gjelbërim, ata që janë aty në çadër e kishin mbjellë gjithë Tiranën me çadra. Kishin mbjellë Parkun Rinia me çadra, gjithë parqet para Piramidës e kudo dhe i quanin zhvillim. …ato çadra ia lanë vendin parqeve, pemëve që u mbollën, hapësirave publike që u krijuar. Por sot çadrën nuk e kanë mbjellë në një park, as në një rrugë, por e kanë mbjellë mu në zemër të procesit demokratik. Siç kur sapo kishit lindur ju kishin zënë rrugët e kalimet, tani duan t’i zënë Shqipërisë rrugën. Duan t’ua zënë rrugën se e vërteta është se ata nuk kanë fituar kurrë përveçse kur ne kemi qenë të ndarë. Deri tani kanë fituar nga ndarja jonë. Kanë përçarë e kanë sunduar por ajo kohë ka ikur”,- tha Rama.
Ky mesazh për të majtën e bashkuar është një ftesë e hapur e Kryeministrit Edi Rama për LSI-në.
Ndërkohë që Rama foli për bashkimin e së majtë s, ish-kryeministri Pandeli Majko nuk i ka kursyer thumbat ndaj aleatit qeverisës. Ish-kryeministri, Majko gjatë fjalës së tij, e cilësoi të njëjtë kërkesën e PD me atë të LSI për qeverinë teknike. “Nuk do të ketë qeveri teknike. Tani ata na dashkan qeveri teknike, qeveri besimi, se ne nuk paskemi besim. Ne nuk mund të riulemi dhe njëherë te vila e Enver Hoxhës”,- deklaroi Majko.