Rama në FLASIM, Episodi 8, Sezoni 5, rikonfirmoi zotimet e qeverisë për shpërblimet e pensionistëve për Virin e Ri
Kryeministri Edi Rama, në FLASIM – Episodi 8, Sezoni 5, në rubrikën “Shënimet e Javës”, riktheu qartësinë në një debat që këto ditë është mjegulluar nga keqinformimi dhe interpretimet e qëllimshme. Me një ton të matur, por të prerë, ai rikonfirmoi zotimet e qeverisë për shpërblimet e fundvitit për pensionistët, të cilat do të jepen për Vitin e Ri si një lehtësim real për një kategori që shpesh ka nevojë më shumë se kushdo për vëmendje dhe mbështetje konkrete. Rama konkretizoi edhe me shumën konkrete që do të jepet si shpërblim.
Sipas Kryeministrit kush ka një pension deri në 20 mijë lekë do të marrë si shpërblim 150 euro, ata që kanë mbi 20 mijë lekë të reja do të shpërblehen për Vitin e Ri me 100 euro.
Në fjalën e tij, Rama theksoi edhe rritjen vitpasvit të pensioneve – një politikë që, sipas tij, nuk është as premtim elektoral e as masë e çastit, por pjesë e një strategjie afatgjatë për të garantuar dinjitetin ekonomik të të moshuarve. Në të njëjtën linjë, ai përmendi rritjen e pagës minimale, si një tjetër hallkë e politikave sociale që synojnë forcimin e shtresave të punës dhe rritjen e standartit të jetesës.
Mesazhi i tij ishte i qartë, në një kohë kur “kënetëza” e rrjeteve sociale dhe e portaleve është shndërruar në një laborator manipulimi, ku lajmi i rremë ushqehet, riciklohet dhe shumëzohet, qeveria ka detyrimin të flasë me shifra, me vendime dhe me rezultate, jo me zëra. Ai kritikoi hapur keqpërdorimin e informacionit, shpërndarjen e pavërtetave dhe trajtimin toksik që i bëhet çdo nisme publike, duke nënvizuar se transparenca është antidoti i vetëm kundër mjegullës së spekulimeve.
Në këtë episod, Rama nuk dha vetëm sqarime; ai kërkoi të vendoste një vijë ndarëse mes debatit të shëndetshëm dhe helmit të keqinterpretimit, mes kritikës së sinqertë dhe fabrikimit të pakënaqësisë. Përtej përplasjeve të ditës, ai synoi të rikujtojë se politika sociale e qeverisë mbetet e pandryshuar në drejtim dhe në vullnet, pavarësisht zhurmës së jashtme.
Fjalët e tij vijnë si një ftesë për më shumë maturi publike dhe si një kujtesë se faktet shpesh flasin më qartë se retorika – sidomos kur prekin jetën e atyre që kanë kontribuar një jetë të tërë për vendin.
AV/KJ
KOHA JONË SONDAZH

