Rama në fushatë. Opozita as në zgjedhje, as në rrugë
Pyetja publike është: A do futet opozita në zgjedhje? Nëse do futet a do të pranojë që kryeministër në zgjedhje të vazhdojë të jetë Edi Rama apo e ka kusht të panegociueshëm se “ me Edi Ramën nuk hyjmë në zgjedhje”? Nëse nuk pranojnë dhe nëse Rama nuk ikën, si do ta rrëzojnë? Me deklarata, me postime facebook-u apo me popull në rrugë që të nxjerrë nga zyra kryeministrin e “krimit dhe mafies” siç bërtet përditë opozita?
Gati 8 muaj para zgjedhjeve të ardhshme lokale Edi Rama ka nisur hapur fushatën elektorale. Në dy takime të zhvilluara dje, kreu i qeverisë ka bërë premtim që jo vetëm nga përmbajtja politike, por edhe afatet kohore kur do të realizohen tregojnë se kanë si synim votat e zgjedhjeve të ardhshme. Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar Ekonomik, kryeministri deklaroi se pas datës 1 prill 2019 do të bëhet rritja më e madhe e pagave nga qeveria. Konkretisht për sektorin e shëndetsisë rritja e pagave do të jetë 10%, në arsim 7%, ndërsa për ushtarakët rritja do të jetë sipas gradave nga 5% deri në 7 %. Tre kategoritë që përfitojnë rritje page përbëjnë dhe shumicën e votueseve në administratës publike. Jo rastësisht në Këshillin Kombëtar Ekonomik ku u diskutua buxheti 2019 u diskutua për fondet e pesë bashkive më të mëdha, ku PS ka drejtimin e tyre dhe synon të ripërsërisë fitoren. Ndaj dhe buxheti i vitit që vjen do të jetë tërësisht elektoral, me synimin që gjithë projektet të mbyllen para muajit qershor kur është parashikuar mbajtja e zgjedhjeve. PS nuk synon vetëm votat brenda vendit, por për herë të parë doli dhe me një projekt për diasporën. Në mbledhjen e qeverisë u miratua për herë të parë dhe dhënia e 1 miliard lekëve fond për projektet e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Në disa nga zgjedhjet e fundit vota e emigrantëve ka luajtur rol jo të vogël në peshën elektorale të partive. Me zgjidhjen e qeses nga ana e qeverisë “Rama” duket se pjesëmarrja e emigrantëve në zgjedhjet e ardhshme mund të jetë edhe më e madhe.
Vendimet e fundit të qeverisë, sigurisht që janë të mirëpritura. Pas pesë vitesh qeverisje, për të cilat Edi Rama ka thënë se është detyruar ta trajtojë buxhetin me kujdes, pasi mbylli borxhet e qeverisjes “Berisha”, më në fund u kujtua për rritje pagash për administratën. Problemi i vetëm është se rritja e tyre është llogaritur sipas matematikës elektorale. Zakonisht efektet e buxhetit të ri nisin me 1 janar të çdo viti, por me sytë nga zgjedhjet e ardhshme, Edi Rama ka zgjedhur datën 1 prill. Veç premtimeve që tashmë po bëhen të shpeshta nga kryeministri, një tjetër element i përgatitjes për fushatën elektorale nga PS-ja janë dhe turet e takimeve në bashkitë e mëdha.
Ndërkohë që PS është gati për zgjedhjet e ardhshme, opozita duket e paqartë se çfarë do të bëjë me fushatën që po troket në derë. Debati i opozitës ka mbetur në sherrin mes “Babales”, “Xhisielës” dhe listë së fluturimeve që Taulant Balla ka bërë nga Rinasi. Si përgjigje për akuzat e saj merr çdo ditë nga një padi. Edi Rama, me mjeshtëri e largon vëmendjen nga gafat e qeverisë së tij dhe gjen çdo muaj ndonjë karrem për debat që pështjellon opinionin. Më të fundit janë ligji anti-shpifje dhe bastet. Disa muaj më parë diskutonim për kampet e refugjatëve dhe mënyrën sesi Qeveria e Shqipërisë, më e varfra në Europë, do shpëtonte Gjermaninë, Francën dhe Italinë nga vala e emigrantëve. Dhe opozita harxhon energji duke ndjekur debatet e Ramës sa në një llogore, te tjetra, por pa bërë skemë rrëzimi të kryeministrit Rama. Gjatë gjithë verës opozita deklaroi se në shtator do rrëzonin kryeministrin Edi Rama dhe populli do të dilte në rrugë. Shtatori iku dhe as në tetor nuk ka asnjë shkëndijë të opozitës për të nisur protesta. Ndërkohë zgjedhjet elektorale erdhën. Në 1 janar hyjmë në vit elektoral dhe në radhët e opozitës nuk dinë të thonë se cilët janë kandidatët që do fusin në garë dhe me çfarë programi. Kërkesa kryesore e opozitës ka qenë se nuk futen në zgjedhje me kryeministër Edi Ramën, sepse blen dhe manipulon zgjedhjet. Deri më sot opozita ka servirur denoncime dhe histori “Babalesh”, me të cilat rrëmujë në Tiranë, por vështirë se sjellin vota në bashkitë e gjithë vendit. Por veç programit elektoral, para zgjedhjeve opozita ka dhe një pengesë jo të vogël. Reforma zgjedhore dhe ndryshimi i Kodit Zgjedhor janë kushtet që ndërkombëtarët kanë sugjeruar për vitin 2019. Edhe në këtë pikë opozita është e paqartë duke e lënë vendimmarrjen për në minutën e fundit. Përvojat e kaluara tregojnë se me marrëveshjet në minutën e fundit, zakonisht fiton qeveria.
Pyetja publike është: A do futet opozita në zgjedhje? Nëse do futet a do të pranojë që kryeministër në zgjedhje të vazhdojë të jetë Edi Rama apo e ka kusht të panegociueshëm se “me Edi Ramën nuk hyjmë në zgjedhje”? Nëse nuk pranojnë dhe nëse Rama nuk ikën, si do ta rrëzojnë? Me deklarata, me postime facebook-u apo me popull në rrugë që ta nxjerrë nga zyra kryeministrin e “krimit dhe mafies” siç bërtet përditë opozita?
Nëse opozita beson se mund të fitojë përballë Ramës kryeministër, i cili ka gjithë pushtetet, tani po merr edhe gjykatat, pasi përlau prokurorinë, atëhere ka probleme lidershipi opozitar. Opozita nuk ka zgjidhje tjetër, vetëm përballjen e jo të mbledhë një protest tjetër dhe në fund t’i thotë popullit:”Shpërndahuni të qetë nëpër shtëpia!”. Përballja me krimin qeveritar, siç akuzon opozita, kërkon përplasje me turma.
Ndryshe, të ikë në shtëpi dhe opozita!
Q.Xhani