Kryeministri Edi Rama: Nuk e kam tradhtuar kurrë “21-janarin”!

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një fjalim pas takimit që zhvilloi me të afërmit e viktimave të 21-janarit. Rama iu përgjigj zërave që flasin për harresën, dhe tradhtinë e tij ndaj kësaj kauze. Rama deklaroi se nuk ka harruar asgjë, nga ato që ndodhën në 21 janar kur u urdhërua vrasja e protestuesve paqësorë e të pafajshëm, dhe se do të bëjë gjithçka deri kur të vendoset drejtësia.

“Unë e di shumë mirë se shumë shqiptarë të ndershëm, drejtojnë mbi mua gishtin e akuzës për zvarritjen tuaj sfilitëse, në kërkim të drejtësisë. Ka nga ata që më quajnë tradhtarë të 21-janarit, nuk kam gjë me ta. Ua marr vesh mirë sëkëlldinë kur shoh se përgjegjësit bilbilojnë përditë në emër të popullit dhe kërkojnë hesap prej nesh për plagët që hapën. Është cinike dhe poshtëruese, e di shumë mirë. Por sot nuk jam kokëulur përpara jush, dhe nuk do të shkoj kokëulur, as përpara përmendoreve të shtrira në bulevard, sepse nuk e kam tradhtuar 21 janarin, sepse kemi punuar çdo ditë me përkushtim atdhëtar duke hapur kantier reformash shtetformuese.

Më tej kryeministri shprehu zotimin e tij se drejtësia do të vendoset. Sipas tij, angazhimi për Reformën në Drejtësi është tregues i vendosmërisë për drejtësi për jetët e humbura. Para familjarëve të 4 viktimave, ai u shpreh se ata që nuk duan Reformën i tremben ndëshkimit për krimet që kanë bërë.

“Prania juaj këtu, mjaftojnë dhe teprojnë të vetme, si akti më ulëritës i akuzës ndaj sistemit të korruptuar të drejtësisë në Shqipëri. Si nevoja më therëse e popullit shqiptar për ta nxjerrë drejtësinë nga qelia e errët e korrupsioint të korporatës së gjyqtarëve që pasurohen përmes padrejtësive prej 25 vjetësh.  Si domosdoshmëria më jetike e shqiptarëve sot për një reformë të vërtetë rrënjësore në drejtësi. Çdo politikan që sot nuk sheh te familjet tuaja, te prinëdrit dhe fëmijët e dëshmorëve të 21-janarit, për ti hapur rrugën drejtësisë, nuk do reformën në drejtësi”, tha Rama.

Më tej ai dha edhe një paralajmërim të fortë për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, që sipas kryeminsitrit, po mbajnë peng dosjen “21 janari”.

“Çdo njëri nga anëtarët e Gjykatës së Lartë që qysh prej vitit 2013 mban të varrosur dosjen e 21-janarit, pa guxuar ta nxjerrë në dritën e gjykimit, është sot drejtpërdrejt i akuzuar si fajtor, për vuajtjen tuaj 5 vjeçare në kërkim të drejtësisë. Fakti rrënqethës që dosja e 21-janarit është e vetmja e mbetur pa u gjykuar nga viti 2013 në Gjykatën e Lartë, ndërkohë që kjo gjykatë ka nisur punën me dosjet e vitit 2014, del për të kuptuar se kush e ka kapur prej fyti drejtësinë. Pushkatimi pa gjyq i 4 burrave të pafajshëm teksa protesta paqësore ishte duke u shpërndarë, hyn tek ato raste përmes të cilave populli është mësuar se drejtësia harron por nuk vonon. Nuk mundet dot kurrë të tretet, njësoj si trupat e 4 të vrarëve, nevoja therëse e drejtësisë për 21 janarin, kurrë! Një ditë ose një tjetër drejtësia do të bëjë drejtësi. Edhe për vrasësit, edhe për rivrasësit. Edhe për ata që urdhëruan nga dritaret e godinës, me plumba luftarak, edhe ata që shpifën nga sallat e gjyqeve vrasjet si gabim teknik. Dhe rivranë të vrarët me çekiçin gjyqësor ”, tha Rama.

Lexoni replikat në Kuvend për 21 Janarin:

Braçe-opozitës: Mjaft më me diversione, në 21 janar vratë ju, jo Meta

Balla: Berisha në burg

Patozi: 21 janari u mbyll me marrëveshjen e 1 prillit

Berisha: Kushdo që do hynte në kryeministri do përballej me më të keqen!

SHKARKO APP