Dështon takimi me Bashën, Rama: Nuk e binda dot PD për miratimin e reformës

Kryeministri Edi Rama deklaroi pas takimit 3 orësh me kreun e PD-së, Lulzim Basha se nuk arriti ta bindte opozitën për miratimin e reformës në drejtësi. Praktikisht takimit mund të quhet i dështuar.

“Më vjen keq të them se ne nuk arritëm ta bindnim PD të miratonte reformë në drejtësi. Unë bëra çdo gjë për ta miratuar ketë reformë”,- tha Rama.

“PD nuk mund të tregojë sot asnjë arsye për mosvotimin e reformës. Ato që mund të thonë kundër reformës do të duhet t’i besojnë vetëm vetë në PD”,- tha ai.

Pavarësisht kësaj, Rama tha se kjo nuk do të thotë se nuk do miratohet reforma. “Ne nuk do ta presim PD, do të vazhdojmë në rrugën e vetme që kemi. Por deri në votim në Kuvend, ka plotë orë që PD të mos humbasin krejt fytyrën e tyre”, tha Rama.

Rama la të kuptohet se pas këtij takimi mund të ketë takime të tjera, por në nivel ekspertësh, duke përjashtuar mundësinë e një ritakimi me Bashën. “Pas këtij takimi reforma do të vazhdojë rrugëtimin për në Kuvend”,- tha ai.

Rama tha se kjo reformë garanton një sistem drejtësie të pavarur dhe të pastër. “Ne duam që ngrehina aktuale e sistemit të drejtësisë të shembet për të ndërtuar një të re. Një ngrehinë që të jetë përzgjedhur në mënyrë që politika të mos ketë ndikim dhe të qëndrojnë larg saj. Partitë nuk duhet të shqyejnë sistemin për interesat e tyre”,- u shpreh Kryeministri Edi Rama pas takimit.

Basha: Kapriçot e Ramës sollën e abortin e konsensusit

SHKARKO APP