Rama për “Die Presse”: Pavarësia e SPAK është e pacënueshme. BE mbetet objektiv strategjik
Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë të zgjeruar për podcastin “East Side Stories” të medias prestigjioze austriake Die Presse, ku ka folur mbi negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, luftën kundër korrupsionit, përplasjet politike në SHBA midis Donald Trump dhe George Soros, si dhe investimet e mundshme të Jared Kushner në ishullin e Sazanit.
Duke komentuar punën e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion, Rama deklaroi se reforma në drejtësi është një proces i dhimbshëm, por i domosdoshëm.
“Kam thënë se duhet të ndërtojmë mekanizma të drejtësisë që mund të provojnë pavarësinë e tyre, duke hetuar, duke investiguar dhe duke dënuar, pa marrë parasysh nga cila anë vjen çështja.
Nuk është aq këndshme sa të shkosh në operë. Është e dhimbshme. Është e hidhur. Por është mënyra e vetme. A është perfekte? Jo. A bëjnë gabime? Sigurisht. Por në fund të ditës, duhet të bëjmë gjithçka që të mos prekim pavarësinë që u kemi dhënë atyre,” – tha Rama.
Kryeministri përsëriti mesazhin se SPAK-u duhet të funksionojë pa ndërhyrje politike, pavarësisht se cilin subjekt prek hetimi. Anëtarësimi në BE: “Nuk bëjmë detyrat për t’i kënaqur ata, por për të ndryshuar Shqipërinë”.
Në intervistë, Rama nënvizoi se mbështetja e Komisionit Europian ndaj Shqipërisë është e fortë, por rruga drejt BE-së kërkon punë të thellë dhe përmbushje të të gjitha kushteve.
“A do të jemi si Austria brenda dy vitesh? Jo, aspak. Anëtarësimi lidhet me parime dhe kritere shumë të qarta që duhet përmbushur në tërësi. Në këtë fazë nuk shoh asnjë rrezik për probleme serioze. Nuk e bëjmë këtë ‘detyrë shtëpie’ për t’i kënaqur ata. E bëjmë për të ndryshuar Shqipërinë dhe për ta bërë më evropiane, më demokratike,” – tha Rama.
Sipas tij, prioritetet kryesore mbeten reformat në drejtësi, modernizimi i administratës dhe forcimi i institucioneve demokratike, si pjesë e strategjisë për synimin ambicioz të anëtarësimit deri në vitin 2030.
I pyetur për polemikat e ashpra politike në SHBA, Rama theksoi se Shqipëria nuk ndërhyn në përplasjet e brendshme amerikane dhe se marrëdhëniet strategjike me SHBA-në mbeten të pakushtëzuara nga individë apo grupe të caktuara politike.
Gjatë podcastit “East Side Stories”, kryeministri Edi Rama komentoi edhe projektin e dhëndrit të presidentit të SHBA, Jared Kushner në ishullin e Sazanit në Shqipëri. Rama tha se miqësia e tyre nuk është çështje politike, dhe se do të “mbijetojë” edhe përtej mandatit të Donald Trump si president.
“Nuk është se e di saktësisht si ndodhi, por ndodhi. Ata erdhën, vizituan, e duan këtë vend, u kthyen dhe pastaj filluan të mendojnë se si të bëjnë diçka. Mendoj se ky është një investim dhe kjo është një miqësi që zgjat shumë kohë, prandaj do të mbijetojë edhe pas Trump-it, kështu që nuk është aspak një miqësi politike. Kjo ishte ajo që thashë atëherë, dhe kjo është ajo që po them tani”, tha Rama.
Intervista e Ramës për Die Presse vjen në një moment kur qeveria shqiptare po përpiqet të përshpejtojë ritmin e reformave dhe të konsolidojë strukturat anti-korrupsion, ndërsa BE ka paralajmëruar se vitet e ardhshme do të jenë vendimtare për procesin e anëtarësimit.
KOHA JONË SONDAZH

