Rama për takimin Nano-Millosheviq: S’ishte tradhti kombëtare!
Në ceremoninë mortore të Fatos Nanos, kryeministri Edi Rama ka vlerësuar figurën e ish-kryeministrit Fatos Nano, duke e cilësuar jetën dhe veprimtarinë e tij si një kapitull të pazëvendësueshëm në historinë e Partisë Socialiste.
Rama theksoi se Nano ishte një personalitet që guxoi të thoshte gjëra që të tjerët nuk i thoshin dot, dhe se shumë nga veprimet e tij politike, të keqkuptuara në kohën e tyre, sot duhen parë me objektivitet historik.
Kryeministri u ndal edhe te momenti më i debatueshëm i karrierës politike të Fatos Nanos – takimi i tij me presidentin serb Sllobodan Millosheviç, në nëntor 1997, që u cilësua si “akt tradhtie” nga opozita e djathtë dhe nga vetë ish-presidenti Sali Berisha. Asokohe kosovarët po masakroheshin nga ushtria serbe.
Rama tha se ky takim duhet parë në dritën e motiveve atdhetare dhe jo si kompromis politik me Beogradin.
“E kam dëgjuar prej tij bisedën me kasapin e Beogradit. Në atë takim nuk ka asgjë prej tradhtari. Kur të dalin në dritë fjalët e thëna dhe qëllimi i tij, askush nuk do të ketë më dyshim se Fatos Nano ka qenë dhe mbetet në rreshtat e nderit,” – u shpreh Rama.


Nga “tradhti” në “strategji politike”?
Takimi i Nanos me Millosheviçin ndodhi në një periudhë të tensionuar për Kosovën, kur regjimi serb ushtronte represion të ashpër ndaj shqiptarëve. Në atë kohë, Berisha dhe partitë e djathta e quajtën veprimin e Nanos “tradhti kombëtare”, duke e akuzuar se kishte cënuar interesat e Kosovës dhe kishte legjitimuar politikën e Beogradit.
Sot, pas tre dekadash, interpretimi politik i atij akti mbetet i ndarë: për disa, ishte një përpjekje e guximshme për dialog dhe stabilitet rajonal, për të tjerë – një gabim politik me kosto të rëndë morale, me saktë tradhti kombëtare dhe thikë pas shpine ndaj Kosovës me ndërhyrjen greke.




KOHA JONË SONDAZH

