Rama përgatit masakrën e dytë ndaj fshatit turistik në Laguna Blu në Qerret
Fshati turistik Laguna Blu në Qerret, Kavajë, është një ndër fshatrat e rralla në vend për organizimin, kushtet, disiplinën e pastërtisë, rregullit dhe natyrisht bukurisë. Janë 212 familje në këtë fshat, të cilët paguajnë taksat lokale dhe kombëtare, kanë kthyer në institucion bordin e administrimit të fshatit dhe tashmë mund të quhet një nga fshatrat shembull në Shqipëri. Por ky fshat turistik njihet edhe për një revoltë të banorëve ndaj kryeministrit Edi Rama që lejoi privatizimin e fushave të sportit të fshatit, ndërkohë që banorët nuk kishin dijeni. Ajo çështje është në dyert e drejtësisë dhe nuk mund të flasim para drejtësisë.
Si të mos mjaftonte ky veprim, mësohet se në këtë fshat, i cili është i gjithë banorëve, po planifikohet nga administrata e Edi Ramës që ta rrënojë si zonë turistike. Duke qenë fshat simbol dhe shumë i bukur, me sa duket ka ngjallur kërsherinë dhe zilinë e kryeministrit Rama, aq me tepër se dikur ka patur banuar edhe Ilir Meta. Siç duket Rama synon të fshijë çdo gjurmë ku ka kaluar apo qëndruar Ilir Meta!
Banorët flasin për një plan shkatërrimtar, për interesa krejtësisht biznesi, të tre personave të lidhur me kryeministrin, të cilët duan me anë të ALUIZNI-t të privatizojnë pishinën dhe restorantin e fshatit Laguna Blu ku më pas të ndërtojnë një hotel 9 -katësh mu në zemër të fshatit turistik, i cili deri ka vetëm ndertesa dy katshe dhe tre katshe, sipas një arkitekture turistike të miratuar dikur nga KKRT.
Plani për të prishur pishinën dhe restorantit e fshatit me anë të ALUIZNI-t është një krim dhe shkelje e ligjit. Nëse duhet privatizuar mjedisi në fjalë është një e drejtë e 210 familjeve dhe jo e tre individëve të fortë të lidhur me kryeministrin. Bile banorët i kanë blerë shtëpitë nga firma Epidam edhe me kushtin e kontratës (aneks) që banorët do të kenë si mjedise të përbashkëta, pishinën, fushat sportive,etj. Natyrisht duke paguar taksën e mirëmbajtjes së fshatit, e cila paguhet nga gjithë banorët. Por djallëzitë dhe hilet, pas shpinës së banorëve, kanë vazhduar me kohë dhe po dalin në dritë tani. Përveç fushave të sportit që i përlanë, dhe ku kryeministri Rama doli hapur pro një individi, e kundër 212 familjeve, tashmë po projektohet dhe punohet që edhe pishinën dhe mjediset e tjera ndihmëse të fshatit të privatizohen në emër të një individi e më pas të fillojnë në muajt e dimrit, kur nuk ka njeri në fshat, hotelin gjigand. Kjo e shkatërron fshatin, prish garancinë e banorëve si dhe mbi të gjitha është një vjedhje e hapur antiligjore që do të bëhet me forcën e Edi Ramës.
Por 212 familjet e fshatit Laguna Blu këtë radhë janë solidarë dhe nuk do të lejojnë njërëzit e kryeministrit të ndërtojnë në fshatin turistik.
Do jetë betejë spektakolare këtë radhë- thonë banorët.
Pyetja shtrohet: Cili është interesi personal i kryeministrit pas këtij ndërtimi? Nuk besojmë se kërkon para ryshfet nga pronarët e fshehur të këtij hoteli që po projektohet. Atëhere çfarë po thur kryeministri Rama? Artan Lame, drejtor i ALUIZNI-t, i cili ka dërguar punonjës të sektorit të tij për të bërë matjet e mjediseve të fshatit që synon të privatizojë personi që zotëron me qera mjediset, duhet të jetë i kujdesshëm, pasi përballja do jetë fatale për ato zyrtarë që guxojnë të bëjnë letrat e legalizimit të mjedisit të përbashkët të 212 familjeve.
Laguna Blu, ku rastësisht kanë qëlluar të jenë edhe njërëz të njohur të medias, biznesit dhe politikës, jep shembullin se sa guxim ka pushteti të vjedhë hapur e pa frikë pronën e të tjerëve për interesa klienteliste. Imagjonin se çfarë iu bëjnë njërëzve të thjeshtë dhe pa përkrahje.
Por këtë herë do të thyejnë hundët pushtetarët dhe njërëzit e klientelës së kryeministrit.