Rama, përzgjedh 10 femra si ministre
-Qeveria e parë në histori me 75 % element femëror në kabinetin qeveritar.
-Burrat në PS do të jenë kryetar komisionesh parlamentare si dhe në parlament për t’u “përleshur” me opozitën, e cila mendohet se do jetë radikale ndaj Ramës.
Deri ditën e dielë kur Edi Rama pritet të zyrtarizojë ministrat e kabinetit të ri qeveritar, ka shumë emra deputetësh dhe ministrash aktualë që shpresojnë se janë në listë. Por mesa duket lista e Ramës do të sjellë risi dhe shumë zhgënjime në radhët e socialistëve të njohur. Në një farë mënyre nëpërmjet Top Channel kryeministri ka paralajmëruar se mos të rrijnë kot duke pritur shumë emra, të cilët kanë blerë në Austri e Itali kostumin e ministrit.
Qeveria do të jetë e vogël në numër, me rreth 14 ministri. Shumica e ministrave do të jenë femra dhe do të ketë pak ose aspak përfaqësues nga deputetët të cilët quhen “garda e vjetër” në Partinë Socialiste. Përjashtim bën vetëm Fatmir Xhafa që do të jetë ministër i brendshëm, pasi e ka pohuar vetë Rama.
Kryeministri ka vendosur që në mandatin e dytë qeverisës të paraqitet me një kabinet të vogël në numër për të shmangur, siç thotë ai, burokracinë dhe mungesën e koordinimit që ka një kabinet i madh. Si asnjëherë më parë, Rama ka vendosur t’u besojë detyra të rëndësishme grave në Partinë Socialiste dhe emrave të njohur të femrave nga shoqëria civile në Shqipëri, por edhe personaliteteve që kanë pasur sukses në diasporë. Përvoja e mandatit të parë duket se e ka bindur kryeministrin, se duke vendosur gra në poste kryesore thashethemet për korrupsion dhe tendera të paligjshëm pakësohen. Femra për nga natyra është më korrekte në këtë sens. Nga ana tjetër lufta politike dhe sulmet e forta të opozitës ka rezultuar se janë më të moderuara kur përballë kanë një grua ministre. Dhe veç kostove më të vogla politike që sjellë qeverisja me femra ministre, rritja e numrit të grave në kabinet i jep qeverisë shqiptare disa pikë shtesë në sytë e ndërkombëtarëve. Barazia gjinore dhe promovimi i grave është një temë e ndjeshme në BE, ndaj Edi Rama e di si të bëjë për vetë zyrtarët e Brukselit duke krijuar në Tiranë një qeveri që nuk imagjinohet në gjithë rajonin. Qeveri me 10 gra ministre ose 75 % e kabinetit qeveritar do jetë me element femëror.
Në këtë linjë, Kryeministri ka piketuar emrat e grave që do të drejtojnë poste të rëndësishme. Mes emrave që kanë poste të sigurta vlerësohen Lindita Nikolla, Mimi Kodheli, Olta Xhaçka, Milva Ekonomi dhe Ogerta Manastirliu. Por përherë Edi Rama surprizon. Nuk i dihet deri ditën që firmos kërkesën drejtuar Presidentit Meta për dekretim. Priten edhe prurje të reja nga shoqëria civile, apo rikthime të ekspertëve dhe ish-deputeteve të legjislaturës së kaluar, të zgjedhura dikur nga Rama, siç është rasti i Rudina Seserit.
Ndërsa për postet me gratë është treguar dorëlëshuar, ndryshe ka ndodhur me burrat dhe deputetët me histori të gjatë politike në PS. I vetmi emër i konfirmuar në kabinet është ai i Fatmir Xhafaj në ministrinë e Brendshme. Suksesi që arriti në pak muaj, por edhe profili i tij publik dhe raportet me ndërkombëtarët e bëjnë Fatmir Xhafën një emër të domosdoshëm në kabinetin Ramën. Ndërsa të tjerët, të gjithë, do të jenë larg posteve ekzekutive dhe vendimmarrjeve të rëndësishme. Emrat kryesorë që kanë mbajtur peshën politike të PS-së në këto vite, si Pandeli Majko, Arben Ahmetaj, Blendi Klosi, Saimir Tahiri, Taulant Balla, Eduard Shalsi, Erjon Braçe etj, nuk parashikohen të jenë në qeveri. Por prapë mundet që njeri prej këtyre emrave në momentin e fundit të ngjitet prapë ministër.
Në projektin e Ramës të gjithë figurat e PS do të jenë drejtues të komisioneve parlamentare. Argumenti i përdorur për këtë vendim është se qeveria e re do të kenë nevojë për reforma ligjore dhe kontributi i tyre është më i vlefshëm në Parlament, ku hartohen ligjet. Aq më tepër që beteja me PD dhe LSI do të jetë mjaft e fortë në Kuvend dhe deputetët me eksperiencë duhet të mbrojnë punën e qeverisë së re. Kjo sipas burimeve nga selia rozë. Por nuk besohet shumë ky argument. Thuhet se Rama ka në plan të spostojë për në pension plotësisht “gardën e vjetër”, pra në zgjedhjet e radhës nuk ka ndërmend ti fus më si deputet. Ndaj nuk po i rifut në lojë.
Një gjë mbetet e sigurtë, qeveria e re do jetë plotë me gra. Nuk është pak si një risi.
Q.XH.