Rama: Raportet Tiranë-Beograd, më të mira se kurrë. Serbia të njoh Kosovën
Kryeministri, Edi Rama ka zgjedhur gazetën serbe “Blic” për të shpalosur qëndrimet e tij lidhur me raportet mes serbëve dhe shqiptarëve. Në një intervistë për tabloidin më të shitur në Serbi, Rama i cilëson marrëdhëniet Tiranë-Beogradë si më të mira se kurrë më parë.
Pjesa qendrore e intervistës së Ramës i kushtohet çështjes së Kosovës dhe njohjes së pavarësisë së saj nga Serbia.
Rama thotë se respekton iniciativën e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, lidhur me një dialog të brendshëm për Kosovën.
“Një iniciativë për tu ballafaquar me të kaluarën në mënyrë frontale dhe jokonvencionale” e ka cilësuar kryeministri Rama. “E ndjej dhembjen dhe vendosmërinë e Vuçiqit për ta zgjidhur problemin e Kosovës” pyetjes se cila është zgjidhja e problemit të Kosovës, kryeministri u përgjigj: “Njohja e plotë e Republikës së Kosovës nga Serbia! “
“Por, e di se kjo është më lehtë të thuhet sesa të bëhet kur e vendos veten në këpucët e Aleksandrit” tha Rama duke shtuar se për momentin është e rëndësishme që secili të punojë fort për zgjidhjen, në mënyrë direkte, me durim dhe në mënyrë jokonvencionale, informon Ora News.
Duke folur për mundësitë e avancimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vende, Rama tha se gjërat duhet të përmirësohen çdo ditë dhe që të dy vendet janë në rrugë të mbarë, por që duhet bërë shumë më tepër.
Në Serbi, javët e fundit ka nisur një debat për krijimin e një raporti të ri me Kosovë. Presidenti i ri i vendit, Aleksandër Vuçic dhe ministri i Jashtëm, Ivica Daçiç kanë deklaruar se duhet arritur një zgjidhje përfundimtare për marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve. Në mënyrë indirekte dy politikanët serb kanë lënë të kuptohet se normalizimi i marrëdhënieve Beograd-Prishtinë është një kusht për integrimin e Serbisë në BE. Por në asnjë rast Vuçiç dhe Daçiç nuk kanë deklaruar qartë nëse me normalizim nënkuptohet njohja e pavarësisë së Kosovës.