Edi Rama reagon ashpër: Gjyqtari që pezulloi Çakon, killer me pagesë
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj gjyqtarit, Arjan Aliaj, i cili vendosi pezullimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Rama shkruan në FB se ky gjyqtar është shkarkuar për korrupsion dhe mospërmbushje të detyrës!
Kryeministri e quan gjyqtarin killer me pagesë, pasi ka liruar njerëz të dënuar për vrasje dhe përdhunim. Më herët edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri akuzoi gjyqtarin Aliaj, me të njëjtat argumente.
Ndërkohë Unioni i Gjyqtarëve, në një deklaratë për mediat i cilësoi këto reagime si të papranueshme ndaj sistemit të drejtësisë.
Deklarata e i Kryeministrit Edi Rama:
Kush është gjykatësi që vendosi pezullimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë? Një personazh aq thellë i zhytur në kënetën e sistemit të drejtësisë sa vetë Këshili i Lartë i Kënetës e ka shkarkuar për korrupsion dhe mospërmbushje të detyrës!
Ky killer me pagesë apo me flamur partie i drejtësisë Ka liruar nga burgu të paktën 7 herë njerëz të dënuar për vepra të rënda penale; vrasje, përdhunime, grabitje me armë… Po si mundi të kthehet në detyrë ky lloj personazhi që me vendimet e tij kriminale arriti të verë në pozitë të vështirë edhe vetë sistemin e korruptuar të drejtësisë?! Kujt i duhej rikthimi nga i ndëshkuar në gjykatës i këtij shkelësi profesionist të ligjit, që ka dhënë të paktën 7 prova se çekiçin e drejtësisë e përdor për t’i shtypur kokën drejtësisë?
Thjeshtësisht e hidhur është përgjigja: Ky derdimen pa din e as iman e rimori çekiçin në dorë sepse u duhej atyre që sot nuk e duan Reformën në Drejtësi, për të shtypur drejtësinë për hesap të interesave të tyre!
https://www.facebook.com/edirama.al/posts/10153757466211523