Rama reagon sërish për mediat: Nuk iu fyeva. Thjesht dhashë një opinion
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish sot pas sherrit dhe fyerjeve drejtori ndaj gazetarëve, pas përfundimit të sancës. Në një shënim që e nis në formë shpjegimi për ato që deklaroi në drekë, Rama sërish këmbëngulë se ka thënë ato që mendon për mediat. Kryeministri shprehet se këto ditë gazetarët kanë raportuar budallallëqe për çështjen “Tahiri”. ‘
“Padiskutim ata janë në të drejtën e tyre të mos kuptojnë atë që thonë ose të thonë me qëllim gënjeshtra e budallallëqe. Janë në lirinë e tyre të dëgjojnë siç u bëjnë veshët apo kur nuk e dinë diçka, të mos përpiqen as ta mësojnë. Janë në punën e tyre që ta bëjnë punën duke shkelur me këmbë çdo normë e rregull bazik, të një profesioni aq fisnik e të vështirë njëkohësisht”,- shprehet Kryeministri.
Komenti i plotë i Edi Ramës
“Asnjë ofendim thjesht opinion
Po pse qenkan ofenduar gazetarët nga unë? Sipas tyre po edhe sipas të tjerësh, në kazanin mediatik e në atë politik, i paskam fyer sot pas seancës së Kuvendit!
Fare! Nuk kam fyer askënd. Thjesht kam dhënë opinionin tim, për çka ata kanë bërë, gjatë gjithë këtyre ditëve duke e dizinformuar publikun, lidhur me qëndrimet e mia dhe të Partisë Socialiste!
Padiskutim ata janë në të drejtën e tyre të mos kuptojnë atë që thonë ose të thonë me qëllim gënjeshtra e budallallëqe. Janë në lirinë e tyre të dëgjojnë siç u bëjnë veshët apo kur nuk e dinë diçka, të mos përpiqen as ta mësojnë. Janë në punën e tyre që ta bëjnë punën duke shkelur me këmbë çdo normë e rregull bazik, të një profesioni aq fisnik e të vështirë njëkohësisht.
Por as ata – dhe këtu nuk flas, siç nuk fola as sot thjesht për gazetarët e terrenit, po e kisha dhe kam me të gjithë ata që lirinë e pushtetit të medias janë mësuar ta përdorin si armë, për të “vrarë e prerë”, pa teklif e as karar – dhe as kushdo tjetër, nuk më ndalon dot mua të shpreh opinionin tim; qoftë për turpin që i mbetet kujtdo që e shtrembëron, shkel apo shkatërron të vërtetën nga pozitat e gazetarit, duke më vënë në gojë gjëra që s’i kam thënë dhe jo vetëm; qoftë për paditurinë që shfaqet brutalisht nga mëngjesi deri në darkë, si liri dhe e drejtë për të dhunuar lirinë e të drejtat e tjetrit, në emër të profesionit (kur je gazetar je ëngjëll, kur je politikan je djall, prandaj o burra bjeri t’i biem kujt të duam se brenda jemi); qoftë për transformimin e urës së komunikimit mes politikës e publikut, në një grykë thashethemnaje frenetike, ku nuk e merr vesh i pari të dytin!
Kështu që kush është ndjerë i ofenduar, të mos keqkuptohet. S’kam ofenduar askënd dhe s’ka asgjë për t’u ofenduar. Thjesht dikush, unë në këtë rast, u ka thënë në mexhelis se çfarë mendon për punën që kanë bërë tërë këtë javë, në raport me qëndrimet e mia e të Partisë Socialiste.
Vetëm një gjë: Le ta pyesin njëherë publikun se çfarë mendon për ta, se kushedi u del që unë them atë që shumica e popullit nuk ka mikrofon t’ua thotë”.
Pas deklaratave të bëra paradite nga Edi Rama, gazetarë të njohur dhe shoqata të gazetarëve reaguan duke e cilësuar të papranueshëm qëndrimin e Kryeministrit. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagi ashpër pas deklaratave të forta dhe fyese të kryeministrit Edi Rama ndaj gazetarëve, pas seancës së sotme plenare. UGSH iu bën thirrje gazetarëve të bojkotojnë veprimtarinë e kryeministrit ditën e premte.
Përmes një reagimi në ‘Facebook’, UGSH i cilëson deklaratat e kryeministrit arrogante, duke thënë se në mënyrë të përsëritur ai përdor publikisht etiketime fyese dhe injoruese ndaj mediave e gazetarëve.