Rama shemb shtëpitë te “Astiri”. Dhunë dhe tmerr te banorët, por ku është Opozita?

Ndodhi ajo që pritej. Rama e dha urdhërin final që shtëpitë te “Astiri” të prishen me forcë. Realisht deri tani ka hezituar nga frika e opozitës dhe ndërkombëtarëve. Por për dreq dje dy nga ambasadat kryesore e mbështetën në aktin e tij të hapur antikushtetues në zgjedhjen e dy anëtarëve të gjykatës kushtetuese.

E pse të mos marrë zjarr kryeministri ndaj banorëve të Astirit?!

Edhe kryeopozitari Basha vazhdon “Rrugëtimin për Shqipërinë”, ndërsa siç e shkruan bukur analisti Andi Bejtja se “rruga e Bashës duhej të ishte sot të “rruga e Astirit”. Nuk mbrohen banorët nga bandat e dhunës policore me dy apo tre deputetë të opozitës, por duhej lideri Basha dhe krejt populli opozitar që mbrëmë të ishin aty, kur u mor vesh se qindra forca policie rrethuan zonën për shembje të shtëpive.

Opozita duhej aty ballë për ballë, e dhunës me dhunë ti përgjigjej.

Ndaj kryeministri tregon dhembët me forcën e policisë.

Kronika e ngjarjes:

Qindra forca policie kanë rrethuar që në orët e para të mëngjesit zonën e Astir për të prishur banesat, së bashku me punonjës të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territoritit.

Banorët i kanë pritur me protesta dhe përplasje të forta.

Situata është tensionuar së tepërmi ku ka pasur edhe përplasje fizike, ndërkohë që IKMT ka nisur aksionin për prishjen e banesave në zonën e “Astirit”.

Mësohet se policia ka shoqëruar disa persona, ndërkohë që nuk ka ende një njoftim zyrtar mbi numrin e të shoqëruarve. Nga spitali i traumës njoftohet zyrtarisht se ka 5 policë dhe 7 protestues të plagosur. Mësohet se ka shumë protestues të plagosur pasi nuk duan të paraqiten në spital nga frika e arrestimeve.

Pamjet tregojnë se banorët kanë pësuar dëmtime e dhunë prej përplasjeve me efektivët policorë megjithatë operacioni i shembjeve nuk ka ndalur. Rruga është bllokuar në të dy krahët e saj edhe nga forcat speciale.

IKMT njofton në Fb se la nisur aksionin tek “Astiri”: “Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka nisur mëngjesin e sotëm prishjen e një sërë objektesh në zonën e “Astirit”, – thuhet në njoftim, –  për projektin e Unazës së Madhe së kryeqytetit, Loti I.

Janë 33 objekte që do të prishen, prej të cilave 21 janë shpronësuar, ndërsa të tjerat janë skualifikuar nga procesi i legalizimit. Objektet variojnë nga një deri në katër kate. IKMT mbështet në këtë aksion nga Policia e Shtetit,” përfundon njoftimi i IKMT.

SHKARKO APP