Rama shet Tahirin: Kush prek në dërrasë të kalbur, të përgjigjet para drejtësisë
-“Më thua kam 4 javë që nuk flas për Saimir Tahirin. Por çfarë të them unë për Tahirin? Mua më takon të flas? Të merret drejtësia me atë…”- u justifikua kreu i PS-së.
-Kryeministri deklaron: “Unë bashkëpunëtorët i besoj të gjithë dhe mbroj deri në fund idetë që ndajmë, punën që bëjmë. Por unë nuk jam avokati i asnjë bashkëpunëtori. Kush prek në dërrasë të kalbur, të shkojë e të përgjigjet aty ku duhet të përgjigjet”.
Kryeministri Edi Rama i është rikthyer çështjes “Tahiri” dje në Kuvend pas presionit të vazhdueshëm të opozitës dhe opinionit për të mbajtur një qëndrim të qartë për ish-ministrin e tij. Në replikat e ashpra me kreun e PD-së Lulzim Basha, Rama ka shpjeguar dhe arsyet se përse ka heshtur për ish-mikun dhe ish-ministrin besnik. Ishte një përgjigje që më shumë se për Bashën i drejtohej Tahirit, por edhe bashkëpunëtorëve të tjerë të Edi Ramës në PS.
“Ta kesh të qartë (Basha), ta keni të qartë të gjithë, unë kam qenë dhe do jem gjithmonë ky. Unë bashkëpunëtorët i besoj të gjithë dhe mbroj deri në fund idetë që ndajmë, punën që bëjmë. Por unë nuk jam avokati i asnjë bashkëpunëtori.Kush prek në dërrasë të kalbur, të shkojë e të përgjigjet aty ku duhet të përgjigjet”,- deklaroi kreu i qeverisë Edi Rama.
Mos komentimin e tij më përpara, për Tahirin, Rama e shpjegoi edhe me faktin se tashmë çështja e ish-ministrit është në dorë të drejtësisë dhe i takon asaj të flasë. “Më thua kam 4 javë që nuk flas për Saimir Tahirin. Por çfarë të them unë për Tahirin? Mua më takon të flas? Apo është detyra jote? Nuk është as e imja, e as e jotja, por është e atyre që po e hetojnë Tahirin”,- tha Rama duke iu referuar Prokurorisë. Bashkë me shfajësimin për heshtjen, kryeministri dhe shefi i PS-së ka bërë dhe krahasimin mes tij dhe Berishës. Kryeministri iu drejtua Bashës se “nuk do të bënte për Tahirin, atë që bënte Berisha për Bashën”, kur ky i fundit akuzohej nga Prokuroria për Rrugën e Kombit.
Veç diversioneve politike me Bashën, Berishën dhe PD, deklarata e djeshme e Edi Ramës më shumë ngjan si një sinjal për Tahirin dhe Partinë Socialiste. Nga një mbrojtje e flaktë që PS-ja i bëri Tahirit në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit u duk se Kryeministri nuk do ta lëshonte ish-ministrin e tij, por do ta mbronte deri në fund. Në fakt, nuk ka ndodhur kështu, të paktën në mesazhet publike që ka dhënë Kryeministri. Mbrojtja e fortë politike e PS funksionoi deri kur patentat e ish-ministrit u gjetën bashkë me 860 mijë euro në makinën e një biznesmeni në Elbasan. Që nga ajo ditë Edi Rama i është shmangur çështjes “Tahiri” si asnjë çështje tjetër më parë. I ikën si djalli temjanit! Ka frikë se nuk e di se çfarë kanë në dosje prokurorët.
Kryeministri që replikon ashpër edhe me profilet fallso të qytetarëve anonimë që e ngacmojnë në Facebook, prej disa javësh i shmangej çdo komente për ish-ministrin e tij besnik. Nëse ka njeri që e njeh mirë Tahirin dhe se çfarë ka bërë ai, këtë e di mjaft mirë vetëm Edi Rama.
Deklarata e djeshme në Kuvend është një tjetër hap edhe më i fortë drejt distancimit. Kryeministri foli në Kuvend për “dërrasë të kalbur” dhe për bashkëpunëtorë që do t’i lëshojë në momentin më të parë përballë drejtësisë, nëse gabojnë. Ky qëndrim është sinjali i qartë se kryeministri Edi Rama nuk do që të ketë asnjë lidhje me emrin e ish-ministrit dhe mikut të tij gjatë katër viteve. Por a pranon ish-ministri të shitet që të shpëtojë qeverinë?!
Arsyet e kësaj sjelle të kryeministrit janë disa. Më kryesorja është se Rama synon që qeverisja e tij të mos lidhet me çështjen e kanabizimit. Gjithë kostot që ka marrë gjatë viteve të fundit për kabanisin dhe trafiqet, ai shpreson që politikisht mund t’ja faturojë ish-ministrit.
Por veç kësaj ka dhe një tjetër arsye që e bënë kryeministrin të qëndroj larg Tahirit dhe ta “shesë” në rastin më të parë. Nëse verifikohen akuzat ndaj ish-ministrit, atëherë ato që kanë dalë në publik janë vetëm maja e ajsbergut të skandaleve. Rrëzimi i ish-ministrit mund të nxjerrë në public skandale shumë herë më të mëdha ku janë të përfshirë edhe emra të tjerë zyrtarësh të lartë. Frika nga ky skenar bën që Edi Rama të distancohet sa më parë nga ish-ministri dhe miku e tij duke i kujtuar “dërrasën e kalbur”. Problemi është se veç Tahirit, sa bashkëpunëtor të tjerë të kryeministrit kanë shkelur në dërrasa të tilla?
Informacionet thonë se janë edhe dy ministra të PS-së.
Qamil Xhani