Kryeministri urdhëron: STOP monopatinave elektrike! Ministrja Koçiu: Nga e hëna ndalohet qarkullimi, rrezik për sigurinë publike
Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur sot ndalimin e përkohshëm të qarkullimit të monopatinave elektrike në qytetet e vendit, pas shtimit të ndjeshëm të aksidenteve të raportuara. Në një postim në rrjetet sociale, ai nënvizon se vetëm nga urgjencat mjekësore janë evidentuar 991 raste të lidhura me përdorimin e tyre, një shifër që e konsideron alarmante.
“991 raste të raportuara nga urgjencat janë më shumë se sa mjaft për ta ndalur menjëherë këtë risi të rrezikshme në qarkullimin rrugor të qyteteve tona, deri në hartimin e një rregulloreje strikte të bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare”, – shkruan Rama.
Sipas kreut të qeverisë, vendimi synon të garantojë sigurinë publike dhe parandalimin e aksidenteve, duke lënë të hapur mundësinë që monopatinat të rikthehen në përdorim vetëm pasi të hartohet një kuadër ligjor i posaçëm, që do të përcaktojë kufizime për shpejtësinë, moshën e përdoruesve, pajisjen me elementë sigurie dhe zonat e lejuara të qarkullimit.
Ky reagim vjen pas një periudhe ku monopatinat elektrike janë bërë gjithnjë e më të përhapura në rrugët e qyteteve shqiptare, shpesh pa respektuar rregullat e qarkullimit dhe pa standarde sigurie, duke rritur ndjeshëm numrin e incidenteve me pasoja fizike.
Ndalimi hyn në fuqi menjëherë, ndërsa institucionet përkatëse janë ngarkuar me detyrën për të përgatitur sa më shpejt rregulloren e re që do të përcaktojë kushtet e rikthimit të monopatinave në qarkullim.
Policia e Shtetit duke filluar që nga nesër, e hënë, do të ndërmarrë një operacion për ndalimin e qarkullimit të monopatinave elektrike.
Lajmi u bë i ditur ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda, të cilët bën sot publike rregullat e reja për sigurinë publike në lidhje me përdorimin e monopatinave elektrike.
Ministrja Koçiu u shpreh se “kemi marrë një sërë ankesash nga qytetarësh rreth rrezikshmërisë që këto mjete përfaqësojnë sidomos për të miturit apo të moshuarit që lëvizin në rrugë por edhe për vetë përdoruesit e tyre. Të dhënat e policisë së shtetit mbështesin këtë problematikë në rritje”.
“Përdorimi i këtyre mjeteve epo shkakton një rrezik imediat për sigurinë publike, mjafton të përmendim faktin që vetëm gjatë 2024 janë 991 raste të raportuara nga urgjenca për aksidentet me këto mjete. Midis këtyre rasteve ka pasur edhe fatalitete dhe dëmtime të rënda.
“Për ta adresuar këtë problem, ne kemi përcaktuar dhe një procedurë standarde bazuar në ligjin e policisë së Shtetit për të adresuar këtë problem, duke ndëshkuar drejtuesit e këtyre mjeteve dhe përdorimin e këtyre mjeteve në rrugë urbane përfshirë dhe trotuaret duke arritur deri në bllokim administrativ të këtyre mjeteve”, tha Ilir Proda.
Ministrja Koçiu theksoi se “sot i kam kërkuar policisë së shtetit që përkohësisht të mos lejojnë qarkullimin e monopatinave elektrike në rrugë.
“Gjithashtu dua të informoj të gjithë ata që e shohin monopatinën si mënyrë biznesi për dhënien me qira ditore duhet ta kenë të qartë të mos investojnë në këtë aktivitet. Lejimi gjithmonë pas përfundimit të këtij procesi do të jetë i vlefshëm vetëm për përdorim vetjak të këtyre mjeteve.
“Ne do të hartojmë rregulla të qarta dhe të zbatueshme nga të gjithë do të qartësojmë një herë e përgjithmonë se cilat janë korsitë rrugë apo hapësira ku monopatinat mund të përdoren dhe ku jo si dhe kriteret për moshën e përdorimit, masat mbrojtëse si kaska, ndriçimi apo shpejtësia e lejuar. Deri në hartimin e një kuadri të plotë rregullator interesi publik dikton një ndërhyrje të mëhershme”, u shpreh ministrja.
Proda shtoi se “që nga dita e hënë Policia e Shtetit do të përfshihet në një operacion për ndalimin e qarkullimit të këtyre mjeteve prandaj kërkojmë mirëkuptimin qytetarëve në këtë proces”.
Ministrja e përmbylli fjalën duke theksuar se “Shqipëria nuk është i vetmi vend i përballur me këtë situatë, Franca Italia Gjermania në rajon Maqedonia e Veriut kanë marrë masa drastike me bllokim të përhershëm apo të pjesshëm”.
“Ne do të analizojmë praktikat më të mira evropian dhe do të marrim masat e nevojshme në interes të gjitha palëve të përfshira”, u shpreh Koçiu.
Albert Vataj
KOHA JONË SONDAZH

