Edi Rama sulmon Haradinajn: Po gënjen!
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj homologut të tij kosovar, Ramush Haradinaj, pas deklaratave të këtij të fundit se udhëheqësi shqiptar i kishte bërë presion në Berlin, gjatë Samitit për Ballkanin, që të hiqte taksën ndaj Serbisë.
Gjatë një interviste dhënë dje për mediat në Kosovë, Haradinaj tha se më shumë kishte presion nga Edi Rama për heqjen e taksës sesa nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.
Rama, nëpërmjet një shkrimi në adresën e tij zyrtare, në rrjetin social Facebook, në internet e ka ofenduar Haradinajn, duke thënë se kryeministri i Kosovës po gënjen publikisht.
Postimi i plotë në Facebook i kryeministrit Edi Rama:
Edi Rama: E VERTETA IME ME SHUME DESHMITARE
Si rregull udhëheqësit nuk i komentojnë në publik bisedat mes tyre e sidomos ato informale, aq më tepër pa rënë dakord paraprakisht dhe lëre pastaj t’i shtrembërojnë, duke gënjyer për të dalë “burra të mirë” para popullit të tyre, si të ishin duke shitur mish në pazar. Më vjen sinqerisht keq që miku im Ramush, nuk e ka mësuar ende këtë rregull kaq të thjeshtë, megjithëse normalisht ky s’është as ndonjë rregull udhëheqësish në fakt, po një normë elementare mirëkuptimi njerëzor. Nuk është hera e parë që e bën, po është hera më e gabuar dhe prandaj këtë herë, s’e kaloj dot në heshtje si të tjera.
Askush s’i ka bërë Ramushit presion në Berlin për të hequr taksën. Unë jo e jo. Madje askush as i’a ka kërkuar hiç që ta heqë taksën! Unë jo e jo. Përkundrazi.
Kancelarja Merkel dhe Presidenti Macron, kanë nxitur një diskutim informal në holl mbi rifillimin e dialogut. Kam ndërhyrë vetëm njëherë, duke thënë se ata duhet të hynin vetë në proces. Më tutje i kanë kërkuar më shumë durim dhe disa herë Ramushit jo ta heqë taksën, po thjesht të japë pëlqimin që taksa të pezullohet përkohësisht, për 6 muaj apo edhe për 4 muaj qoftë, duke u zotuar që të hyjnë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi ata vetë. Edhe të dy personalisht, Kancelarja dhe Presidenti!
I kam sugjeruar Ramushit në dy momente ta pranojë këtë kërkesë të tyre, sepse kam menduar dhe mendoj që përfshirja direkte në nivelin më të lartë e Gjermanisë dhe Francës, boshtit të Bashkimit Europian, u shfaq si një mundesi e re dhe shumë e favorshme për ta shtruar çështjen e finalizimit të dialogut, në nivelin më të lartë të mundshëm.
E kam mbështetur dhe e mbështes edhe sot taksën si një “klithem” të Kosovës, që ta dëgjojë bota dhe si të tillë edhe e kam mbrojtur, kudo e me këdo. Po unë di që ajo është një taksë që i është vënë Serbisë, jo një mur që i është vënë Gjermanisë, Francës apo SHBA, për t’i ndaluar ta ndihmojnë e ta mbështesin Kosovën, në rrugën e përpjekjes së mundimshme historike drejt njohjes përfundimtare nga gjithë bota. Dhe kur këta aleatë të mëdhenj dhe të pazëvëndësueshëm dot nga askush e askurrë (pa të cilët jo Ramushin, po as Kosovën dhe të drejtën e saj njëqind vjet të mohuar s’do ta njihte kurrëkush ende sot), kërkojnë thjesht pezullimin e përkohshëm të taksës, në mënyrë që të mund ta ndihmojnë e ta mbështesin Kosovën drejt njohjes së saj të plotë ndërkombëtarisht, refuzimi është i pakonceptueshëm për mua.
Shtoj këtu se më ka mbetur gozhdë fakti që miqtë e mëdhenj, hasen në një refuzim të pashpjegueshëm edhe kur propozuan që përkundër pezullimit të përkohshëm të taksës, nëse në fund të muajve të dialogut nuk do të arrihej objektivi final i nënshkrimit të paqes, atëherë do t’i hapej përfundimisht rrugë liberalizimit të vizave për Kosovën(!).
Gjithësesi, meqë Ramushi u qa publikisht se unë i paskësha bërë më shumë presion se sa Vuçiçi për heqjen e takses, mua s’më mbetet tjetër vecse të ngushëllohem me faktin që pas samitit edhe Vuçiçi, u shpreh publikisht ndaj meje po aq i palumtur sa Ramushi.
S’kam dashur dhe s’dua të hyj asnjëherë në polemika publike me askënd në Kosovë, aq më pak me kryeministrin e Kosovës. Uroj që të mos jem i detyruar ta bëj përsëri. Ai ka të drejtën e tij të flasë në emër të Kosovës, po mua s’ma heq dot askush të drejtën të flas për Kosovën. (Nga Edi Rama)
Haradinaj: Thaçi e Rama më bënin më shumë presion se Vuçiç në Berlin
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka treguar të martën, pas kthimit nga Samiti i Berlinit, se si presidenti Hashim Thaçi, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i kanë bërë presion më shumë se Vuçiçi në sy drejtuesve të BE, në Berlin, për ta hequr taksën. Në një intervistë për median në Kosovë i tha se ata kanë folur në gjuhën angleze dhe gjuhë tjera, me qëllim që të kuptonin edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti i Francës, Emanuel Macron, të cilët ishin organizatorët e Samitit të Berlinit.
“Edhe dje u përsërit ajo që më ka ndodhë edhe në të kaluarën. Isha krejtësisht i vetëm në një qëndrim. Ma se vështirë ish. Edhe presidenti (Thaçi), edhe Edi Rama më shumë bënin presion ata dy me e heq taksën, sesa shtetet tjera. Të gjithë insistonin që me respektu qëndrimin e kancelares dhe Makronit, që ky është një shans i mirë për Kosovën e që nuk duhet me e humb. Një insistim direkt i pandalshëm. Në një gjuhë që ishte në anglisht, qe e merrnin vesh, edhe kancelarja edhe presidenti Makron”,- tha Haradinaj në një intervistë ekskluzive për T7 nga Berlini. Megjithatë Haradinaj thotë insistuar të tregojë që vendimin për taksë e ka marrë i detyrua, pasi Serbia e ka luftuar Kosovën në çfarëdo forme. “Unë u kamë thënë që ai vendim është marrë nga zori. Serbia ka marrë vendime agresive ndaj nesh, që kanë rrezikuar sigurinë nacionale. Ky vendim hiqet në rast të një marrëveshje për njohje. Nëse përgatitet një marrëveshje për njohje, dhe nënshkruhet mund ta suspendojmë. Por jo për një proces të dialogut që mund të devijojë”- tha Haradinaj.
Kryeminsitri ka thënë që Thaçi dhe Edi Rama duhej të kishin një qëndrim të përafërt, pasi që me deklarimet dhe presionin e tyre e kishin vendosur në një pozitë të keqe para të gjithëve në Berlin. Megjithatë ai mbetet e i palëkundur duke thënë se vetëm me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, do të hiqtë taksën. “Edhe dje kam dalë keq. Ma mirë ka qenë që Edi edhe Hashimi me thanë që mos me qit kushte në dialog. Por tash kur të thotë presidenti yt, dhe kryeministri i vendit tjetër, i bjen që veç ti po e pengon këtë proces. Kjo nuk është në rregull. Ne s’kemi ku me shku pa pas qëndrime të njëjta. Nuk besoj që dikush ka dilema, që njohja është formula. Por si me ardhe deri te njohja, nuk duhet me dobësuar pozicionin e Kosovës tek taksa. Heqja e taksës në start të dobëson”, ka thënë Haradinaj.
Reagon AAK e Haradinaj: Loja e Ramës me Kosovën është neveritëse
Debati mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shënuar një precedentë të rrezikshëm në politikën shqiptare dhe atë kosovare. Kryeministri Rama fyeu kreun e qeverisë së Kosovës duke e cilësuar si gënjeshtar. Një deklaratë e tillë ka sjellë dhe replika të forta nga ana e anëtarëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, që drejtohet nga Ramush Haradinaj.
Deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka reaguar ndaj deklarimit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Ka thënë se ishte nën dinjitetin e një kryeministri. “Nuk i jap të drejtë vetes për të komentuar se çfarë ka ndodhur në Berlin, por loja me fjalë e Edi Ramës për mohimin se ai nuk i paska kërkuar Ramush Haradinajt heqjen e taksës, por ia paska sugjeruar në dy raste pezullimin e saj, është neveritëse dhe nën dinjitetin e një kryeministri”, ka thënë Nitaj.
“Aq më tepër kur në katrahurën gjuhësore të tij, i përvijohet edhe fjala gënjeshtër, ani se në të njëjtin shkrim të tij, edhe vet e pranon se në dy raste i paska sugjeruar Haradinajt ta pranojë kërkesën për pezullimin e taksës! Pse si e paska konceptuar Edi Rama sugjerimin për pezullimin e taksës!? Mbështetje jo se jo!! Ndërkaq sugjerimi, për ne në Kosovë, nuk është hiç më pak se kërkese!”, shton deputeti i AAK.
Nitaj shtuar se “Edi Ramës nuk ia heq dot kush të drejtën të flasë për Kosovën, por kjo nuk do të thotë se ai mund ta eklipsojë dështimin e politikës së tij, duke vjellë vner ndaj vendimi sovran të Qeverisë e të Kryeministrit të Kosovës”. “Nëse Edi Rama do që vërtetë të flasë e ta ndihmojë Kosovën, duhet të mos marrë anë, jo vetëm në relacionin ndërmjet Kosovës e Serbisë, por as brendapërbrenda Kosovës, siç ne nuk po marrim anë në përplasjen e madhe politike në Tiranë!”, ka thënë më tej Nitaj. “‘Gojët e këqija’ po flasin se Edi Rama, jo vetëm se ka marrë anë, por ka kohë që është në anën e gabuar!”.