Rama u mori edhe Trumpin, PD-së!
Deri më sot PD dhe opozita bërtisnin në sheshe dhe nxirrnin postera karikature ku Edi Rama ishte veshur si Maduro, ish-presidenti i Venezuelës, e ku forcat elitë amerikane do ta rrëmbenin në Surrel. Ca të tjerë thonin se sa të arrijë në SHBA do ta arrestojnë kryeministrin e Shqipërisë.
Berisha deklaronte se Trumpi është me ne.
Kishte edhe të tjerë që pohonin se sapo Rama të dalë nga takimi te Bordi i Paqes do ti mbërrijë FBI-ja te makina e tij!
Çfarë nuk thuhej në Tiranë për të karikuar bateritë e vjetra të PD-së.
Por dje Edi Rama ishte në Uashinton, foli para Trumpit dhe qëndroi disa minuta veçmas me Trumpin live, duke tronditur PD-në në Tiranë, e cila kishte varur shpresat se presidenti i SHBA nuk do ta takonte apo edhe mund ta sarkazonte.
Ndodhi ajo që pa gjithë bota live, bile pas takimit përmbydhës në kryeqytetin e shtetit që drejton botën, Rama publikoi foto edhe me dhëndrrin e Trump, Jared Kushner. Foto nuk ishte thjesht protokollare, por duket qartë relata shumë miqësore me të.
Jared Kushner është dhëndrri, por jo vetëm. Ai është i besuari Trump në çdo takim jetik për botën. Kushner është veshi dhe syri i Donald Trump.
Të mos harrojmë se tre ditë ishte në Tiranë edhe vetë vajza e Trump, Ivanka. U takua me kryeministrin e Shqipërisë. Në mes është investimi prej afro 1.2 miliardë dollarë, si fillim, i një projekti fantastik te ishulli i Sazanit dhe në Zvërnec.
Vërtet ka një slogan “ndiq paranë”, por në këtë rast duhet thënë “ndiq paranë dhe forco pushtetin”!
Ndërkohë sot është protesta e PD në sheshin para kryeministrisë. Pikëpyetje e madhe mbetet nëse do ta nxjerrin prapë Ramën si Maduro?
Sepse “maduro shqiptar” ishte dje te Trump dhe me Trumpin!
E vështirë ta rrëzosh kryeministrin Rama pas gjithë kësaj që ndodhi. Vetëm nëse PD vendos të rrijë në bulevard me javë të tëra, mund të ketë ndonjë dritë jeshile për Selinë Blu nga BE, ndonëse “dielli” i Uashingtonit dhe “ylli” i Sazanit ndriçojnë mbi kryeministrinë ku Rama drejton prej 13 vitesh./Spiten Prulli/




KOHA JONË SONDAZH

