RAMA:PAPUSHIM TË SHTOJMË RADHËT E PS PËR TË RRITUR FUQINË E NDRYSHIMIT
Nga Edi Rama
Dje në një takim të jashtëzakonshëm në Korçë për anëtarësimet e reja në Partinë Socialiste të cilat po vijojnë papushim në të gjithë Shqipërinë, duke shënuar dhe prurjen më të madhe që ka ndodhur në familjen tonë të madhe në të gjitha fazat dhe fushatat për anëtarësime të reja. Ajo që Partia Socialiste po bën prej dy vitesh e gjysmë në drejtimin e qeverisjes së vendit është një motiv shumë i fortë për shumë qytetare dhe qytetarë të këtij vendi, pavarësisht moshës, gjinisë, krahinës, që t’i bashkohen Partisë Socialiste. Sepse në këto dy vite e gjysmë, ne padyshim nuk kemi bërë gjithçka, por kemi bërë aq sa mjafton për çdo njeri të arsyeshëm dhe që e do këtë vend, qe të kuptoje se ne jemi e vetmja fuqi që mund ta ndryshojë dhe ta çojë Shqipërinë në drejtimin e duhur.
Korça është një nga ato zona të Shqipërisë ku Partia Socialiste mund të dëshmojë me fuqinë e shembullit, aftësinë e vet për të projektuar një vizion dhe për të realizuar hap pas hapi, jetesimin e vizionit në realitetin e përditshëm të njerëzve. Në këto dy vite e gjysmë me Partinë Socialiste në qeveri, për Korçën është investuar më shumë se në 20 vjet, të marra së bashku. Me mbështetjen që ne do të vazhdojmë t’i japim Bashkisë së re të Korçës, dhe të gjitha bashkive të tjera të këtij qarku, ndryshimi që do të përjetohet në vitin që jemi, në vitin që vjen dhe në vitet e tjera të qeverisjes së Partisë Socialiste, do të jetë edhe më i madh sesa ndryshimi i këtyre dy viteve e gjysmë.