Reagime ndërkombëtare për largimin e Ditmir Bushatit. Ministrat e BE: Do na mungosh!

Largimi i Ditmir Bushatit nga drejtimi i diplomacisë shqiptare ka shkaktuar habi jo vetëm në Shqipëri, por edhe te partnerët ndërkombëtarë. Shkarkimi i tij nga kryeministri Edi Rama pa motivacion zyrtar dhe në momentin që Shqipëria pritet të ketë një rol më të madh në Rajonin e Ballkanit, ka bërë që edhe diplomatë të rëndësishëm ndërkombëtarë të shohin me skepticizëm lëvizjet në diplomacinë e Tiranës.

Aq i papritur duket largimi i tij, sa dhe diplomatët që zakonisht nuk komentojnë në publik ndryshimet në përfaqësimin e vendeve të tjera, këtë herë kanë “thyer rregullin” duke e shprehur hapur pakënaqësinë me ndryshimet e ndodhura në Tiranë në krye të diplomacisë shqiptare.

Reagimet kanë ardhur jo vetëm në mënyrë private te zyrtarët e qeverisë shqiptare, por nuk kanë munguar dhe komentet publike në rrjetet sociale.  Në profilin zyrtar të Twitter të Ditmir Bushatit janë me qindra reagime keqardhje për largimin e tij dhe qëndrime pro punës që ai ka bërë në më shumë se pesë vjet në Ministrinë e Jashtme.

Ato që bien në sy në reagimet publike janë të disa prej emrave të diplomacisë së Bashkimit Europian, si ministri gjerman për Europën, Michael Roth, një politikan i rëndësishëm i Bashkimit Europian, Margot Wallström, Ministre e Jashtme e Suedisë, apo dhe Knut Fleckenstein, eurodeputet, Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian.

Ministri gjerman shprehet hapur në komentin e tij se nga ministria e Jashtme e Shqipërisë u largua “një udhëheqës i guximshëm politik dhe një europian i përkushtuar”. Gjithashtu dhe ministrja e Suedisë vlerëson Bushatin për punën e madhe që ka bërë diplomacia shqiptare gjatë viteve të fundit.

Raportuesi për Shqipërinë në PE, duke vlerësuar profilin e Bushatit shprehet se; “Herët a vonë rrugët tona do të kryqëzohen prapë. Dhe unë po pres për këtë moment”.

Ndërkohë zyrtarë të institucioneve ndërkombëtare si UNICEF, në mënyrë më të drejtpërdrejtë thonë hapur se “largimi i Bushatit është do të krijojë një boshllëk që nuk do të plotësohet letë”.

Komentet të tilla nga diplomatë ndërkombëtarë që zakonisht janë të kursyer në komente dhe epitete, marrin një tjetër kuptim në rastin e shkarkimit të një ministri të Jashtëm. Është një sinjal që shkon jo vetëm si mbështetje personale për Bushatin, por edhe si mesazh për kreun e qeverisë që largoi një nga ministrat më të aftë dhe ka krijuar një paqartësi në politikën e Jashtme të Shqipërisë.

Disa nga mesazhet publike të autoriteteve ndërkombëtare për Ditmir Bushatin:

Michael Roth, ministër i Shtetit në Gjermani për Marrëdhëniet me Europën : “Një udhëheqës i guximshëm politik, një mik i mirë dhe një europian i përkushtuar. Faleminderit shumë Ditmir Bushati! Do të na mungosh!”

Margot Wallström, Ministre e Jashtme e Suedisë: “Faleminderit Ditmir për punën e madhe, bashkëpunim të mirë dhe miqësinë! Të gjitha të mirat për të ardhmen!”.

Knut Fleckenstein, eurodeputet, Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian: “Faleminderit për bashkëpunimin shumë të mirë! Unë shpresoj, ne do të takohemi sërish. Herët a vonë rrugët tona do të kryqëzohen prapë. Dhe unë po pres për këtë moment”,

Verena Knaus, Këshilltare e Lartë për Migracionin në UNICEF: “Po lini bosh një hapësirë që të MADHE për tu mbushur”. Shqipëria ishte me fat që ju përfaqësonit interesat e saj.

Johan Ndisi, ambasador i Suedisë në Shqipëri: “Faleminderit Ditmir Bushati për përkushtimin tuaj personal duke bërë të mundur që bashkëpunimi ynë të forcohet edhe më tej gjatë mandatit tuaj si Ministër i Jashtëm i Shqipërisë. Diskutimet e frytshme në Tiranë dhe Stokholm me e ministren Margot Wallstrom ishin shembuj të mirë për këtë”.

SHKARKO APP