Reagon Lulzim Basha për ndalimin e ish-deputetit
Ish-deputeti i PD-së Klevis Balliu dhe 7 protestues janë shoqëruar për në komisariatin e policisë. Protestuesit e arrestuar janë: Dritan Noku, Arend Bushi, Ani Murataj, Andi Sharra, Ervis Hysneli, Kujtim Ylli, Gojart Duro.
Ngjarja ka ndodhur pasi ka mbaruar protesta që banorët e Unazës së Re zhvillojnë çdo natë kundër shembjes së banesave të tyre. Balliu ishte së bashku me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe të dy qëndruan në zonën e Unazës së Re në mbështetje të banorëve të cilët protestojnë prej një viti.
Përfaqësues të PD-së kanë shkuar te Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ku po mbajnë të ndaluar ish-deputetin Klevis Balliu. Skënder Doda, Ilir Katiraj dhe Gramoz Shehu janë tre protestues për të cilët është dhënë mas arrest me burg, ndërsa nesër pritet të jepet për 3 të shoqëruarit e tjerë.
Shkak për arrestimet janë ndryshimet në Kodin Penal, ku bllokimi i rrugës është klasifikuar si një vepër penale, dhe kushdo që shkel ligjin nga 8 tetori hyn në burg.
Kreu i PD, Lulzim Basha ka reaguar pas ndalimit nga policia të ish-deputetit Klevis balliu dhe disa protestuesve nga policia.
Duke e cilësuar këtë javë vendimtare për vendin Basha shkruan: “Nëse lajmet nga Brukseli janë negative, askush mos ta vërë në dyshim, ngjarje si kjo e sotmja janë shkaku”.
Reagimi i Bashës
Kjo është javë vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë, kur do të vendoset nëse do të shkojmë përpara drejt Europës apo do të mbetemi ngecur në marshin indietro. Regjimi i Ramës vendosi ta tregojë sa i përkushtuar është ndaj vlerave Europiane të lirisë së shprehjes dhe sundimit të ligjit, duke arrestuar dhunshëm protestues paqësorë. Nëse lajmet nga Brukseli janë negative, askush mos ta vërë në dyshim, ngjarje si kjo e sotmja janë shkaku. Por ne nuk do ti lejojmë të na mbyllin gojën e të na mbajnë peng, beteja do të vazhdojë pareshtur drejt destinit tonë: Shqipërisë së zhvilluar, të lirë dhe Europiane!