Reagon PD për vendimin e prokurorisë për bllokimin e publikimit të dosjes

Gazeta gjermane “Bild” publikoi ditën e sotme 6 audio-përgjime në të cilat ishin të përfshirë Astrit Avdylaj dhe kreu i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.

Lidhur më këto përgjime ka reaguar Partia Demokratike, e cila shprehet se pas publikimit të audio-përgjimeve Dako duhej të arrestohej, ndërsa kryeministri Edi Rama të jepte dorëheqjen.

Sipas PD, kryeministri ka urdhëruar kërcënimin dhe shantazhimin ndaj gazetës gjermane “Bild” dhe mediave shqiptare.

Reagimi

Në vend që, sot, politikanët e kapur në shitblerje votash me krimin, të ishin me pranga në duar; në vend që Kryeministri të jepte dorëheqjen dhe të vihej në dispozicion të hetimit për zbardhjen e krimeve zgjedhore; Edi Rama urdhëron shantazhimin dhe kërcënimin ndaj gazetës gjermane BILD dhe mediave shqiptare që nxorrën në dritë krimin zgjedhor.

Kërcënimet e shërbëtoreve të tij provojnë se Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij në krim Vangjush Dako, Astrit Avdylaj, garantet e mosndëshkimit të këtyre krimeve elektorale, Arta Marku dhe Donika Prela, janë e njëjta dorë kriminale, pjesë e të njëjtit grupi të strukturuar kriminal që:

– vjedh votat,

– dhunon votuesit,

– manipulon hetimet,

– dhe kërcënon mediat.

Edi Rama, përfituesi nga blerja e votave prej bandës së Avdylajve kërkon të blejë kohë, duke urdhëruar prokurorinë e kontrolluar prej tij, të artikulojë teza të rrezikshme për demokracinë në vend dhe lirinë e medias.

Edi Rama vetë po hesht, siç bën gjithmonë, kur kapet me fakte në krim. Këtë rradhë, as heshtja, as shërbëtoret e tij në prokurori, nuk mund të mbulojnë dot të vërtetën që tani ka marrë përmasa europiane: Edi Rama është një Kryeministër ilegjitim, që e ka shndërruar Partinë Socialiste në një strukturë të kriminalizuar, në shërbim të pushtetit të tij personal.

Partia Demokratike inkurajon gazetarët të vazhdojnë të kryejnë misionin e tyre për të informuar publikun mbi të vërtetën e tmerrshme se Shqipëria drejtohet nga krimi i organizuar.

Partia Demokratike inkurajon çdo prokuror të mos i bindet urdhrave politikë të një Kryeministri të kriminalizuar apo veglave të tij në drejtimin e Prokurorisë. Vënia përpara drejtësisë e pushtetarëve që kanë bashkëpunuar në zgjedhje me krimin e organizuar, është shërbimi më i madh ndaj interesit publik.

As heshtja, as përdorimi i Prokurorisë, nuk i jep dot më shumë jetë kufomës politike të Edi Ramës. Asgjë dhe askush nuk e shpëton dot atë dhe pushtetin e tij të inkriminuar./PD/

Pasi publikoi përgjimet në të vilën përfshihej kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako dhe Astrit Avdylaj, ka reaguar gazetari i  “BILD”, Peter Tiede.

Përmes një postimi në “Facebook”, ai është shprehur mirënjohës ndaj Prokurores së Përgjithshme, Arta Marku, pasi sipas tij  ka konfirmuar vërtetësinë e përgjimeve të publikuara ditën e sotme.

Gazetari i “BILD”, thekson se pavarësisht vërtetësisë së përgjimeve dhe materialeve që ai ka publikuar për në lidhje me shit-blerejen e votës, qeveria shqiptare përpiqet që ta bëj gënjeshtar.

 “Shqipëria është tronditur përsëri për shkak të një artikulli publikuar nga unë dhe spektër të qeverisë po përpiqen përsëri të më bëjnë një gënjeshtar. Unë i jam veçanërisht mirënjohës Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm në Tiranë që konfirmoi vërtetësinë e kasetave që ne kemi bërë publike sot”,- shkrun ndër të tjera gazetari.

Ndërsa në përfundim të postimit të tij shkruan “faleminderit për këtë konfirmim mbresëlënës të materialit origjinal”.

SHKARKO APP