Kërkesa e beftë e Kryeministrit Edi Rama.Përgjigjet PD:Do shkrumboheni !
-Nxehen gjakrat mes PS dhe Opozitës. Pas kërkesës së beftë të Gramoz Ruçit selia blu reagon me gjuhën e vitit 1997
Një kërkesë e mbrëmshme e kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi për futjen e reformës në drejtësi për miratim në Kuvend ka sjellë reagimin e ashpër të Partisë Demokratike. Kreu i deputetëve të PD-së, Edi Paloka në një deklaratë për mediat e ka cilësuar kërkesën e Ruçit si provokim të hapur. Sipas tij, pa gjetjen e konsensusit për nenin 88 dhe zbatimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias nuk mund të ketë votim në Kuvend. Ndërsa e cilëson kërkesën e Ruçit drejtuar Kreut të Kuvendit për futjen me urgjencë të paketës së reformës si shpallje lufte.
“Rruga e vetme për miratimin e Reformës në Drejtësi që nuk mbron, por lufton krimin dhe korrupsionin është zbatimi i plotë i rekomandimit 88 të Venecias. Çdo akt tjetër është shpallje lufte ndaj opozitës, parlamentit dhe aspiratës popullore për drejtësi të pavarur. Dhe fundi i kësaj betejë padyshim nuk do të jetë fitorja, por shkrumbimi i oligarkisë kriminale dhe të korruptuar të Edi Ramës”,- deklaron kreu i grupit parlamentar të PD Edi Paloka.
Reagimi me nota të ashpra me stil ’97-ës ku përmendet lufta dhe shkrumbimi i pushtetit erdhi vetëm pak minuta pas publikimit të letrës së kreut të deputetëve socialistë. Kërkesa e Ruçit është në vijim të një sërë vendimesh të njëanshme që ka bërë PS-ja për reformën, pa pasur miratimin formal të Partisë Demokratike.
Një javë më parë 33 deputetë të Partisë Socialiste firmosën procedurën e hyrjes në Komisionet Parlamentare të ndryshimeve në Kushtetutë që lidhen me reformën në drejtësi. Dokumenti kishte dhe firmën e drejtuesve të grupeve parlamentare të LSI dhe PDIU. Ndërkohë që dy ditë më parë deputetët e mazhorancës në Komisionin e Posaçëm për Reformën në Drejtësi miratuan kalendarin e punimeve në komisionet e përhershme parlamentare për diskutimin e ligjeve të reformës.
Me kërkesën e djeshme të numrit dy të PS, Gramoz Ruçi kërkohet hyrja zyrtarisht e reformës për diskutime dhe më pas votim në Kuvend. Pavarësisht se kemi të bëjmë me procedura parlamentare, në të gjitha rastet bëhet fjalë për nisma dhe vendime të njëanshme. Partia Demokratike ende nuk ka dhënë konsensus për kalimin e draftin, pasi nuk ka rënë dakord për mënyrën e zgjedhjes së gjyqtarëve dhe institucioneve që do të kontrollojnë figurën etiko-morale të gjyqtarëve. Debati është përmbledhur në nenin e famshëm 88, ku PD-ja kërkon që emërimet të bëhen me “vende të rezervuara”, pra të nga Parlamenti dhe partitë, siç thotë edhe Komisioni i Venecias. Ndërsa PS kërkon që të emërohen në mënyrë të pavarur, por nga parlamenti ku vendos shumica.
Negociatat dhe ndërhyrjet e ndërkombëtarëve deri më sot nuk kanë sjellë konsensus. Afrimi i fundit të sesionit parlamentar ka bërë që PS-ja të kërkojë përshpejtimin e procedurave. Mazhoranca PS-LSI- PDIU ka aktualisht 84 vota, gjithmonë nëse LSI dhe PDIU do të mbështesin idenë e votimit pa konsensus deri në fund. Shpresa e PS-së është numri prej 94 votash që duhen për reformën do të arrihet me marrjen e disa deputetëve nga PD për të cilët ka kohë që është marrë miratimi i tyre nga Kryeministri në bisedime të fshehta. A janë blerë apo e kanë për parime këtë pritet ta shikojmë!
Por hedhja në votim pa konsensus pritet të sjellë përplasje me PD. Shenjat e një konflikti janë dhënë me kohë. Ndërsa dje PD-ja kaloi në kërcënime direkte. Mënyra sesi ka zgjedhur Partia Socialiste të kalojë reformën më të rëndësishëm në historinë e viteve të fundit nuk i shërben shmangies së përplasjes. Dërgimi i letrave, nisja e punës në komisione, vetëm sa largojnë mundësitë e konsensusit dhe sjellin qëndrime të vjetra me thirrje lufte.Nëse PS dhe aleatët e kalojnë reformën pa opozitën që deklaron se do të djeg mandatet, zbatimi i saj nuk ka asnjë siguri. Në këtë situatë mbetet e sigurt që kriza aktuale do të sjellë një përplasje edhe më të madhe.
Shpallje Lufte!- është diçka e rëndë si fjalor, por ka informacione të sigurta se PD-ja do të hidhet në protesta nga më radikalet e zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri.