Reforma/Adriatik Llalla nis Vettingun, kontroll prokurorëve në gjithë vendin

Të gjithë prokurorët do të testohen për aftësitë profesionale dhe morale. Prokuroria e Përgjithshme ka nisur procesin e ngjashëm me Vettingun në gjithë strukturën e saj. Ky kontroll i figurës së përfaqësuesve të organit të akuzës është konfirmuar sot nga Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, në një takim me drejtuesit e prokurorisë.

Zyra e shtypit e Prokurorit të Përgjithshëm, njoftoi sot se Adriatik Llalla, zhvilloi një takim me drejtuesit e prokurorive të të gjithë niveleve për të diskutuar mbi ecurinë e procesit të vlerësimit profesional të prokurorëve, në kuadër të ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”.

Në bazë të këtij ligji, Prokuroria e Përgjithshme ka detyrimin ligjor që të mbështesë Komisionin e Vetingut për përmbushjen e një prej tre komponentëve të rivlerësimit të prokurorëve, i cili është aspekti profesional.

“Në takim, Prokurori i Përgjithshëm kërkoi dhe, më tej u ra dakord që, deri në fund të kësaj jave e konkretisht deri më datë 29.09.2017, të përfundojë vlerësimi profesional në kuadër të ligjit të Vetingut për prokurorët kandidatët për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, si edhe për anëtarët prokurorë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Ndërkohë, po vijon me intensitet puna për përfundimin e rivlerësimit profesional të prokurorëve në Prokurorinë e Përgjithshme dhe të drejtuesve lokalë të prokurorive në nivel Rrethi dhe Apeli”,- thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Pas përfundimit të kontrollit të drejtuesve të prokurorisë, procesi do të vazhdojë dhe me rivlerësimin profesional për të gjithë prokurorët e Republikës së Shqipërisë.

Pas kontrollit, të gjitha rezultatet për çdo emër të prokurorisë do t’i vihen në dispozicion Komisionit të Vetingut, i cili do të ndjekë procedurat e mëtejshme të përcaktuara në ligj.

Procesi i nisur nga Prokuroria e Përgjithshme është i ngjashëm me atë që nisi Ministria e Brendshme nën drejtimin e Ministrit Fatimir Xhafaj. Ministri Xhafaj, si një nga njerëzit që hartoi reformën në drejtësi, vendosi që në Policinë e Shtetit edhe pse ky institucion nuk është objekt i Vettingut të reformës në drejtësi, të bëhet kontrolli i gjithë oficerëve. Kontrolli nënkupton vlerësimin e aftësive profesionale, por edhe verifikimin e pasurive.

Ndërkohë nisma e Prokurorisë së Përgjithshme bëhet vetëm pak javë para nisje së Vettingut zyrtar, duke i paraprirë reformës në drejtësi.

SHKARKO APP