Refugjatët sirianë po vijnë, vendi në destabilitet. SHISH e Policia në alarm
Bashkimi Europian nënshkroi një marrëveshje me Turqinë për kthimin e refugjatëve sirianë që ndodhen në Greqi. Por deri në zbatimin e saj do të duhet shumë kohë, në mos nuk ka për të gjetur zbatim të plotë. Tani po ngrohet edhe moti dhe vargu i pafund i refugjatëve nuk do të ketë ndalesë. Aktualisht Greqia ka në territorin e saj më shumë se 55 mijë refugjatë që vijnë nga zona e luftës në Siri, Irak dhe Afganistan. Një pjesë e tyre, rreth 14 mijë, janë në Idomeni në Greqi, vetëm 3 orë larg nga kufiri me Shqipërinë. Pas bllokimit të kufirit me mure dhe tela me gjemba nga ana e Maqedonisë, rruga e vetme e tyre për të shkuar drejt vendeve të Bashkimit Europian mbetet Shqipëria. Pas vendimit BE-Turqi për t’i kthyer ata pas në vendet e origjinës, situata mund të bëhet edhe më kritike. Pasi një pjesë e tyre do të kërkojnë të hyjë në vendet e BE përmes Shqipërisë në mënyrë ilegale ose edhe të dhunshme.
Por problemi nuk është tek emigrantët që vërtetë vijnë nga lufta. Pamjet e kampeve në Greqi, Turqi e Maqedoni tregojnë për fëmijë të vegjël, nëna dhe të moshuar që synojnë për një jetë më të mirë dhe ikin nga një kaos. Këta nuk janë problemi i vërtetë. Problemi i vërtetë i kësaj dallge refugjatesh janë terroristët që përfitojnë nga ky fluks për të hyrë në vendet e Bashkimit Europian. Ngjarjet në Paris dhe Bruksel treguan se një pjesë e atentatorëve kishin që më parë në Siri dhe kishin hyrë në BE si refugjatë. Ky është dhe rreziku më i madh, që bashkë me refugjatët në nevojë të hyjnë dhe terroristët kamikazët që kërcënojnë sigurinë, jo vetëm të vendit, por edhe të rajonit.
Këtë shqetësim ngre dhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta në një prononcim dhënë për revistën amerikane “National Interest”.
“Ndërsa kufijtë malorë të Shqipërisë i parandalojnë refugjatët të përmbytin vendin, është vetëm një çështje kohe para se ata të lidhen me bosët e krimit, trafikantët e drogës dhe qenieve njerëzore, kontrabandistët e armëve apo terroristët. Ky do të ishte një destabilizim i pabesueshëm për rajonin e Ballkanit, duke çuar më tej në destabilizimin e Europës. Refugjatët dhe terrorizmi janë dy çështje që shpesh ndërthuren në Ballkan. Terroristët islamikë janë të vendosur për t’i depërtuar flukset e refugjatëve, në mënyrë që ata mund të hyjnë përmes Ballkanit, në Europë. Ekstremistët po i kalojnë kufijtë më shpejt se informacioni i nevojshëm për t’i ndaluar ata. Shtetet e Ballkanit përballen individualisht me pengesa serioze ligjore dhe burokratike të shkëmbimit të informacionit të inteligjencës. Valët masive dhe të padëshiruara të refugjatëve konsiderohen si kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e Bashkimit Evropian dhe atë të Ballkanit“,- shprehet Meta për “National Interest”.
Tirana zyrtare ka përsëritur se nuk do të hap kufirin dhe as nuk do të ndërtojë mure. Por kriza e emigrantëve ka arritur në pikën që nuk mund të kontrollohet më, pasi ka hyrë në fazën kalimit ilegal të kufijve. Refugjatët vijnë nga zonat e luftës dhe do të synojnë me çdo mënyrë pas mbylljes së kufijve për të kaluar drejt vendeve të Bashkimit Europian. Shqipëria është vendi që ata shohin si mundësi tranziti. Gjatë muajve të fundit ka pasur dhe një fushatë nxitëse ndaj emigrantëve për t’i orientuar ata drejt territorit Shqiptarë, për të kaluar më pas në Itali ose drejt Malit të Zi për të hyrë në vendet e Bashkimit Europian. Vetëm gjatë javës së fundit, në kampin e Idomenit janë shpërndare njoftime dhe fletëpalosje ku informoheshin emigrantët se duhet të shkonin në Shqipëri, për ta kaluar më pas drejt Malit të Zi dhe më pas në Slloveni dhe Austri. Madje jepeshin dhe informata se sa para duhen paguar për të kaluar nëpërmjet Shqipërisë. Veç fletëpalosjeve në gjuhën arabe, trafikantët po shfrytëzojnë edhe rrjetet sociale. Një faqe në Facebook e quajtur “Transit Albania & Italia” u tregon refugjatëve sesi duhet të shkojnë në Kakavijë, më pas drejt qytetit të Vlorës dhe prej andej në brigjet italiane që janë veçse 70 km larg. Çmimi për një udhëtim të tillë është 3000 deri në 4 mijë euro.
Afrimi i emigrantëve duket se ka vënë në lëvizje “industrinë” e skafistëve që në Shqipëri ka lulëzuar deri disa vite më parë. Dy ditë më parë në Greqi u arrestua një skafist shqiptar që transportonte emigrantë nga Greqia drejt Italisë. Në Vlorë dhe Sarandë, ka raportime se linjat e trafikut me skaf po riaktivizohen. Për këtë qëllim shërbimet inteligjente italiane, duke njohur rrezikun që vjen nga brigjet shqiptare kanë nisur kontrollet e rrepta me policinë tonë. Por pavarësisht masave të marra biznesi i emigrantëve, shifrat e parave që qarkullojnë në këtë lloj biznesi e bëjnë të pamundur kontrollin e plotë të tij.
Aq me tepër kur po afron sezoni turistik veror dhe Greqia nuk don të ketë refugjatë nëpër këmbë pasi rrezikon turizimin elitar dhe në përgjithësi, ndaj sa më shumë ofrohen ditët e ngrohta të plazhit aq me shumë grekët do ti sjellin më afër kufirit që të hyjnë në Shqipëri. Më këtë rast edhe prishin sezonin turistik shqiptar, pasi rusët dhe një numër i madh turistësh të tjerë po kontraktojnë me agjënsitë turistike. Kjo do ta shkatërrojë turizmin shqiptar si dhe do të destabilizojë rendin publik dhe ekonominë e vendit.
Refugjatët janë tek kufiri, pra në derë, dhe vetëm pritet kur do të mësyjnë në Shqipëri. Më pas vjen problemi, kur nuk dihet se cili është tërroristi e cili hallexhiu ndër to.
SHISH dhe Policia e Shtetit janë në gadishmëri maksimale,aq me shumë se mund të gjallërohet edhe elementi terrorist i fjetur që është në vendin tonë, pasi është ndjerë i frikësuar deri tani.