Renditja: Këto janë 10 bizneset më të mëdha shqiptare. Kastrati në krye
Janë vetëm dy kompani shqiptare që renditen në listën e 100 sipërmarrjeve më të mëdha në Europën Juglindore, sipas qarkullimit vjetor për vitin 2014, Kastrati sh.a. dhe Bankers Petroleum, të dyja në sektorin e naftës, njëra në prodhim dhe tjetra në tregtim. Renditja e 100 kompanive më të mëdha në Europën Juglindore bëhet çdo vit nga SEE News, me qendër në Bullgari. http://top100.seenews.com/wp-content/uploads/2015/10/SeeNewsTOP100SEE-2015.pdf
Kastrati është një hyrje e re në 100 më të mëdhatë e rajonit (përjashtuar bankat dhe shoqëritë e sigurimeve) nga kompanitë shqiptare, duke u renditur në vendin e 82 dhe Bankers Petroleum në të 96-in. Të dyja këto janë tepër të varura nga koniunktura ndërkombëtare e çmimeve dhe për 2015-n pothuajse kanë përgjysmuar aktivitetin.
Edhe në listën e 10 sipërmarrjeve më të mëdha sipas xhiros për secilin vend të rajonit (përjashtuar bankat e shoqëritë e sigurimit), Shqipëria “shquhet” për numrin e madh të kompanive në sektorin e naftës, me 6 të tilla (nga të cilat 5 tregtuese), duke reflektuar qartazi strukturën e paqëndrueshme të ekonomisë vendase, teksa operatorët e karburanteve në pjesën më të madhe të tyre kanë një luhatje shumë të lartë të aktivitetit të tyre dhe normë të lartë falimentimi.
Ndërsa vendet fqinje po tërheqin investitorë me emër dhe po zënë vendin e tyre në industrinë e Europës Juglindore, Shqipëria mbetet zbuluar përballë rënies së çmimeve të naftës, “e paaftë” të zëvendësojë këto humbje me industri më të qëndrueshme. Kjo duket qartë në tendencën e eksporteve. Në Shqipëri ato ranë me gati 5% në 2015-n për shkak të konjukturës së pafavorshme të çmimeve ndërkombëtare, ndërsa në Maqedoni eksportet nga të gjitha zonat e lira ekonomike arritën 1.5 miliardë euro po në 2015-n, me një rritje prej 28% në raport me një vit më parë. Për më tepër që asnjë qytet shqiptar nuk është në renditejn e përvitshme të Financial Times për investime nga eficienca e kostos, ndërkohë që në listë mbizotërojnë kryeqytete e qytete të Maqedonisë, Serbisë, Kroacisë, Bosnjë Hercegovinës.
Europa Juglindore orientohet drejt industrisë
Në pjesën më të madhe të vendeve të rajonit, industria e rëndë tradicionale – kompanitë e naftës, gazit dhe energjisë – po humbin dalëngadalë terren, megjithëse ato ende dominojnë renditjen e më të mëdhave. Ecuria e tyre është ndikuar negativisht nga çmimet e ulëta në tregjet globale, luhatshmëria e shpeshtë dhe gjithnjë e më shumë kushtet e pafavorshme të motit.
Prodhimi i makinave dhe pjesëve të makinave ndërkohë po fiton terren në listën e 100 më të mëdhave të Europës Juglindore (EJL), me rritjen që po nxitet nga rimëkëmbja e shpejtë në tregjet më të mëdha të eksporteve, thekson raporti i më të mëdhave në EJL. Ato po shfrytëzojnë avantazhet konkurruese më të mira të rajonit – kosto e lirë e fuqisë punëtore, taksat e ulëta, pozicionin strategjik dhe infrastrukturën e përmirësuar, shpesh duke u mbështetur në ekspertizën e kaluar në industrinë lokale. Priten lajme më të mira për industrinë e automjeteve, duke konsideruar normën e ulët të zotërimit të makinave në rajon dhe të dhënat për shitjen e veturave të reja si në Bashkimin Europian, ashtu dhe në Europën Juglindore.
Një tjetër industri që po shkon drejt rritjes, pasi është e lidhur më shumë se të gjitha me shpenzimet konsumatore është tregtia me shumicë dhe pakicë. Teknologjia e informacionit dhe bujqësia, që gjerësisht mungojnë në listën e kompanive më të mëdha, kanë tërhequr interesin e investitorëve të mëdhenj së fundmi dhe herët a vonë do të hyjnë tek 100 më të mëdhatë.
Pronësia e huaj mbetet një faktor kyç për performancën e kompanive në Europën Juglindore, duke i ndihmuar ato të shmangin kufizimet në tregun e brendshëm, si huaja e kufizuar apo problemet politike, ndërsa jep akses në tregjet e mëdha. Gjithsesi, thekson raporti, në mënyrë që të zhbllokohet potenciali për rritje, qeveritë duhet të adresojnë reformat strukturore të shtyra prej kohësh, të luftojnë korrupsionin dhe ekonominë gri dhe të përpiqen që ta bëjnë mjedisin e biznesit në tërësi më të parashikueshëm. Biznesi lokal, nga ana e tij, duhet të pranojë rëndësinë e risive dhe konkurrueshmërisë.
Teknologjia e informacionit po rezulton si sektori më tërheqës për investitorët e huaj, së bashku me prodhimin, tregtinë me pakicë dhe shërbimet financiare.
Maqedonia
Johnson Controls Makedonija DOOEL, një ndër më të mëdhatë në botë për prodhimin e pjesëve të automjeteve, ka zgjeruar aktivitetin me gati 50% në 2014-n në shtetin fqinj Maqedoni, duke arritur një qarkullim prej gati 940 milionë eurosh, gati dyfishi i kompanisë më të madhe në Shqipëri. Johnson Controls ka parë me interes edhe tregun shqiptar, por nuk ka hyrë deri tani në të, ndërsa në Maqedoni ka njoftuar në janar të këtij viti për hapjen e një fabrike të dytë në Strumicë, me një investim prej 20 milionë eurosh dhe 3000 vende pune për tre vitet në vijim.
Sipërmarrjet e tjera ndër 10 më të mëdhatë janë në fushën e naftës, energjisë, metaleve, telekomunikacioneve. Të zhvilluar Maqedonia ka dhe industrinë e prodhimeve farmaceutike, përmes Alkaloid AD.
Mali i Zi
Ekonomia e Malit të Zi, e përqendruar më së shumti te shërbimet, reflektohet dhe në numrin e lartë të shoqërive të tregtimit me shumicë e pakicë e transportit, që janë në listën e 10 më të mëdhave.
Serbia
Lista e sipërmarrjeve më të mëdha është e diversifikuar, nga energjia, nafta, telekomunikacionet, tregtia me pakicë e shumicë, transporti e metalet
Delhaize, operatori i pakicës, që nuk arriti të mbijetojë në tregun shqiptar dhe e shiti rrjetin e supermarketeve disa vjet më parë, është një ndër kompanitë më të mëdha në Serbi, duke u renditur në vendin e gjashtë me një qarkullim vjetor prej 630 milionë eurosh.
Sllovenia
Sllovenia mbetet shteti më i zhvilluar në rajon, me sipërmarrjet më të mëdha që janë nga fusha të rëndësishme si prodhime farmaceutike, elektronike, automjetesh, naftë, tregti, telekomunikacione etj.
Rumania
Kompanitë nga Rumania dominojnë në 100-shen e Europës Juglindore lidhur dhe me faktin e madhësisë së tregut rumun. Prodhuesi i makinave Dacia, një njësi e francizes Renault, e ka tejkaluar OMV Petrom si sipërmarrja më e madhe në rajon.
Bullgaria
Kompanitë bullgare ndjekin ato rumune në listën e më të mëdhave, sipas qarkullimit vjetor, ku mbizotërojnë nafta dhe metalet.
Sigurimet, Shqipëria më e prapambetura në rajon
Me prime të shkruara bruto prej rreth 22 milionë eurosh në 2014-n, UNIQA Group Austria sh.a, kompania më e madhe shqiptare në tregun e sigurimeve, renditet e 67-a në listën e 100 sipërmarrjeve më të mëdha të sigurimeve në rajon, sipas renditjes së See News. Ajo është e vetmja shoqëri sigurimi shqiptare në këtë listë. Për krahasim, nga Mali i Zi, me një numër banorësh 5 herë më të vogël se Shqipëria, kompania më e madhe, Lovcen Osiguranje AD, kishte prime bruto prej 26.5 milionë eurosh, ndërkohë që janë dhe dy shoqëri të tjera nga ky vend në listë.
Edhe nga Maqedonia, sërish një treg me popullsi më të ulët se
ne (2.1 milionë banorë përkundrejt 2.85 milionë) ka pesë shoqëri në listë.
Shqipëria ka në këtë mënyrë industrinë e sigurimeve më pak të zhvilluarën në rajon, e reflektuar kjo dhe në numrin e ulët të primeve të shkruara bruto për frymë, prej vetëm 30 eurosh (sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare) nga rreth 80 euro që ishte ky tregues në Serbi, mbi 110 euro në Mal të Zi, 120 euro në Bullgari, 940 euro në Slloveni, rreth 100 euro në Rumani dhe mbi 1000 euro për frymë në vendet e zhvilluara të Europës (sipas Insurancee
urope.eu).
Siguruesi më i madh në rajon është kompania me seli në Lubjanë (Slloveni), Zavarovalnica Triglav, me prime të shkruara bruto prej 592.6 milionë euro në 2014-n, ndërsa konkurrenti më i afërt Adriatic Slovenica, ndodhet në një distancë të konsiderueshme, me prime prej rreth 298 milionë eurosh.
Pritshmëritë për tregun e sigurimeve në Europën Juglindore mbeten optimiste dhe nuk pritet më recesion afatgjatë në këto tregje. Industria ende e sheh Europën Juglindore, si një rajon në rritje me potencial të lartë, megjithëse po bëhet gjithnjë e më konkurrues.
Bankat, Shqipëria pozicionohet më mirë se me sigurimet
Ndryshe nga tregu i sigurimeve, ku sipërmarrjet shqiptare pothuajse nuk figurojnë në listë, bankat janë në një pozicion më të favorshëm.
Në renditjen e 100 bankave sipas aktiveve, BKT renditej e 34-a në rajon për 2014-n, nga e 37-a një vit më parë, me aktive prej rreth 2.26 miliardë eurosh. Ndërsa Raiffeisen Albania ka zbritur nga pozicioni i 35-të në të 40-in. Intesa Sanpaolo, Credins, Tirana Bank, Alpha Bank janë në listën e 100 më të mëdhave.
Sistemi bankar në Europën Juglindore në përgjithësi ka arritur të jetë i qëndrueshëm, por po përballet me nivele të larta të kredive të pakthyera në afat (NPL), aktivitet të dobët kreditues dhe rritje të ulët ekonomike. Renditja dominohet sërish nga bankat rumune, që llogariten në rreth një të tretën e aktiveve totale të 100 bankave më të mëdha në rajon.
Dobësia e sipërmarrjeve shqiptare
Kur të gjithë po flasin për një model të ri, që do ta orientonte vendin drejt një zhvillimi të qëndrueshëm, larg ndërtimeve pa fre e tregtisë së mirëfilltë, drejt industrisë me vlerë të lartë të shtuar, të dhënat janë kokëfortë.
Në listën e 200 sipërmarrjeve më të mëdha në Shqipëri për 2014-n, publikuar pak kohë më parë nga “Monitor”, http://www.monitor.al/200-vip-at-e-2014-s-pasqyra-e-ekonomise-skandaloze-shqiptare/mbizotërojnë kompanitë e tregtimit të naftës, që zinin rreth 10% të numrit total (21 të tilla) dhe kanë realizuar 21% të qarkullimit total të 200 VIP-ave, të ndihmuara dhe nga zgjerimi i prodhimit vendas, por dhe faktit që nafta blihet e shitet shumë herë, duke rritur artificialisht volumin e tregut dhe xhiron e kompanive të këtij segmenti. Nga 10 sipërmarrjet më të mëdha në vend, sipas qarkullimit vjetor (përfshirë bankat), 4 merren me naftë. Edhe aktivitetet e lojërave të fatit, kanë parë një lulëzim të aktivitetit vitin e kaluar, një ecuri kjo që mund të habisë shumëkënd që priste një rënie të tyre pas sulmeve të ashpra, me të cilat qeveria e re nisi aksionin “fundi i marrëzisë”, sapo erdhi në pushtet, në tremujorin e fundit 2013 dhe synonte, ndër të tjera, të godiste vesin e keq të të luajturit bixhoz.
Sipërmarrjet prodhuese e përpunuese dhe ato eksportuese numërohen me gishtat e dorës. Në listën e 100 më të mëdhave ka vetëm 4 sipërmarrje eksportuese.